Ultimatumi i Borell-it për situatën në veri është pro-serb dhe i papranueshëm për Kosovën..!?

Opinione

Ultimatumi i Borell-it për situatën në veri është pro-serb dhe i papranueshëm për Kosovën..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 13 tetor 2021 Në ora: 18:55
Josip Borell

Nuk ka asnjë dyshim, se aksioni i sotëm i policisë sonë në veri të vendit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ishte legjitim dhe në përputhshmëri të plotë me ligjet dhe kompetencat kushtetuese të saj, në luftën kundër grupeve dhe bandave kriminale, pa marrë parasysh se në cilën pjesë të vendit ndërmerren, apo për çfarë grupesh etnike bëhet fjalë.

Krimi dhe bartësit e tij nuk kanë përkatësi dhe as identitet etnik, sepse ata janë të njëjtë kudo në botë, andaj si dukuri negative ai luftohet kudo nga shteti dhe pa ngjyrime politike dhe apo nacionale!    

Ndërsa, z. J. Borell, në vend se si përgjegjës kryesor për stabilitetin në Ballkanin perëndimorë ta përshëndeste aksionin e policisë së Kosovës, i cili kishte të bënte me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, shkak ky kryesor, që, sipas disa vendeve të BE-së Kosovës ende nuk po i hiqen vizat, ky del me koment në Twitter, duke i dhënë ultimatum zyrtarëve në Prishtinë, “që menjëherë t’i ndërpresin incidentet e dhunshme në veri të Kosovës, të mos marrin aksione unilaterale dhe të rrezikshme për stabilitetin”, dhe, ç’ është edhe më keq për një udhëheqës të lartë të BE-së, çështjen e luftimit të krimit dhe korrupsionit në Kosovë e radhitë në mesin e temave të hapura të dialogut midis dy palëve. Pra, fryma ultimative nga komenti i tij në Twitter ndaj Kosovës del të jetë shkruar në Beograd e jo në Bruksel..!?     

Josep Borrell Fontelles @JosepBorrellF:“The violent incidents in the north of Kosovo need to stop immediately. Unilateral and uncoordinated actions that endanger stability are unacceptable. All open issues must be addressed through the EU-facilitated Dialogue. We are in contact with Belgrade and Pristina”.

(Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën). Oct 13, 2021.

Pra, në vend se J. Borell të ishte shumë më i matur dhe më pragmatik në kërkesën e tij për qetësi në veri të Kosovës, ai  përdorë fjalorë agresiv ndaj udhëheqësve shqiptar në Prishtinë, duke shfaqur hapur animin e tij ndaj Aleksandër Vuçiqit, me të cilin sigurisht se ka biseduar në telefon, dhe i cili, sigurisht se ka kërkuar nga Borelli që ta “frenon” Albin Kurtin, siç kishte kërkuar sot para gazetarëve siamzia e tij, Ana Brnabiç, e cila i kishte bërë thirrje BE-së dhe NATO-s, që ta frenojnë A. Kurtin nga, siç tha ajo, “çmenduria” e tij politike..!?

Se kemi të bëjmë me frustrimin psikik të serbëve në veri dhe kundërshtimin e tyre të ashpër ndaj shtrirjes së sovranitetit të shtetit të Kosovës edhe në atë pjesë integrale të saj, e tregojnë qartë sulmet dhe rebelimi i armatosur i grupeve radikale serbe, të cilët hodhën gurë, bomba mollotov, dogjën makina private, fyen dhe lënduan disa policët tanë, etj., me qëllim të vetëm që ta pengojnë aksionin e saj, të frikësuar tej mase se zbatimi i ligjeve të shtetit të Kosovës do t’ia ndërpres rrugën krimit dhe kontrabandës së grupeve kriminale atje, grupe të cilat të papenguara për 20 vite kanë bërë kërdi duke vjedhur, plaçkitur dhe kontrabanduar lloj-lloj mallrash, armësh dhe lëndë narkotike, etj.

Është koha e fundit që serbët e Kosovës ta kuptojnë, se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur në tërë territorin e tij, i pranuar ndërkombëtarisht nga fuqitë më të mëdha botërore, prandaj sa më para që ta pranojnë këtë realitet, aq më shpejt do lirohen nga manipulimi i Beogradit zyrtar me ndjenjat e tyre si dhe nga premtimet boshe të A. Vuçiqit..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat