Ndarja e posteve në ambasadorë politik dhe të karrierës, e ka dëmtuar politikën e jashtme dhe diplomacinë e Kosovës..!?

Opinione

Ndarja e posteve në ambasadorë politik dhe të karrierës, e ka dëmtuar politikën e jashtme dhe diplomacinë e Kosovës..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 2 shtator 2021 Në ora: 12:29
Foto ilustrim

Republika e Kosovës me Kushtetutën e saj është e definuar shtet sovran, i pavarur dhe demokratik i cili ndërton dhe zbaton politikë të brendshme dhe të jashtme unike, të pandashme e në harmoni të plotë me interesat e saj nacionale, qytetare dhe shtetërore. 

Andaj, marrë këtë normë kushtetuese parasysh, një fakt është i pamohueshëm, se qeveritë e kaluara që nga themelimi i tyre në vitin 2008 e deri më 14 shkurt 2021, nuk kanë bërë dhe nuk kanë  zbatuar politikë unike shtetërore të brendshme dhe as të jashtme, veçse politikë partiake. Nga kjo rezulton se këto qeveri nuk janë marrë as me reformat e nevojshme në planin e plotësim-ndryshimit të ligjeve që kanë dalë nga Kushtetuta e Ahtisarit, si dhe as në përpilimin e një Platforme unike në planin e politikës së jashtme të Kosovës.

Dhe, kur është fjala për MPJD-së dhe debateve që këtyre ditëve po zhvillohen lidhur me reformimin e kësaj ministrie, ashtu siç është premtuar nga qeveria “Kurti-2”, e posaçërisht lidhur me tërheqjen e 13 ambasadorëve “politik” si dhe mos emërimi i ambasadorëve të rinj as për tre muaj, duhet ritheksuar faktin, se ky dikaster kërkon reformim rrënjësor, duke filluar nga aktet normative, ri-sistematizimi i të gjitha vendeve të punës, nga ai i postit të ministrit të jashtëm, i zv/ministrave e deri tek postet e drejtorëve të Departamenteve, etj. Në veçanti, duhet të vendosen kriteret unike për emërimin e ambasadorëve, konsujve dhe stafit tjetër diplomatik, e jo që ato poste të ndahen në mënyrë artificiale, në 50%-ind poste “politike” dhe në 50%-ind poste të “karrierës”, ngase kjo ndarje krejtësisht e panevojshme e ka përçarë politikën e jashtme si dhe stafin diplomatik në dy “tabore” kundërthënëse, duke e degraduar kështu para vendeve nikoqire politikën e jashtme të Kosovës!

Sepse, qoftë ai ambasador “politik” apo i karrierës, në çastin e marrjes së detyrës në një vend të huaj, ata janë të obliguar që ta prezantojnë në botë politikën e jashtme unike të shtetit të Kosovës, e jo interesat partiake, të shoqërive civile dhe as politikën universitare, atë të bizneseve, etj., veçse politikën shtetërore të vendit që prezantojnë, e dalë nga Programet e qeverisë për secilin shtet dhe rajon veç e veç.

Ngase, asnjë shtet serioz në botë nuk emëron ambasadorë dhe konsuj vetëm të karrierës të cilët Kosova ende nuk i ka, veçse kryeministri i vendit zgjedh dhe emëron figura të shquara, profesorë universiteti, ekonomist të aftë nga fushat e ndryshme, njerëz me merita të veçanta në luftë dhe paq, etj., madje ka raste kur ai emëron ambasadorë dhe konsuj nderi nga vendet mike, po qese një gjë të tillë e kërkon interesi shtetëror i vendit. Mbase Kosova aktualisht posedon më shumë figura të çmuara dhe personalitete të njohura nga historia dhe kultura jonë kombëtare, se sa diplomatë të karrierës, kur dihet se vendi ynë si shtet i ri ka vetëm 13 vite qëkur është pavarësuar, ndërsa për t’u bërë diplomat dhe ambasador i karrierës, sipas normave dhe kritereve që zbatohen në disa vende perëndimore, ai duhet t’i ketë së paku 20 - 25 vite shërbim në MPJ-me dhe diplomaci.

Mendoj se është koha e fundit që politika e jashtme e Kosovës, përkatësisht MPJD-së si zbatuese e saj, t’i kthehet frymës, platformës dhe germës së diplomacisë aktive siç ishte ajo në kohën e presidentit tonë historik, Dr. Ibrahim Rugova, e, që nënkupton t’i kthehet vlerave diplomatike perëndimore, dinamikës së kërkimit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga ato vende që ende nuk na kanë pranuar si shtet, si dhe përzgjedhjes për ambasadorë të figurave të dëshmuara moralisht dhe kombëtarisht. Pra, njerëz me përvojë të mjaftuar dhe aftësi në prezantimin e kërkesave të Kosovës kudo në arenën dhe forumet ndërkombëtare. Me një fjalë, diplomat të aftë që dinë t’i avancojnë dhe forcojnë marrëdhëniet bilaterale me vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e që figura të tilla kemi mjaftë, sidomos në diasporën tonë heroike.

Përndryshe, Kosova rrezikon të ngelë më tutje një shtet i cili nuk po arrin dot ta gjen rrugën e duhur për të dalë nga embrioni i lindjes së saj mjaft të vonuar politikisht në arenën ndërkombëtare..!?   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat