Letër për Presidenten Vjosa Osmani dhe për Kryeministrin Albin Kurti, për dekorimin e familjes së Sadri Kapitit

Opinione

Letër për Presidenten Vjosa Osmani dhe për Kryeministrin Albin Kurti, për dekorimin e familjes së Sadri Kapitit

Eshref Ymeri Nga Eshref Ymeri Më 12 gusht 2021 Në ora: 22:43
Skënder S. Kapiti

Të nderuar Zonja Presidente dhe Zoti Kryeministër të Republikës së Kosovës,

Para dy ditësh i dërgova një letër miqësore z. Skënder Kapiti, birit të Sadri Kapitit, dhe, nxitur nga veprimtaria e jashtëzakonshme e asaj familjeje për pavarësinë e Kosovës, vendosa t’Jua dërgoj edhe Juve, më shumë edhe si një propozim nga ana ime që ata duhet të dekorohen nga ana Juaj. Ja teksti i asaj letre: 

I dashur Skënder,

Në faqen e internetit të gazetës “Bulevard” lexova me shumë kënaqësi artikullin mjaft interesant dhe informativ të zotërisë Vaso Papaj, me titull “Kapitët e Durrësit dhe liria e Kosovës”, të botuar më 23 shkurt 2021. Nuk është aspak e drejtë që Zonja Presidente Vjosa Osmani dhe Zoti Kryeministër Albin Kurti  nuk e kanë vlerësuar dhe nderuar Familjen Tuaj për atë kontribut të shquar që keni dhënë për luftën dhe Juve personalisht nuk Ju kanë nderuar, as respektuar dhe as dekoruar, pasi dekorata u janë dhënë pa kriter edhe individëve që as nuk e meritojnë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Tipari i mirënjohjes, ore Skënder i dashur, është tipar gjenetik, i lindur në gjakun e të parëve të fisit dhe i trashëguar brez pas brezi. Për çudi, mosmirënjohja është tipar karakteristik për jo pak shqiptarë,  prandaj ajo, fatkeqësisht, si në asnjë gjuhë tjetër, është e pasqyruar aq shumë në pasurinë frazeologjike të gjuhës shqipe. Kujtoni për një çast vetëm disa prej atyre shprehjeve kaq të rënda për mosmirënjohjen:

bjer shi në arën time

ha bukën e pëmbys kupën

hedh lumin dhe të pështyn kalin

këtej të pi verën, këtej të shan derën

këtej të puth këmbët, këtej të ngul dhëmbët

të shkel bukën me këmbë

Më duket e pabesueshme që edhe Presidente Vjosa, edhe Kryeministër Albini të jenë mosmirënjohës ndaj familjes suaj, të njohur për atdhetarizmin e saj të shquar, dhe ndaj Jush personalisht.

Kujtoni për një çast atë letrën e atij nxënësit të një shkolle 8-vjeçare në Shkodër, i cili e falënderonte Bill  Klintonin për bombardimin e Serbisë dhe Klintoni i Madh i ktheu përgjigje falënderuese. Pra. Bill Klintoni, President i SHBA-ve, respekton, i kthen përgjigje dhe i është mirënjohës një nxënësi shqiptar për një letër falënderimi, kurse Republika e Kosovës nuk paska pasur mundësi që pas 20 vitesh të mos kujtohet që të nderojë dhe të respektojë familjen tuaj. Kjo është e pabesueshme dhe vetëm kaq. Edhe nëse familjen tuaj dhe juve nuk ju dekorojnë Presidentja dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ju, i nderuar z. Kapiti, së bashku me familjen tuaj, keni hyrë përfundimisht në Historinë e Mbarë kombit shqiptar dhe askush nuk mund t’ju nxjerrë dot kurrë prej saj. Koha i vlerëson, i lartëson dhe i nderon edhe më shumë familjet dhe personalitetet e shquara që kanë dalë nga gjiri i Tokës Mëmë, të njohura për atdhetarizmin e tyre shembullor.

Eshref Ymeri

Santa Barbara, Kaliforni

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat