Ramush, kujt po i bëni thirrje për protestë, krejt po ikin prej AAK-së

Opinione

Ramush, kujt po i bëni thirrje për protestë, krejt po ikin prej AAK-së

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 21 korrik 2021 Në ora: 18:29
Albin Kurti, Ramush Haradinaj; foto ilustrim nga "Bota sot"

Fillimisht u përmend nga disa zyrtarë të LDK-së, teksa më vonë atyre iu bashkëngjit edhe Ramush Haradinaj me idenë për të thirrur protestë kundër qeverisë Kurti 2. Protestat janë formë demokratike, e cila rregullohet edhe me ligjet e vendit tonë si mënyrë për qytetarët që të shprehin pakënaqësitë e tyre. Deri këtu jemi brenda normaleve të lejuara, përveç anës ligjore nevojitet edhe mbështetja qytetare për të protestuar. S'mund të organizosh protestë kur s'ke njerëz, s'mund të bëni dasmë kur s'të vjen askush në dasmë.

Me 7 % të mbështetjes qytetare, Ramushi s'ka si të thërret protestë, ani se deklaronte një gjë të tillë. Është një metodë, mënyrë për të matur impulsin e qytetarëve. Kur e kuptoi se qytetarët s'po e mbështesin dhe sheshi do të mbetet i zbrazët, sikur i ka ulur veshët, megjithëse akuzat nuk i ndalon ndaj Albin Kurtit. Anëtarësia çdo ditë e më shumë po i ulet, njerëzit po e braktisin AAK-në, e cila duket se është e destinuar të zhduket, të ketë fatin e Nismës.

Derisa edhe LDK në anën tjetër, tenton që të tërheq masën tek vetja, tenton të tregojë muskujt, të tregojë se “nuk ka vdekur" , se është gjallë dhe e gatshme për të dalë në rrugë. Pavarësisht fjalëve të tyre, u mungon guximi për të bërë hapa të tillë para, si LDK ashtu edhe AAK duket se e njohin forcën e tyre, me këtë edhe nuk mund të bëjnë hapa tutje.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti s'po merret fare me ta, vazhdon të shfaq imazh të mirë për Kosovën në Francë dhe Bruksel, duke treguar një lloj tjetër të politikanit nga ata që kanë qeverisur vendin më herët. Në stilin e Rugovës, Albini s'po merret me asnjë, mënyra më e zgjuar për të mundur kundërshtarët .

Sa më shumë që afrohen zgjedhjet lokale, aq më të shpeshta do të jenë akuzat ndaj Kurtit, me LDK-në dhe AAK-në, pa përjashtuar këtu as PDK-në, që synojnë që të përfitojnë ndonjë votë në “shpinë” të Albinit. Tentojnë ta fusin në lojë Albinin që të merret me ta, në mënyrë që të ndjehen të rëndësishëm, diçka të cilën Albini s'po ua ofron dot. Dhe bën shumë gabim Albini nëse fillon të merret me këta njerëz, detyra e tij nuk është të merret me fjalët e të tjerëve, është votuar për premtimet e tij dhe në asnjë premtim të tij nuk është thënë se duhet të merret me fjalët e Ramushit apo të Lumirit e të Memlit.

Nëse opozita do të kishte mundësi që të bënte një protestë të madhe do ta bënte që sot, nuk mund ta bëjnë, s'kanë njerëz që u shkojnë pas atyre që kanë zhvatur dhe vjedhur këtë vend për 20 vjet me radhë. Në këtë kuptim, opozita, sidomos AAK po demolohet me qëndrimin e saj në opozitë, me njerëz që po i largohen çdo ditë e më shumë. S'ka protestë, s'ka njerëz, një fjalë e urtë thotë “nuk tutet arusha me shoshë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat