Rrënimi i diplomacisë shqiptare dhe njohjet e Kosovës - shtet i pavarur!

Opinione

Rrënimi i diplomacisë shqiptare dhe njohjet e Kosovës - shtet i pavarur!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 2 dhjetor 2021 Në ora: 10:40
Foto ilustruese

Në vitin 2012 Republikën e Kosovës e njohën 12 shtete të botës. Në vitin 2013 tetë të tjera. Ndërsa në vitin 2014 e njohën vetëm katër shtete, më 2015 tri e në vitin 2016 e 2017 vetëm dy shtete në secilin vit. Kurse në vitin 2018 vetëm një shtet. Më pas, më 1 shkurt të vitit 2021, shteti i Izraelit e njohu Kosovën e pavarur e sovrane, falë marrëveshjes së nënshkruar në Uashington më 4 shtator 2020 dhe gatishmërisë që ambasada e saj të hapej në Jerusalem.

Nëse në dy vitet e fundit të qeverisjes së Partisë Demokratike Kosova u njoh nga 20 shtete, në gati nëntë vitet e qeverisjes së Edi Ramës atë e njohën 11 shtete. Në tri vitet e fundit Kosova nuk pati asnjë njohje veç asaj të Izraelit. Prej këtyre 11 shteteve, më shumë se gjysma prej tyre kanë ardhur si njohje nga rivaliteti midis Behgjet Pacollit e Enver Hoxhajt. Pacolli, për ta sfiduar zotin Hoxhaj, shkoi në disa republika bananesh në Afrikë dhe solli ndonjë njohje të blera me mashtrime. Por këto njohje mashtruese të Pacollit u paguan me më shumë para nga Ivica Daçiq, me qëllim që të zhbëheshin e të ktheheshin në atë që presidenti i Serbisë e quan ç’njohje!

Pse Kosova erdhi në këtë situatë? Sepse diplomacia shqiptare e Tiranës zyrtare në vitin 2014 ndërroi kursin e saj. Nga një diplomaci aktive për të reklamuar dhe kërkuar njohjen e Kosovës nga shtete të ndryshme në botë, ajo u shndërrua në një diplomaci e lobimit të politikave të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq për ndarjen e Kosovës ose për krijimin e Jugosllavisë së Re, sipas projekteve të Beogradit. Kosova erdhi deri në këtë situatë, sepse pas takimeve të para të kryeministrit të Shqipërisë me presidentin e Serbisë dhe vizitave të Ramës në Beograd, Nish, Novi Sad e qytete të tjera të Serbisë, filloi një erë e re në marrëdhëniet midis Tiranës zyrtare dhe Beogradit. Kjo erë e re u shndërrua në një kohë e përçarjes së politikës shqiptare të tërësi e sidomos të asaj në Kosovë.

Roli i Edi Ramës dhe Hashim Thaçit për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve me Serbinë ishte me ndikim negativ në aplikimin e diplomacisë aktive për shtimin e njohjeve të Kosovës dhe pranimin e saj në organizata ndërkombëtare. Këta të dy i kontribuuan politikave anti-Kosovë të Beogradit dhe i dhanë presidentit të Serbisë lëndën e parë që ai të propagandojë në botë se "Kosova nuk do të ekzistojë si shtet"! Ky argument i Beogradit dhe diplomacisë së tij bazohej në pajtimin e Ramës dhe Thaçit për ndarjen e Kosovës dhe bashkimin e pjesës që mbetej me Shqipërinë.

Në Beograd u formulua arsyetimi me të cilin u joshën shtetet që nuk e kishin njohur Kosovën kësisoj: "Pse duhet që ju ta njihni një shtet të papranuar në OKB, i cili do të ndahet dhe pas ndarjes do të bashkohet me një shtet tjetër, Shqipërinë"?! Pra, pse duhej njohur një shtet që nesër do fshihej nga harta politike?! Dhe vërtet, a kishte logjikë që një vend, e sidomos vendet serioze, të njihnin Kosovën shtet sovran e të pavarur në një kohë që kreu i këtij shteti dhe kreu i ekzekutivit të Shqipërisë propagandonin ngado që shkonin për ndarjen e tij midis Shqipërisë dhe Serbisë?! Sigurisht që jo.

Ndaj dhe diplomacia shqiptare kudo në botë u step, u ndal së vepruari për shtimin e njohjeve. Ajo mori direktiva, sipas të cilave duhej të punonte për qëllimet dhe idetë serbe të kryeministrit të Shqipërisë, për ndarjen ose së paku për krijimin e Jugosllavisë së Re, nën emrin e Open Balkan. Po ashtu diplomacia në Kosovë bëri të njëjtën gjë. Ndaloi së vepruari në funksion të njohjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Shefi i shtetit, Hashim Thaçi, kishte ndërmarrë aksionin diplomatik të ndarjes së vendit e për pasojë asnjë diplomat i Kosovës nuk motivohej më për të punuar për njohje të reja. Përkundrazi, disa prej tyre, si Vlora Çitaku në SHBA dhe ambasadori i Kosovës në Francë u angazhuan fuqishëm në lobimin për ndarjen e saj.

Diplomatët e Shqipërisë në kryeqytetet e shteteve të ndryshme jo vetëm nuk kishin ndonjë trysni për të shtuar veprimtarinë e tyre diplomatike në drejtim të Kosovës, por ata u ndjenë të tradhtuar në kontributet e mëparshme. Diplomatët dhe ambasadorët që kishin punuar shumë në këtë drejtim filluan t'i identifikojnë me kundërshtarët politikë e t'i quanin "berishistë", ndërkohë që ata më pak aktivët morën kredite e pozicione të reja në diplomaci. Gjithçka u projektua në kuadër të demotivimit të diplomacisë shqiptare në këtë drejtim. Nga ana tjetër, diplomatët e Shqipërisë, të cilët ishin në kontakt të vazhdueshëm me ata të Kosovës, panë te kolegët e tyre kosovarë indiferencën e tyre për t'u marrë me njohjet.

Ishin ndryshimet politike të vitit 2013 ato që sollën edhe tërheqjen e diplomacisë shqiptare në adresë të njohjeve dhe fuqizimit të shtetit të Kosovës. Ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai që përqendroi të gjithë fuqinë diplomatike e politike në duart e tij, me qëllim që të rrënonte në marrëveshje me kreun e shtetit serb, Vuçiq, shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ishte presidenti i Kosovës, Thaçi, ai që e detyroi diplomacinë e vendit të tij t'i bashkohej lobeve serbe e ruse për ndarjen e Kosovës. Ndërsa sot vazhdon loja diplomatike e politike e krijimit të Jugosllavisë së Re, me të cilën përsëri njohjet dalin të panevojshme. Sepse shteteve u thuhet që "Mbas krijimit të Jugosllavisë së Re Kosova do të jetë pjesë e kësaj federate dhe si e tillë nuk do të ekzistojë si shtet i pavarur"!

Për ta bërë shtetin e Kosovës, për ta njohur atë, për ta integruar Kosovën në të gjitha institucionet ndërkombëtare, nuk është e mjaftueshme të vazhdojë vetëm dialogu me Serbinë. Ashtu si në Kosovë edhe në Shqipëri duhet ndryshimi politik. Sa më shpejt të ndodhë ky ndryshim, aq më mirë do të jetë për interesat tona kombëtare!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat