Kush e solli Dorutinën (Donikën)!        

Opinione

Kush e solli Dorutinën (Donikën)!        

Nga: Sherif Ramabaja Më: 15 maj 2021 Në ora: 06:33
Sherif Ramabaja

Çdo kjo këtu? Si fëmijë ka ikur nga Kosova dhe tash vjen si diplomate. A mendon kjo me kokë të kthjellët, se ne ishim këtu para saj. Ne e çliruam këtë vend dhe ne, dhe vetëm ne e gëzojmë atë të drejtë të kujdesemi për te.

Kur kërciste pushka ne ishim ata që çanim rrethimin, nuk detyronim askënd të na bashkëngjitej, kush vinte e kishte derën hapur, po nuk i binim askujt në qafë. Ishte edhe Farku, po ata kishin ardhur me pushime.

Sot kur u çliruam, na dalin dhe pikin lloj, lloj heronjsh. Jo që deklarojnë veten heronj dhe bijat e bijtë e tyre, po kërkojnë të marrin poste secili më të lartë se tjetri.

Kurti rrinte nëpër Prishtinë, jepte deklarata dhe intervista, kundërshtonte secilin, madje Thaçin edhe Demaçin, kurse sot e kemi kryeministër.

Leje Kurtin që kishte lindur dhe rritur në Kosovë, kishte studiuar këtu dhe si student mori pjesë në demonstratat studentore kundër Serbisë. U dënua dhe sapo doli nga burgu mendoi se Kosova është e tij dhe e askujt tjetër.

Kërkonte të bëhej lideri kryesor i saj. Citonte nëpër tubime filozof dhe emra të njohur të filozofisë dhe donte të tregonte se është i ditur.

Çka mendonte ai se ne ishim barinj dhe s´marrim vesh nga librat dhe citatet e ndryshme.

Ne kishim lexuar e studiuar. Menjëherë pas përfundimit të luftës i dorëzuam armët dhe madje kemi bërë doktoratura në lëmi të ndryshme, sepse Kosova kishte nevojë për ne.

Sot Kurtin do ta harronim, po kemi të tillë dhe të tilla që nuk e dinin saktësisht se ku ndodhej Kosova dhe hop, erdhën në funksionet më të larta të saj.

Kjo është një padrejtësi historike. Kanë ikur janë shkolluar ndokund tjetër, kanë bërë jetë komode, janë martuar me të huaj, kanë lindur fëmijë me ta, mbajnë mbiemra të huaj dhe pa pikë turpi na shesin mend se ç´është demokracia.

Jo që na mësojnë se ç´është shteti i së drejtës, po na akuzojnë se jemi marr me krim të organizuar, kemi plaçkitur atdheun tonë, jemi pasuruar duke shitur pasurinë e shtetit, kemi uzurpuar institucionet, kemi bërë kapjen e shtetit, kemi dashur ta ndajmë Kosovën dhe jemi fajtor se vetë e kemi votuar Gjykatën Speciale.

Kjo do të thotë se ne na shpallin luftë, në vend se t´i mbronin heronjtë tanë në Hagë.

Ne e çmojmë secilin shqiptar, po kur e shohim se ç´po ndërmarrin kundër nesh, atëher vija e kuqe është tejkaluar.

Ne dëgjuam edhe reagimin e ambasadorit gjerman në Kosovë, po ishte plotësisht e kuptuar, sepse ai mbronte shtetasit e tij.

Kurse kush do të na mbroj ne, që mbrojmë shtetin dhe organet e tij. Jo, ne nuk jemi mësuar të kemi përkrahje, po ne do ta shfrytëzojmë të drejtën tonë, protestën qytetare.

Ne do të kërkojmë të largohen nga funksionet shtetërore të gjithë ata që s’janë rritur dhe s`kanë jetuar në Kosovë.

Do të kërkojmë që të largohen të gjithë ata të cilët nuk i mbrojnë frytet e luftës dhe luftëtarët e lirisë.

Do të kërkojmë të largohen të gjithë ata të cilët nuk e mbrojnë UÇK dhe komandantët e saj.

Do të kërkojmë të largohen të gjithë ata të cilët nuk garantojnë për lirinë e tyre dhe të cilët nuk ndajnë fonde shtetërore për mbrojtjen e tyre.

Nëse dikush e ka pasur babanë personalitet të njohur, ne nuk mund ta shpërblejmë me funksione shtetërore. Kjo duhet të jetë e qartë për secilin.

Ne ishim ata që pas luftës i primë Kosovës dhe e sollëm deri këtu ku e kemi sot : të rindërtuar, të pajisur me institucione demokratike, me ekonomi të ringjallur, rrugë dhe autostrada të ndërtuara, arsimim të reformuam, media të lira, shëndetësi dhe barna falas për secilin, madje siguruam ujë të pijshëm për secilin dhe çdo shtëpi e pajisëm me elektricitet.

 Çka po kërkoni më shumë nga ne? Dhe çka do të ofroni ju ...., t´i vilni frytet tona.

 Kosova është gjaku ynë që nuk falet, ne i përmbahemi kësaj thënie të Ali Podrimjes, kurse ju na flisni për shtet ligjor, thua se ne s’dimë ç ‘është ajo.

Ne duam respekt dhe pushtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat