Kur Enver Hoxha i quante kosovarët minoritarë (d.m.th popull pa atdhe). Ja dokumenti

Opinione

Kur Enver Hoxha i quante kosovarët minoritarë (d.m.th popull pa atdhe). Ja dokumenti

Nga: Prof. Dr. Elmas Leci Më: 5 janar 2022 Në ora: 09:36
Prof. Dr. Elmas Leci

“Kosovarët- i shkruante Enver Hoxha-Stalinit, në një letër që mban datën 2 shtator 1949, janë- një minoritet shqiptar që jeton ngjitur kufirit të Republikës Popullore të Shqipërisë. Kongresi i Berlinit dhe Traktati i Vestfalisë, kanë shkelur padrejtësisht interesat e Shqipërisë dhe të minoritetit shqiptar në Kosovë”.

Kështu vijon letra “sekrete” që mban firmën e Enver Hoxhës, drejtuar Stalinit.

Të flasësh e ti quash kosovarët minoritarë, siç bën Enver Hoxha në letrën drejtuar Stalinit, është jo vetë miopi politike, por niveli më i ulët kulturor. Në fakt kjo tregon as më pak e as më shumë por mohim të autoktonë kosovare. E vërteta historike është se më gjërë dhe më thellë në histori, këto troje quheshin Iliri dhe banorët ilirë, ndërsa në konceptin rajonal ajo quhej Dardani dhe dardanët janë fis shqiptar, janë kosovarët e sotëm, pra shqiptarë në trojet e tyre.

Autoktoninë e kosovarëve në trojet tona etnike, në trojet tona ilirike, padiskutim që e ka zgjidhur historia. Këtu dhe për këtë nuk ka asnë dilemë. Vetëm teza serbe flet për minoritet kosovar kur serbët ishin pushtues dhe ende vijojnë tu bien daulleve të grisura se “kosovarët janë minoritarë”. Kjo është një tezë e herëshme e kishës sebe dhe e bindjeve serbosllave por çudia është se atë tezë e bën të tijën edhe Enver Hoxha, ku Enver Hoxha në një Letër drejtuar Stalinit, Kosovarët i quan minoritarë. Çudi e madhe!

Në vitin 1949 Enver Hoxha (që kërkonte të largonte vemendjen nga makrabitetet që i kishte bërë kosovarëve së bashku me jugosllavët) i shkruan Stalinit letrën (që cituam), e cila është e gjatë dhe e gjërë, madje është “ankuese” (siç e ka cilësuar ai ) padyshim “sekrete”, që duke e lexuar e studiuar del që më shumë se gjithçka është një letër denigruese për Kosovën. Në fakt kjo letër nuk është shkruar në gjuhën shqipe (është italisht) dhe kjo le vend për dyshime por që në fund ka në të njomë firmën e Enver Hoxhës dhe është gjendur vitet e fundit në Arkivin e Federatës Ruse dhe mban datën 2 shtator 1949. Përsëri për “çudi” nuk gjendet kopje e saj as në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar. Nga pjesët që do të citojmë në vijim, deduksionet pothuajse do të dalin vetë, megjithatë duhet theksuar që në fillim se ato që shkruan Enver Hoxha për Kosovën, janë evidentim i koncepteve denigruese që kishte me kohë Enver Hoxha për popullin kosovar e tokën Kosovë.

“Shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Republikën Jugosllave,- shkruan Enver Hoxha në letrën për Stalinin-përbëjnë një minoritet të konsiderueshëm”. Pra që në fillim Enver Hoxha i ve çështjes së Kosovës një pikpyetje të madhe mbi të kaluarën e saj historike. I quan kosovarët minoritarë. Kjo është për të vënë duart në kokë. Nuk di (ose me qëllim-kjo është e sakta))as se ç’popullsi janë kosovarët! Janë autoktonë në trojet e tyre apo minoritarë?! Ai i quan minoritarë! “Në Kosovë, -i shkruan Enver Hoxha-Stalinit “sipas statistikave të vjetra të paraluftës, figurojnë afro 700.000 shqiptarë”. Këto që jep Enver Hoxha në fakt janë statistika të falsifikuara nga regjimet e kralëve të Serbisë, me qëllim që të provonin se kjo popullsi shqiptare, që Enver Hoxha e quan minoritet, të ishte sa më e vogël. Letra e Enver Hoxhës vijon se: “Kosova (gjatë Luftës) u bë një rezervë e fashizmit dhe e reaksionit. Lufta Nacionalçlirimtare atje nuk u zhvillua. Kjo nga njëra anë. Nga ana tjetër, ne mendojmë se Partia Komuniste Jugosllave që në atë kohë, në vitet 1941-1942 e vazhdimisht, ka pasur një vijë politike të gabuar për sa i përket çështjes nacionaliste e maskuar që në atë kohë. Partia Komuniste Jugosllave duhej t’i kishte vënë një rëndësi të veçantë gjatë luftës, çështjes së Kosovës dhe Metohisë, pse ishte një minoritet i konsiderueshëm dhe ngjitur kufirit shqiptar. Ishte një problem i rëndësishëm, që i duhej gjetur një zgjidhje e drejtë marksiste-leniniste-staliniane, në mënyrë që populli shqiptar i Kosovës të mos bëhej rezervë e reaksionit. Qysh në kohën e Luftës, Partia Komuniste jugosllave duhej t’u çelte perspektiva të drejta shqiptarëve të Kosovës, perspektiva që do t’i mobilizonin këta në luftë kundër fashizmit. Çështja kryesore qëndronte që shqiptarët e Kosovës duhej të ishin të sigurt që duke luftuar fashizmin përkrah popujve të Jugosllavisë, do të ishin të lirë të vetëvendosnin për bashkimin me Shqipërinë ose për Bashkimin socialist me Jugosllavinë, ose për të qëndruar autonomë. Këto dy variantet e fundit ne mendojmë se do të ekskludoheshin sepse shqiptarët e Kosovës nuk do të luftonin dhe nuk do të vetëvendosnin përveçse për variantin e parë. Këtë sigurisht e ka pasur të qartë Partia Komuniste Jugosllave, por kjo gjë nuk u leverdiste dhe prandaj ajo ka qenë e errët në deklaratat e saj principiale. Kjo bëri që populli i Kosovës nuk u mobilizua në luftë,...”.

“Pikëpamjet tona -i shprehet Enver Hoxha-Stalinit,-kanë qenë se nuk mund ta ngrinim çështjen e Kosovës për bashkimin e saj me Shqipërinë gjatë kohës së luftës, por shqiptarët e Kosovës duhej të luftonin kundër fashizmit në kuadrin e Jugosllavisë dhe mbas fitores kjo çështje do të zgjidhej nga të dyja partitë komuniste motra dhe nga regjimet demokratike popullore që do të vendoseshin në Shqipëri dhe në Jugosllavi. Për mobilizimin më të mirë të shqiptarëve të Kosovës në këtë platformë, ne i kemi shfaqur mendimin Vukmanoviç Tempos (atëherë përfaqësues i KQ të PKJ për mobilizimin e luftës në Maqedoni) se duhej të mendohej nga ana e tyre çështja e pjesëmarrjes në numër të madh të elementeve shqiptarë në pushtet, çështja e flamurit, si edhe bashkëpunimi shumë i ngushtë i çetave shqiptare të Kosovës në Luftën Nacionalçlirimtare të vendit tonë, duke qenë këto çeta kosovare kurdoherë të lidhura dhe të drejtuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇl Jugosllave”.

Në vijim Enver Hoxha me demagogjinë më të madhe përpiqet të justifikojë veprimtarinë antiatdhetare të njësive partizane që dërgoi në Kosovë, të cilat shtypën çdo përpjekje të popullit kosovar për liri. Ja si shprehet Enveri në Letër: “Vajtja e Ushtrisë Shqiptare në Kosovë i qetësoi punët, i ftohu gjakrat, krijoi besimin te shqiptarët e Kosovës se çështjet do të rregulloheshin dhe u krijua bindja se ushtria jonë do t’i mbronte kosovarët sikundër që i mbrojti. Repartet tona penguan persekutimet e shqiptarëve të Kosovës nga ana e jugosllavëve”. E vërteta është se krejt e kundërta ndodhi mes kosovarëve dhe partizanëve të Enver Hoxhës në ato ditë që Divizioni i V dhe VI ndodheshin atje.

“Ne kemi menduar, -shprehet Enver Hoxha- se çështjen e Kosovës nuk mundej ta vinim në diskutim gjatë Luftës NÇL dhe se vija e Partisë sonë, sikundër që e përcaktuam më lart, ishte e drejtë. Jugosllavia në Luftën NAÇL ishte aleatja e popullit tonë dhe nuk mundej të binim në pozitat e reaksionit shqiptar. Partia jonë ka mbajtur qëndrim për Kosovën dhe ka dalë me sukses kundër demagogjisë fashiste, ka shpallur deklarata të përbashkëta me PKJ e shqiptarëve të Kosovës, ku i thërriste këta në luftë kundër armikut të përbashkët”. Edhe ky është një qëndrim megalloman i Enver Hoxhës dhe i udhëheqjes komuniste shqiptare për Kosovën e kosovarët, që Enver Hoxha përpiqet ta justifikojë edhe me internacionalizmin edhe me “diktatin” e të dërguarve jugosllavë pranë shtabit të tij. Dhe më tej Enver Hoxha thekson se edhe “në pragun e çlirimit të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë përsëri ne kemi menduar se nuk mundej ta shtronim çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, pse ishim përpara detyrave të forcimit e konsolidimit të pushteteve tona demokratike popullore -kështu i justifikohet Stalinit. Ne kemi menduar se te Jugosllavia Demokratike Popullore dhe te Partia Komuniste e Jugosllavisë, kishim një aleate besnike dhe të fortë dhe në interesin e kampit të socializmit dhe veçanërisht në interesin e Shqipërisë, prandaj duhej të evitonim situata të vështira që mund të krijoheshin në Jugosllavi meqenëse edhe atje ishte duke u mëkëmbur e duke u forcuar regjimi demokratik popullor... nënshkrimi i Traktatit (të miqësisë E.L) në mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, ishte një konsolidim i shëndoshë i pozitave ndërkombëtare të Shqipërisë -shprehet pa pikë turpi Enver Hoxha, -dhe e mbronte këtë nga kërcënimet eventuale të imperializmit”.

“Çfarë do të bëjë populli i Kosovës tani (pas çlirimit dhe pas tradhëtisë së Titos)?... ne mendojmë se populli shqiptar i Kosovës, Metohisë (Enver Hoxha njëlloj si jugosllavët përmend toponimin Metohi, koncept kishtar dhe politik serb që nuk ka asgjë të përbashkët me Kosovën apo ngjitur saj E.L) dhe Malit të Zi duhet të luftojë që të çlirohet ashtu siç do të bëjnë edhe popujt e tjerë të Jugosllavisë... Populli i Kosovës duhet ta konsiderojë luftën e tij të lidhur ngushtë me luftën e gjithë popujve të Jugosllavisë në kuadrin jugosllav, se ndryshe izolohet dhe shtypet. Duhet që populli shqiptar i Kosovës të kuptojë se çlirimi i tij dhe fitimi i të drejtave demokratike dhe nacionale, munden të arrihen me bashkimin e luftës së tij me luftën e popujve të tjerë të Jugosllavisë.... Në luftë të krijohet, të organizohet dhe të forcohet pjesa e partisë Komuniste Internacionaliste për Kosovë e Metohi, brenda kuadrit të Partisë Komuniste Internacionaliste Jugosllave...Përmbi çdo gjë te shqiptarët e Kosovës e të Metohisë duhet të krijohet me baza të shëndosha besimi dhe dashuria e pakufishme për BRSS, për Partinë Bolshevike, për Stalinin dhe kosovarët ta kuptojnë mirë se pa këta nuk ka Shqipëri të lirë, as Jugosllavi të lirë, as Kosovë të lirë dhe as që mundet të përmbushen kurrë aspiratat e tyre”.

“Në rast se populli shqiptar i Kosovës -shkruhet në Letër, -nuk i ka të qarta këto drejtime, ai nuk mundet të luftojë pse ka humbur çdo besim në një udhëheqje të tillë jugosllave. Ne mendojmë se në qëndrime zyrtare Shqipëria duhet të jetë e rezervuar për sa i përket çështjes së Kosovës e Metohisë pse kjo përdoret nga klika si një armë për të mobilizuar edhe më shumë shovinistët serbomëdhenj dhe do ta akuzojë Shqipërinë si shoviniste etj...”.

“Çështja që ne parashtrojmë për Kosovën e Metohinë -e përfundon letrën e tij (italisht!) Enver Hoxha (italisht ai nuk ka ditur) -bëhet aktuale në lidhje me ndihmën që i jep Partia jonë shokëve jugosllavë anti-Tito dhe popullit të Kosovës e Metohisë, që dëshiron dhe është i gatshëm të luftojë me të gjitha mjetet tradhtarët e Beligradit, por që kosovarët në çdo moment na vënë përpara pyetjen: Si do të zgjidhet problemi nacional i Kosovës e Metohisë. Ne mendojmë se kjo çështje është shumë e rëndësishme. Mundet që edhe të gabojmë në shqyrtimin e saj prandaj ne nuk do të bëjmë ndonjë hap pa këshillimin e shokut Stalin dhe prandaj po i parashtrojmë këto pikëpamje tona dhe në rast se gabojmë, të na vihet përnjëherësh në dukje për t’i korrigjuar”.

Kaq ishte dhe kjo është Letra e stërzgjatë “sekrete” drejtuar Stalinit për Kosovën, kopje siç thamë që nuk gjendet as në ish Arkivin e KQ të PPSH as në AQSH, veçse në italisht një letër e tillë është gjendur në Arkivin e Federatës Ruse. Në fund ajo,(Letra) mbyllet: Për Komitetin Qendror të PPSH, Enver Hoxha. Dhe është firma e tij.

Me demagogjinë më të madhe, me këtë letër për Stalinin, jo pa qëllim “të vonuar e shfajësuese”, Enver Hoxha jo vetëm nuk e ka qëllimin te mbrojtja e çlirimi i Kosovës dhe as i kosovarëve, por shtrembëron edhe faktet historike, që është në thmel të kësaj Letre, ku ai e auan popullin kosovar popull minoritarë, dmth popull pa atdhe. Njëlloj si serbët. Edhe ata popull pa atdhe i kanë cilësuar kosovarët. E vërteta është se vetë Enver Hoxha ishte i sapo dalë nga epiqendëra e “dashurisë” për Titon e Jugosllavinë dhe se ai me dashje, manipulon e shtrembëron faktet dhe ngjarjet historike. Letra është e mbushur me plot të tilla shtrembërime historike, të bëra me qëllim nga Enver Hoxha dhe mbi të gjitha evidentohet ajo, që ai popullin shqiptar të Kosovës e quan jo një herë por disa herë “minoritet” kosovar. Për këtë dhe pasaktësitë e tjera historike që Enver Hoxha evidenton në këtë Letër duhet thënë se:

Së pari, Enver Hoxha përmes kësaj Letre ja prezanton Stalinit shqiptarët e Kosovës si popull pa atdhe, si minoritet, i cili është version i pasaktë. Le ti drejtohemi Enciklopedisë: Në Fjalorin Enciklopedik, minoritet është një pakicë kombëtare e një populli, që jeton në territorin dhe vendin e një kombi tjetër. Kjo për rastin e kosovarëve është e pa pranueshme, e pasaktë e antishkencore sepse shqiptarët e Kosovës jetojnë në trojet e tyre ilire shqiptare. Ndërsa bëma e Enver Hoxhës, duke e quajtur popullin kosovar minoritet, është më shumë seskandaloze, është kriminale! Sipas Enver Hoxhës, del se toka shqiptare e Kosovës, nuk qenka tokë shqiptare dhe shqiptarët atje qenkan të departuar, dmth sipas tij janë shqiptarë por jo në trojet e veta, deklarim i ish të parit të Shqipërisë për një popull të tërë aë banon në trojet e veta mijravjeçare Por sipas Enver Hoxhës në Letrën drejtuar Stalinit “shqiptarët atje janë minoritarë”.

Së dyti, kosovarët gjithnjë sipas tij dhe kësaj Letre prezantuese te Stalini, “nuk kanë luftuar” dhe se “ato, kosovarët kanë përkrahur pushtuesin, fashizmin e nazizmin”. Edhe kjo është skandaloze, por që tërthorazi miraton masakrat që bënë partizanët e tij ndaj popullit etnik kosovar dhe me masakrat e tyre sollën vendosjen e pushtetit ushtarak jugosllav në Kosovë.

Së treti, Enver Hoxha akuzon “shumë me vonesë” jugosllavët, se ato e paskan fajin që nuk e ngritën popullin kosovarë në Luftën Nacional Çlirimtare. Po Partia Komuniste Shqiptare dhe Enver Hoxha, në cilat dokumenta apo platformë e ngritën apo e bënë udhëheqjen e Luftës Antifashiste në Kosovë?!

Së katërti, Enver Hoxha tërthorazi pranon veprimet anti Kosovë ose qtë që kemi thënë “shitjen” e Kosovës nga ai që gjatë Luftës së Dytë Botërore, që më 8 nëntorin e vitit 1941(në themelimin e PKSH), e në vijim, me 16 shtatorin e vitit 1942 (në Konferencën e Pezës), me 3 gushtin e vitit 1943 (në Mbledhjen e Mukjes), apo me 2 janarin e vitit 1944 (në Konferencën e Bujanit), ku, për të gjitha përpiqet të “shfajësohet vetë” se “…nuk mund ta ngrinim çështjen e Kosovës për bashkimin e saj me Shqipërinë gjatë kohës së Luftës…”, se nuk i linte Tito. Por këtë të fundit heziton ta thotë.

Së pesti, Enver Hoxha i akuzon malazezët se dërguan forca për të shtypur popullin e Kosovës dhe anashkalon Divizionet e tij, që masakruan masivisht me muaj të tërë vëllezërit e një gjuhe e të një gjaku-kosovarët, për “hatërin e serbëve” e për sigurimin e pushtetit personal të Titos e të vetvetes.

Së gjashti, fryma dhe cilësimi nga Enver Hoxha se “kosovarët janë minoritet”, përfshin gjithë Letrën e gjatë për Stalinin, gjë që tregon bindjen e plotë të Enver Hoxhës për popullin kosovar dhe nxjerr në pah vlerën e vërtetë të inteligjencës së tij të mangut, injorancën historike dhe kulturore të Enver Hoxhës.

Së shtati, menjëherë sa hap e mbyll sytë, regjimi i Titos sipas kësaj Letre të Enver Hoxhës, u kthye nga “i mirë” për popujt e Jugosllavisë përfshi edhe shqiptarët e Kosovës, në “i keq”, ku në Jugosllavi sipas Enver Hoxhës “mbretëron terrori fashist hitlerian”. Demagogji klasike kjo! Nuk mund të ndodhë kështu, që një ditë më parë të jeshë regjim “bolshevik e popullor” dhe të nesërmen të kthehesh në regjim “fashist e hilerian”! Se nëse pranojmë këtë rokadë alla enveriste, atëherë edhe vetë regjimi i Enver Hoxhës u instalua gradualisht e kaloi në regjim hitlerian (në fakt ashtu ishte). Jo vetëm kaq por kjo “mençuri” e Enver Hoxhës kërkon ta mësojë edhe Stalinin se “çlirimi i popujve të Jugosllavisë nga kjo bandë fashiste (nga banda e Titos) dhe nga kthetrat e imperializmit”, është emergjente”!

Së teti, në “mendësitë” që përpiqet t’i japë Stalinit për çështjen e Kosovës, Enver Hoxha e “këshillon” që “në luftë të krijohet, të organizohet dhe të forcohet pjesa e partisë komuniste internacionaliste për Kosovë e Metohi (Metohi koncepti mesjetar serb dhe koncept politik për të mbrojtur trashigiminë kishtare sebe) brenda kuadrit të partisë komuniste internacionaliste jugosllave”.

Së nënti, Enver Hoxha në këtë Letër, është edhe kontradiktorë me vetveten e tij sa s’ka më pasi ai tjerr gjatë se “lufta e popullit kosovar kundër Titos, duhet bërë në kuadrin e Jugosllavisë”.

Së fundi por jo për nga rëndësia sepse ajo është në epiqendër të të gjithë lëndës Letër ankuese për Stalinin, ku Enver Hoxha thekson tezën që vetëm serbët e mbajnë gjallë se populli kosovar është minoritet. Teza e Enver Hoxhës se populli shqiptarë i Kosovës është minoritar, është teza më reaksinare shoviniste serbe, të cilën Enver Hoxha në Letrën akuese për Stalinin e bën tezë të tijën dominuese. Të diskutosh autoktoninë e kosovarëve në trojet e veta, në trojet tona ilire, është shërbimi më i madh që Enver Hoxha i ka bërë serbosllavizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat