Përse Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk mund të bëjë një rishkrim objektiv të Historisë së Luftës së Dytë Botërore

Opinione

Përse Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk mund të bëjë një rishkrim objektiv të Historisë së Luftës së Dytë Botërore

Nga: Xhemil Meço Më: 12 maj 2021 Në ora: 18:03
Akademia e Shkencave të Shqipërisë

Ditët e fundit Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka ngritur një grup pune për rishkrimin e historisë së shqiptarëve deri në ditët e sotme. Është kjo në thelb një ide e mirë dhe e nevojshme. Por ndërsa për historinë e Antikitetit, Mesjetës dhe fillimeve të Shtetit të Pavarur Shqiptar ky grup pune besojmë se mund të bëjë një punë të mirë nën dritën e dokumenteve, zbulimeve arkeologjike dhe studimeve të reja, nga ana tjetër do të jetë mjaft e vështirë për të që të bëjë një rishkrim objektiv të Historisë së Shqiptarëve gjatë luftës së Dytë Botërore 1939-1944, periudhë e cila është e afërt në kohë dhe problematikat e së cilës shoqëria shqiptare ende nuk i ka tejkaluar.

Kjo vështirësi vjen në radhë të parë nga politizimi i institucionit të Akademisë, e cila sot drejtohet nga një ish-ministër arsimi i Partisë së Punës dhe më vonë kryetar i një partie të majtë shqiptare. Partia e Punës ka qenë pasardhëse direkte e Partisë Komuniste shqiptare e cila ka qenë një pjesëmarrëse me rëndësi në Luftën e Dytë Botërore.

Vështirësi tjetër është përbërja e grupit të punës, në të cilin bëjnë pjesë historianë të cilët janë formuar dhe formatuar në shkollën komuniste që e shikonte periudhën 1939-1944 nën këndvështrimin e partisë komuniste shqiptare. Kjo shkollë e trajtonte historinë me frymën marksiste-leniniste që kishte tendencë të shpjegonte çdo gjë, vend e pa vend, sipas normave të saj dhe sidomos sipas konceptit të luftës së klasave. Duke arritur në absurditete si për shembull ai që e konsideronte edhe revoltën e haxhiqamilistëve si luftë klasash kur kishim të bënim me një fanatizëm fetar.

Natyrisht historianët mund të evoluojnë dhe të adoptojnë qasje dhe metoda pune bashkëkohore, por është një proces i vështirë dhe jo çdokush mund t’ia arrijë. Për më tepër kur historianët janë të angazhuar politikisht me forca politike që në këtë rast janë pasardhëse të Partisë së Punës dhe si rrjedhim të Partisë Komuniste, dhe kanë detyrimisht një presion politik i cili ka një ndikim të madh mbi objektivitetin e nevojshëm shkencor.

Kjo duket edhe në intervistat apo shkrimet e disa prej anëtareve të këtij grupi ku duket qartë që nuk arrijnë të kenë objektivitetin e duhur, që janë të ndikuar nga historiografia dhe propaganda komuniste dhe të lënë përshtypjen se e gjithë puna e tyre i shërben vërtetimit të saj me disa retushime sipërfaqësore.

Përsa i përket historisë së periudhës 1943-1944, ka tre çështje që kanë nevojë për një përgjigje objektive:

1/ A ishte Lufta Nacional-çlirimtare një luftë për liri apo një revolucion komunist?

2/ A pati një luftë civile në Shqipëri midis komunistëve dhe nacionalistëve?

3/ Çfarë ishte marrëveshja e Mukjes dhe përse u prish?

Historianë pranë Ballit Kombëtar si Prof. Abas Ermenji, konsiderojnë se Lufta Nacional-çlirimtare ishte një revolucion komunist nën maskën e luftës për liri. Meqenëse komunizmi nuk kishte emër shumë të mirë në Shqipërinë e viteve 1940, u përdor kjo strategji për të tërhequr rininë shqiptare dhe vetëm kur u arrit pranë fitores revolucioni komunist u shfaq hapur.

Por mbrojtësit e historiografisë komuniste nuk e pranojnë këtë përfundim. Po ashtu ata mohojnë se ka patur një Luftë Civile në Shqipëri në vitet 1943-1944 midis komunistëve dhe nacionalistëve duke e konsideruar atë si një luftë midis partizanëve dhe “bashkëpuntorëve të pushtuesit”. Në fakt partia komuniste duke filluar nga shtatori 1943 filloi një propagandë totale ndaj forcave nacionaliste të Ballit Kombëtar duke e quajtur këtë “bashkëpuntor” të pushtuesve. Në një kohë që dokumenta të shumtë, edhe nga oficerët aleatë, provojnë se Balli Kombëtar ka luftuar me armë në dorë kundër fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë. Pra llogjikisht kjo akuzë bie. Por me sa duket vazhdon të mbahet gjallë nga ithtarët e komunizmit me qëllimin për të mohuar faktin se partia komuniste bëri një revolucion komunist i cili shkaktoi një luftë të tmerrshme civile, luftë për të cilën flet edhe numri i madh i viktimave si nga radhët e formacioneve nacionaliste por edhe nga popullsia civile që i përkrahte.

Por nga ana tjetër, ekzistenca e një lufte civile, nuk do të thotë se nuk pati një luftë të mirëfilltë kundër pushtuesit të huaj si nga komunistët edhe nga nacionalistët, luftë e cila është dokumentuar edhe nga misionet ushtarake aleate në Shqipëri gjatë periudhës së luftës. Lufta civile për fat të keq iu mbivendos luftës për liri dhe pati pasoja si në efikasitetin e kësaj të fundit po ashtu edhe në rrjedhën e mëtejshme të historisë shqiptare.

Fillimi i Luftës Civile në Shqipëri përkon me prishjen e Marrëveshjes së Mukjes (1-2 gusht 1943), i cili është një moment kyç dhe unikal i historisë moderne të Shqipërisë. Ishte kjo marrëveshje një moment ku nacionalistët dhe komunistët u bashkuan për të koordinuar daljen nga lufta, krijimin e një shteti demokratik por edhe bashkimin e trojeve shqiptare në një Shqipëri Etnike. Nëse kjo marrëveshje do të ishte mbajtur historia e Shqipërisë do të kishte rrjedhur ndryshe dhe çështja kombëtare mund të kishte marrë zgjidhje që pas Luftës së Dytë Botërore.

Për fat të keq Marrëveshja e Mukjes u prish nga komunistët shqiptarë nën presionin e partisë komuniste jugosllave. Vazhdimin të gjithë e dimë: luftë totale ndaj nacionalistëve shqiptarë, revolucion komunist dhe një diktaturë staliniste nga më të egrat me vrasje, burgime, internime, persekutime dhe izolim total për gati 50 vjet.

Për vetë formatimin ideologjik të disa prej antarëve të tij, grupi i punës për rishkrimin e historisë së Shqipërisë për periudhën 1939-1944 nuk do ta ketë objektivitetin e nevojshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të mësipërme dhe do të ketë tendencë të gjejë argumenta për të mbrojtur versionin komunist të historisë. Aq më tepër që e vërteta është mjaft e hidhur dhe akuzat që historia i bën partisë komuniste janë mjaft të rënda.

Nuk është pra kjo Akademi, në këtë moment, që mund të shkruajë historinë e vërtetë të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Do të duheshin studiues të paanshëm, të formuar larg ideologjisë dhe propagandës komuniste dhe larg çdo ideologjie tjetër, në bazë të dokumenteve dhe burimeve të besueshme, që do të mund të shkruanin historinë e vërtetë të Shqipërisë për periudhën 1939-1944.

Është me shumë rëndësi që brezat e ardhshëm të mësojnë historinë e vërtetë, sepse kështu nuk do të bëjnë të njëjtat gabime. Tragjedia e Luftës Civile dhe e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes duhet të na shërbejnë që të nxjerrim mësime për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët më të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat