Marrëveshjet e djeshme skllavëruese me jugosllavinë dhe “Open Ballkani” i sotëm. Ngjashmëritë!

Opinione

Marrëveshjet e djeshme skllavëruese me jugosllavinë dhe “Open Ballkani” i sotëm. Ngjashmëritë!

Nga: Prof. Dr. Elmas Leci Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 11:10
Prof. Dr. Elmas Leci

Tek lexon dokumentet historike mbi marrveshjet e dikurshme të qeverisë shqiptare me Beogradin, nuk ke si të mos thuash se ato janë njëlloj si me “Open Ballkanin” e sotëm. Megjithatë për të gjykuar le t’ia lemë fjalën dokumentave dhe me pas gjykimin opinionit. Paraprakisht le të bëjmë dy pyetje: 1. A është Aleksandër Vuçiç i sotëm një Josif Broz Tito i dikurshëm?! 2. Dhe, a ka sot një që ta menderosë “Open Ballkanin”siç bëri dikur për interesat e tij “mustaqja” (Josif Stalini)për bashkimin me Jugosllavinë apo edhe Federatën Ballkanike?! Përgjigjet e këtyre dy pyetjeve do të dalin në vijim të shtjellimit të temës. Për ata që e kanë harruar historinë, po ua rikujtojmë:

Dikur Marrëveshjet që u propaganduan si “shpëtimtare” për Shqipërinë, e vunë ekonominë shqiptare nën Jugosllavinë.

Vitet e para pas Çlirimit apo periudha e “dashurisë së zjarrtë me jugosllavët”, që rrok vitet 1945-1948, është periudha që Enver Hoxha bëhet një tregëtar i sovranitetit të Shqipërisë për pushtetin e tij personal. Me miratimin e Enver Hoxhës, Tito ndërhyri në të gjitha anët e skutat e Shqipërisë. Më konkretisht, kjo ndërhyrje u bë me nënshkrimin e Traktatit të Përbashkët Ekonomik Shqipëri-Jugosllavi, ku edhe “de fakto” edhe “de jure” regjimi jugosllav depërtoi në të gjitha poret e shoqërisë shqiptare. Ky “bashkëpunim” në të gjitha drejtimet përbënte suprimimin e kufijve, heqjen e doganave apo shkëmbimin e mallrave me pabarazi. Dhe pikërisht ky bashkëpunim ogurzi edhe ekonomik nisi që më 20 shkurt 1945 me nënshkrimin e Traktatit të parë “të sigurisë” nga ish zëvendëskryeministri Myslym Peza. Në të njëjtën kohë u nënshkrua nga Nako Spiru edhe një dokument tjetër famëkeq, Akordi për Bashkëpunimin Ekonomik. Mbi këtë bazë pabarazie me Jugosllavinë u krijuan shoqëritë e përbashkëta si për Fabrikimin e Naftës, për Lundrimin Detar, për Bankën e Përbashkët etj.,etj. Dhe pas Akordit të Parë, “erdhi” edhe Akordi i dytë, ai për kredinë, sipas të cilit pasuritë e mëdha të nëntokës shqiptare, viheshin plotësisht në dispozicion të Jugosllavisë. Këto u propoganduan atëhere me të madhe si shpëtimtare për Shqipërinë. Mirpo kur

u bë bilanci i shkëmbimit tregtar të pas një viti, “specialistët” jugosllavë nxorën debi Shqipërinë, pra borxh ndaj Jugosllavisë me 1 milion e 794 mijë dinarë. Sipas marrëveshjes së shtatorit të vitit 1946, këtë bilanc të debisë, Shqipëria do t’ia plotësonte Jugosllavisë me mallra. Kjo masë dënuese çoi në boshatisjen e tregut shqiptar, ku çdo gjë e lëvizshme mall, u ngarkua në makina e vaporë jugosllavë dhe u nisën për në Jugosllavi, dukeu a marrë të gjitha shqiptarëve, të gjitha prodhimet e mallrat e tyre mallra që regjimi i Enver Hoxhës u a kishte grabitur tregtarëve dhe iu “dhuruan” Titos. Dhe “në vend të mallrave, jugosllavët na çuan karfica e piskatore” dhe ky është i vetmi sinqeritet që tregon Enver Hoxha të vërtetë në kujtimet e tij, kur thekson se çdo gjë nga pasuritë e shqiptarëve u përvetësuan nga jugosllavët. Veçse Enver Hoxha nuk na thotë përgjegjësinë e tij dhe këtë kur “vjen koha” ua faturon të tjerëve. Mirëpo dokumentet janë kokëfortë dhe ato “bërtasin” se asgjë nuk është bërë pa dijeninë dhe pa vendimin e Enver Hoxhës. Që të gjitha ishin rezultatet i shumë marrëveshjeve që vetë Enver Hoxha i kishte miratuar madje edhe nënshkruar me jugosllavët. Me vizitën në Beograd korrik 1946, Enver Hoxha nënshkroi Traktati për “Miqësinë, Bashkëpunimin dhe Ndihmën Reciproke”. Po në atë vit, u nënshkrua edhe Traktati për “Për Shkëmbimin e Mallrave dhe Pagesave” dhe më tej ai për “Bashkëpunim në Fushën e Kulturës dhe të Arsimit”etj., në total, gjatë vitit 1946 u lidhën 21 Marrëveshje me Jugosllavinë, ndërsa në vitin pasardhës 1947 u pasua nga marrëveshje të tjera. Dhe të tilla marrëveshje për doganat, mallrat e monedhën që u nënshkruan me Beogradin, nuk ishin pak por plot 33 marrëveshje, të cilat rezultuan nënshtruese e rrënuese për ekonominë shqiptare. Në fakt ishin më shumë se kaq, ishin marrëveshje skllavëruese. Për t’i kuptuar, duhen parë planet dhe buxhetet, monedha dhe çmimet, doganat e unifikimi i ushtrisë, deri te bashkimi shtetëror i Shqipërisë londineze me Federatën jugosllave.

Le të hidhemi pak më në retrospektivë. Me ngjitjen e Enver Hoxhës në krye të partisë, dy emisarët e Titos në Shqipëri Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, pasi e realizuan misionin, ia lanë radhën të tjerëve dhe erdhën Tempo, Stojniçi, Disdareviçi etj. Ishte periudha e pragçlirimit apo apo praguzurpimit komunist dhe Enver Hoxhës i duhej manifestimi i bindjes dhe i besnikërisë ndaj Titos e Jugosllavisë. Këto, Enver Hoxha i tregonte në sytë e të deleguarve jugosllavë me tepri, si në Berat e në Përmet dhe në vijim pas hyrjes “triumfale” në Tiranë, që shkuan deri në gjunjëzim përpara jugosllavëve. Jugosllavët me pasuritë e vendit tonë e administratën shqiptare bënë çfarë u deshi qejfi. Asnjë vendim nuk merrte Enver Hoxha pa mendimin e vendimin e emisarëve të Titos, apo pa marrë pëlqimin e vendimin e Beogradit. Përpiqet mjerisht pas prishjes me jugosllavët se ai qe “i mënjanuar nga partia e pushteti por funksionet dhe firmat e tij në vendimet si Kryeministër, si Ministër i Jashtëm, si Ministër i Mbrojtjes, si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë,tregojnë se ai ishte pro jugosllavi më i madh në udhëheqjen shqiptare të asaj kohe sepse ai kishte futur plotësisht në dorë çdo post e funksion shtetëror e partiak dhe manipuloi sa deshi e si i deshi qejfi, duke jua dhënë sovranitetin e Shqipërisë jugosllavëve për pushtetin e tij.

Se ç’far bënë Marrveshjet me Beogradin dhe përse ishin rrënim i ekonomisë shqiptare, mjafton të shohim thelbësoren që ekonomitë ishin në kushte të pa barabarta. Ku ekonomia jugosllave, e cila prodhonte aeroplanë që para Luftës së Dytë Botërore dhe ku ekonomia shqiptare, që bazë kishte parmendën në bujqësi!!!

Në tërësinë e tyre, studimi i Marrveshjeve jugosllavo-shqiptare që patjetër ishin prelud i të ardhmes së mirë të bashkuar, tregon apo shpreh tendencën e qartë të politikës jugosllave për të gllabëruar gradualisht ekonominë e dobët të Shtetit shqiptar e për ta bërë atë ingranazh të ekonomisë së Jugosllavisë. Kështu, unifikimi i plotë i doganave, liberalizimi i plotë i tregëtisë, këmbyeshmëria e monedhave, ndërmarrjet e përbashkëta siç ishin kompania për shfrytëzimin e naftës, kompania për shfrytëzimin e pasurive minerare etj., bënë të mundur që deri në vitin 1948, Jugosllavia të shfrytëzonte rezervat pasurore naftëmbajtëse dhe minerare të vendit tonë me mënyra të pamëshirshme dhe vetëm ajo të përfitonte nga hapja e tregut monetar, doganor dhe tregëtar. Ndaj siç e vrente me të drejtë studiuesi amerikan i pas Luftës së Dytë Botërore Byrnes, ku ai konkludonte se “për të gjitha arsyet praktike, ekonomia Shqiptare e dobësuar dhe e shfrytëzuar keqas u bë pjesë dhe parcelë e ekomomisë jugosllave”.

Filloi me Marrveshje për ekonominë e doganat, por arriti te Letra e Enver Hoxhës që kërkonte bashkimin me Jugosllavinë.

Milovan Gjilas, ish udhëheqës komunist jugosllav, në kujtimet e tij ka shkruar se “kur e mori vesh Titua vrasjen apo vetvrasjen e Nako Spiros, u bë shumë i nevrikosur dhe filloi të nxitonte për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Në rrethe të ngushta ai shprehte frikën e tij kur thoshte se rusët mund t’i a rrëmbenin Shqipërinë. Në dhjetor (1947) të dërguarit jugosllavë në Shqipëri, vendosën krijimin e një Komisioni të përbashkët shqiptaro-jugosllav, që do të përgadiste integrimin e plotë të dy ekonomive. Një strukturë e ngjashme u planifikua për të drejtuar bashkimin...”. Në vijim të çështjes së Bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë është edhe letra, që Enver Hoxha i shkruan dhe i dërgon Josif Broz Titos në 16 marsin e vitit 1948. Me të Enver Hoxha i kërkon Titos, Bashkimin me Jugosllavinë . “... ne kemi nevojë të na thuhet nga ju -i shkruan Enver Hoxha Josif Broz Titos, - se ka ardhur momenti kur neve duhet të marrim në shqyrtim çështjen e Bashkimit...”. Kjo është Letra sekrete që e sanksionon se çfar ishte Traktati i Miqësisë e i Bashkëpunimit mes Jugosllavinë. Pra kemi dy akte, një legal, Traktatin e Miqësisë dhe një ilegal Letrën e mësipërme, e cila përshkruan hollësisht qëllimin, që ishte ai i Bashkimit me Jugosllavinë. Letra e Enver Hoxhës zbulon ashiqare planin për ta kthyer Shqipërinë në Republikë të shtatë të Jugosllavisë, akt që nuk është as më shumë as më pak, por një akt tradhtie i lartë i Enver Hoxhës.

Aktin dhe aktet që përmendëm në atë kohë, i ka analizuar dhe diplomacia europiane, e cila në përgjithësi ka denoncuar synimin e Jugosllavisë për gllabërimin e Shqipërisë. P.sh.. gazeta turke “Vakti” shkroi më 5 qershor të vitit 1946 se “Jugosllavia ndaj Shqipërisë po ndiqte politikën e Musolinit, i cili kërkonte të zotëronte Detin Adriatik e kështu gjithë Detin Mesdhe”. Disa gazeta italiane fill pas nënshkrimit të Traktatit, në faqet e tyre botuan tituj të tillë se “Jugosllavia ka kapërdirë Shqipërinë”, “Titoja do të dominojë në Ballkan”, “Shqipëria është zhdukur si shtet kombëtar”, “Shqipëria në gjirin e Federatës Jugosllave” etj. Nga ana tjetër politika jugosllave psh Milovan Gjilasi, anëtari i lartë i udhëheqjes jugosllave, në librin e tij “Lico totalitarizma” thotë se “marrdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë, sipas këtyre Marrveshjeve po zhvillohen në të gjitha fushat... Të dyja qeveritë, në parim ishin të mendimit se Shqipëria duhej të bashkohej me Jugosllavinë”. Dhe sapo u firmos Marrëveshja, jugosllavët menjëherë nisën ushtrimin e presionit për zbatimin e shpejtë të saj. I dorëzuar ndaj presionit, Enver Hoxha për t’i konfirmuar Beogradit besnikërinë e tij edhe ndaj Marrëveshjeve, ndërmori nëpër Shqipëri një tur vizitash, ku i “shpjegonte popullit dashurinë e madhe” ndaj Jugosllavisë “zemërmirë”. Me lavde për Titon dhe Jugosllavinë ai i fillonte dhe i mbaronte fjalimet me “Rroftë Mareshali Tito, miku i dashur i popullit shqiptar” dhe “Rroftë aleatja dhe mikja jonë e shtrenjtë Jugosllavia e re!”. Ndërsa në takimin e Kuçovës, Enver Hoxha shkoi edhe më tej, e u betua se Aleancën me Jugosllavinë “do ta mbrojmë... deri në vdekje”. Madje në një mbledhje të Byrosë Politike, ai shkon thellë e më thellë në “dëshirën” e tij projugosllave sa arrin shpall që “kryetar i partisë së tij nuk ishte ai, por Tito”.Dhe në vijim Enver Hoxha do tu thoshte komunistëve shqiptarë se “ne jemi parti, si partitë e republikave të tjera (të Jugosllavisë) me sekretarët e saj, me vijën e njëjtë me të tjerat”.

Në pranverë të vitit 1948 ngjarjet ndryshuan. U përmbys situata paqësore e Moskës ndaj Beogradit, rezultat i vendimit të Informbyrosë por Tito shpresojë te “betimet e Enver Hoxhës pro tij” dhe i kërkoi direkt Shefit të Shtatmadhorisë shqiptare që të largonte këshilltarët ushtarakë sovjetikë. Dihet se më parë, Tito i kishte kërkuar Stalinit përfshirjen e Shqipërisë në Federatën Jugosllave dhe Stalini e kishte pranuar, siç kishte sugjeruar edhe më heret “gëlltitjen” e Shqipërisë nga Jugosllavia.

Ka ngjashmëri të madhe mes idesë për “Federatën e dikurshme jugosllave” me nismën e ditëve tona “Open Ballkan”!

Ka që thonë: Po ç'lidhje ka në këtë mes, në mes të idesë e planeve për “Federatën jugosllave” dhe nismës së tanishme “Open ballkan”?! Ka, që çke me të! Të dyja dhe pse në kohë të ndryshme, në një vëzhgim sipërfaqësor në përmbajtje janë njësoj. “Federate Ballkanike-Open Ballkan”! Edhe e para flet për Ballkan të hapur mes vet veti, edhe e dyta flet po për Ballkan të hapur mes vet veti.Lëvizje e lirë pa dogana atëhere, lëvizje e lirë pa dogana edhe tani. “Federata jugosllave” i kundërvihej edhe Lindjes, “Open Ballkan” i bën sot karshillëk Perendimit. Hiç gjë, po Habili! Në kohë, nismat apo lëvizjet, po, janë në kohë të ndryshme. E para, që nuk u bë e nuk u realizua, i shërbente fuqizimit të klanit serbomadh. Dhe e dyta “Open Ballkan” që t’ia shohim fatin do t’i bëjë shërbim në kushte të tjera gjeopolitike po klanit serbomadh, në vend që ai të izolohet deri sa të demokratizohet. “Open Ballkan” është një peshë e madhe ose një gur i rëndë ky për “sizifin tone”, që po ja shtojnë yxhymin vetëm me duartrokitje siç ndodhi në Parlamentin serb. Në analizë, distancë e madhe dhe gjeopolitikë e ndryshme nga “Fedareata jugosllave apo Ballkanike” te “Open Ballkan”!

“Open Ballkan” do të thotë, as më pak dhe as më shumë, veprime të mbyllura në kuadër rajonal. Po përballë kujt kjo mbyllje?! Nuk ka tjetër, përballë BE-së. Kështu siç është projektuar është e pa konceptueshme! Nuk shkon! Nuk i shërben çështjes së Shengenit! Ç’far do me thënë Minishengen?! E ka një përgjigje: Që me ne serbët në udhëheqje, me lëvizje të lirë mes vet vetit, ne ballkanasit që vijmë vërdallë, kujt populli apo shteti t’ja fusim sepse dihet se ekonomia serbe ka potenciale më të mëdha, pra forcojmë ekomominë serbe dhe kaq. Kjo është e gjitha. Këtë, në kohë të tjera e kemi provuar “mirë” ne shqiptarët, por edhe popujt e tjerë në ish Jugosllavinë komuniste.Tani kështu nuk mund të shkohet në Europë ku jemi nisur që nga ’90-ta e nuk po sosemi dot. Kushdo, edhe më miopi politik e di se proceset e sotme integruese i udhëheq BE-ja, jo Serbia, jo Beogradi me paterica Ramën, Zaev e ndonjë tjetër që ka filluar të nxjerrë veshët.

Po “Nisma e Berlinit” është e BE-së. Kjo po, sepse ka diapazon e opsion të gjërë, është e BE-së. Ç’do të thotë karshillëku ndaj BE-së, ç’do të shprehë ngutja me “Open Ballkan”?!Asgjë ose me saktë vetëm një gjë: Mbylljen në guackën tënde(në rastin konkret në atë serbe) me kufij ndaj BE-së. Dhe për ballkanasit jugperendimorë, bashkim në një “federatë” të re pak a shumë si ajo alla jugosllave e dikurshme. Kjo është ngjashmëria e Federatës jugosllave (të vjetër) me federatëln jugosllave (të re) “Open Ballkan”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat