Injorimi i kuadrove me përvojë politike, diplomatike dhe profesionale, është logjikë moniste dhe e dëmshme për Kosovën..!

Opinione

Injorimi i kuadrove me përvojë politike, diplomatike dhe profesionale, është logjikë moniste dhe e dëmshme për Kosovën..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 11 shtator 2021 Në ora: 12:35
Rexhep Elezaj

Duke pasur parasysh dominimin ende të një logjike moniste, primitive dhe shumë të dëmshme për vlerat krijuese-ndërtuese në shoqërinë kosovare, e cila që nga paslufta çlirimtare është instaluar në Kosovë, nga një “elitë” politike e cila e kishte mbivlerësuar veten si shpëtimtare të kombit dhe me të cilën fillon historia e Kosovës, krejtësisht për motive egoiste dhe primitive, mjerisht ajo do mohoi dhe përjashtoi në mënyrë arrogante çdo vlerë, përvojë dhe dije të gjeneratave të para-luftës, që ishte pa dyshim, shkelje flagrante e vlerave arsimore, kulturore, profesionale, e mundit dhe përvojave shumëvjeçare të popullit shqiptar dhe ajkës së tij nacional-patriotike!

Ishte e vetmja “elita shtetërore” e Kosovës, krahasuar me atë të Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë, Bosnjës, etj., ajo e cila në emër të gjoja “pastërtisë” politike, dyshimit, pabesisë, konspiracionit ideologjik si dhe frikës nga konkurrenca e vlerave, do i përjashtoi dhunshëm nga procesi i shtet-ndërtimit të Kosovës gjitha kuadrot e afta dhe me përvojë shumëvjeçare nga e kaluara, duke bërë ndaj tyre diferencim “ideopolitik” të pajustifikueshëm dhe në dëm të rindërtimit të Kosovës së shkatërruar nga lufta.

Ngase, siç dihet, me Kushtetutën e vitit 1974 Kosova ishte bërë njësi e barabartë federale në ish Jugosllavi, dhe nga ajo kohë e deri në vitin 1989, kur u ripushtua nga Serbia fashiste, pra kur u suspendua autonomia e saj, ajo ka funksionuar si shtet me vete, periudhë në të cilën shqiptarët janë shkolluar me të madhe, siç kanë   punuar edhe në administratën shtetërore, kanë udhëhequr me mijëra sipërmarrje dhe qindra fabrika, qindra shkolla fillore, të mesme dhe Universitetin e Prishtinës, kanë pasur akademi dhe dhjetëra institute hulumtuese shkencore, shumë spitale dhe agjenci turistike, etj., etj., duke nxënë kështu dije, duke bërë përvojë si dhe aftësim profesional brenda dhe jashtë shtetit, në politikë, ekonomi, diplomaci, art, sport dhe turizëm, etj.

Pra, Kosova kishte ia kishte dalë që të zhvillohej dhe përparonte në të gjithë sektorët dhe fushat e administratës shtetërore, kishte politikanë, ekonomistë, inxhinierë, diplomatë, oficerë ushtarak, profesorë, akademikë, poetë, shkrimtarë, artistë, xehetarë, hulumtues shkencorë, inovatorë, etj. shumë të aftë në çdo fushë. Kishte ndërtuar qindra arti-zanate, qindra uzina private, kooperativa bujqësore si dhe agjenci të mëdha turistike, etj., pra kishte njerëz dhe kuadro të cilat kishin arritur suksese dhe rezultate të mrekullueshme kudo dhe në çdo lëmi, brenda dhe jashtë Kosovës.

Me një fjalë, Kosova kishte arritur të ndërtoi kuadro shumë të afta, deri në masën sa Serbia dhe disa republika tjera i xhelozonin shqiptarët për sukseset e tyre, sepse ata po iu bënin konkurrencë popujve tjerë në ish Jugosllavi, ndaj edhe i pengonin kudo që arrinin, sidomos serbët, që shqiptarët të mos afirmoheshin si popull dhe si profesionist më të aftë se të tjerët..!?

Prandaj, ishte sjellje dhe veprim tejet i dëmshëm i pushtetarëve të pas luftës, filluar nga qeveria e përkohshme e Hashim Thaçit (1999 – 2002) e deri tek qeveritë e më vonshme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 2008, prapë dy qeveritë e H. Thaçit dhe PDK-së dhe LDK-së (2007 – 2020), të cilat si për inati, përjashtuan gjitha kuadrot e afta të para-luftës, madje duke i etiketuar si “tradhtarë dhe pro-serbë” vetëm se kishin punuar në ish Jugosllavi. Pra, nuk ishin të gjithë shqiptarët “spiunë” jugosllav, siç pretendonin politikanët dhe disa komandant “çlirimtarë”, dhe jo vetëm..!?

Në vend se ata dijen, përvojën dhe aftësitë profesionale të kuadrove të vjetra t’i merrnin dhe fusnin në shërbim të ndërtimit të administratës së re shtetërore, në ngritjen e kapaciteteve ekonomike, prodhuese dhe arsimore, ata “an-bllok” u stigmatizuan dhe i përjashtuan nga procesi i ngritjes dhe zhvillimit të Kosovës, dëm i cili as pas 22 viteve në liri nuk u arrit të kompensohet. Përkundrazi, vendi ynë erdhi gjithnjë duke u dobësuar në të gjitha segmentet e jetës, pa përjashtim..!?

Mjerisht, edhe pas ndryshimit i cili ndodhi me votën e popullit me 14 shkurt të këtij viti, u vazhdua me të njëjtën logjikë përjashtuese të figurave të shquara politike dhe kombëtare, të profesorëve, diplomatëve si dhe shumë kuadrove profesionale nga fushat e ndryshme, me arsyetimin e heshtur dhe banal, se janë të shkuar në moshë, të paaftë psiqikisht e fizikisht, se janë të harxhuar, etj., duke harruar faktin se mosha nuk është faktor limitues në shumë fusha dhe veprimtari shoqërore, derisa një individ ka shëndet të plotë. Madje, është shumë irrituese logjika me të cilën janë përjashtuar nga procesi i shtet-ndërtimit njerëz shumë të ditur, të aftë dhe me përvojë të gjatë profesionale, vetëm për shkak të moshës së tyre, duke mos e marrë asnjëherë si shembull pozitiv botën perëndimore, në veçanti SHBA-të, ku një popull prej 350 milion banorëve do ta zgjedh për president të vet në fillim të këtij viti, politikanin 77 vjeçar, siç është miku ynë, Joe Biden !

Pra, Kosova është shtet dhe vend “Sui-generis”, edhe në mosrespektimin e vlerave dhe përvojave të mëdha të gjeneratës së vjetër, të njerëzve më të mirë të saj, qofshin ata edhe në moshë, kur dihet se për arritjen e përvojave kaq të mëdha, populli dhe shoqëria jonë kanë paguar kosto të larta financiare, derisa ato përvoja janë arritur dhe fituar me shumë mund dhe sakrifica..!?                                     

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat