S’ka hajgare me Albinin, reciprociteti po i troket në derë Vuçiqit

Opinione

S’ka hajgare me Albinin, reciprociteti po i troket në derë Vuçiqit

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 15 shtator 2021 Në ora: 09:41
Albin Kurti

Pas takimit në Tiranë me kancelaren Merkel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në pyetje të gazetarëve për reciprocitetin me Serbinë, deklaroi se kjo gjë do të ndodhë, aktualisht qeveria është duke bërë të gjitha përgatitjet që vendosja e reciprocitetit të zbatohet në tërësi. Këtë gjë Kurti e ka theksuar edhe më parë, vonesat duket se kanë të bëjnë më mos kthimin e përgjigjeve nga vendet e BE-së, të cilave Kurti u ka shkruar letër duke u treguar arsyet pse do të vendoset reciprociteti, ku cekën edhe 11 shkelet e marrëveshjeve që Serbia nuk i ka zbatuar me Kosovën.

Kur jemi tek reciprociteti, duhet theksuar se ishte Ramush Haradinaj ai që ia pati vendosur Serbisë tarifën 100 %, e cila pastaj u kthye në reciprocitet nga qeveria Kurti 1. Ndonëse një gjë e tillë ishte kërkuar që të zhbëhet, Albini nuk e bëri, vetëm ish kryeministri Hoti arriti që të hiqte fare reciprocitetin me Serbinë: “si shenjë e vullnetit të mirë nga Kosova”.

Megjithatë, edhe pse është bërë pothuajse dy vitet që kjo ka ndodhur, gjërat nuk duket se kanë ecur mirë për Kosovën. Tani, me rikthimin e qeverisë Kurti, nuk po përjashtohet mundësia që të rikthehet reciprociteti me Serbinë, meqenëse pala serbe nuk ka përmbushur obligimet për të cilat ishte zotuar. Paralajmërimin e Kurtit ka nga ata që një gjë të tillë e mbështesin, ka edhe nga ata që nuk e mbështesin aq shumë, në këtë rast mendoj se të dyja palët kanë të drejtë deri në një masë të caktuar.

Së pari, duhet theksuar se Serbia e meriton 100 % që të rikthehet reciprociteti, meqenëse s'ka treguar respekt për zotimet e saj, përkundrazi ka vazhduar që të punojë kundër interesave të Kosovës, duke e penguar atë që të bëhet pjesë e organizatave të rëndësishme botërore.

Në anën tjetër, një vendim i tillë do të sillte një ofensivë të madhe të Serbisë ndaj Kosovës, duke përdorur si shkas këtë që të vazhdonte edhe më shumë ofensivën kundër njohjeve. Në këtë rast, mendoj se qeveria Kurti një gjë të tillë duhet të bëjë vetëm një bashkëpunim me SHBA-të, ndryshe çdo vendim pa bashkëpunimin dhe aprovimin e SHBA-ve, përkundër që është i drejtë, s'do të ishte shumë në interes të Kosovës.

Prandaj, qeveria Kurti duhet që shumë të jetë e vëmendshme në një rast të tillë. Qeveria, jo vetëm kjo e tanishme, por edhe kushdo që do të vije pas saj, duhet të ketë si fokus kryesor zhvillimin e bujqësisë, zhvillimin e agro kulturës në vendin tonë, si katalizatori kryesor për zhvillimin e shtetit, krijimin e vendeve të punës, mbi të gjitha që të mbajë të rinjtë në Kosovë. Kot i vendos reciprocitet Serbisë derisa nuk mbështet prodhimet vendore, në këtë mes qytetarët janë të detyruar që të konsumojnë prodhime të huaja. Krahas reciprocitetit duhet mbështetur fort prodhimi vendor si e vetmja që garanton stabilitet ekonomik, leverdi të qytetarëve për të punuar tokën dhe në të njëjtën kohë çlirim nga varësia e produkteve të jashtme, në këtë rast të Serbisë.

Megjithatë, qeveria të ketë shumë kujdes për zbatimin e plotë të reciprocitetit, jo të ndodh si herën e parë ku pavarësisht se reciprociteti me Serbinë dhe tarifa 100 % u vendos, mallrat nga Serbia kanë hyrë në Kosovë në forma dhe mënyra tjera. Nëse vendos reciprocitet dhe Serbia prapë fut mallrat e saj, kjo gjë është vetëm konsum politikë, se sa presion mbi Serbinë dhe aq më pak pastaj ndihmë për ekonominë vendore. Reciprocitetin e meriton Serbia, mirëpo duhet kujdes që kjo të bëhet në bashkëpunim me SHBA-të, të përcaktohet se cilat efekte mund të jenë dhe mbi të gjitha të dihet se çfarë pritet të përfitojë Kosova nga kjo, përfitim të qytetarëve dhe jo poenë politikë. Besoj, dua të besoj se këtë radhë reciprociteti do të jetë serioz, do të zbatohet në tërësi, kur një ditë të hiqet reciprociteti (s’mund të vazhdojë përgjithmonë) Kosova të përfitojë nga një gjë e tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat