Kur partitë politike përzihen në organizatat e punëtorëve-Sindikatat, këto të fundit degradojnë në rrolin e tyre

Opinione

Kur partitë politike përzihen në organizatat e punëtorëve-Sindikatat, këto të fundit degradojnë në rrolin e tyre

Nga: Hafiz Shala Më: 3 tetor 2022 Në ora: 21:18
Autori Hafiz Shala

Kur partitë politike, interferohen në organizatat e punëtorëve-Sindikatat, këto të fundit degradojnë në rrolin e tyre

Pas anulimit te grevës, po del në shesh se, kur partitë politike involvohen në organizatat e punëtorëve duke i manipuluar për përfitime politike- për vota, sindikatat e pësojnë.

Sa janë fajtore Sindikatat, po aq fajtor janë partitë politike opozitare të cilat në mënyrë perfide u infiltruan brenda për brenda sindikatave duke i inkurajuar se ata e kanë të drejtën e grevës, që është e pa kontestueshme por, për t’i manipuluar ata e për qellim të dobësimit të qeverisë deri të komploti i rrëzimit të sajë, nuk ua shpjeguan edhe atë pjesën tjetër se, për ditët e humbura të punës, qeveria-punëdhënësi, nuk e ka për obligim që t’ua kompenzojë ato.

Shiko, ndryshimet e ligjit për greva të Republikës së Dardanisë, shikojeni Konventat Ndërkombëtare për organizimin sindikal, të drejtat dhe obligimet e palëve gjatë periudhave të qëndrimit në greva.

Qysh me paralajmërimin dhe fillimin e grevës, unë në një shkrim timin me 1 shtator i titulluar: “ Definitivisht grevë politike e jo sociale”, e kam potencuar se, askush në Dardani nuk është i kënaqur me pagat, që sipas kësaj e drejta për grevë iu takon jo vetëm kësaj kategorie, por edhe shumë të tjerave dhe, pastaj e kam potencuar se, askush fatosave nuk ka të drejtë t’ua mohojë gëzimin e parë, ditën e parë shkollore, posaçërisht kur po këtë vit po fillohet mësimi fillestar me një Abetare unike e pritur me dekada, ani pse sipas ekspertëve të arsimit, ndoshta duhen ndryshime, plotësime dhe avancime në aspektin kualitativ.

Simbolikë e një ëndërr të një bashkimi të dy trojeve të ndara më vendime të gabuara por të qëllimshme nga superfuqitë më përcaktime raciste, injoruese dhe bllokuese të një kombi ndër më të vjetrit në Ballkan dhe Evropë sikur atë të kombit shqiptar, që lanë pasoja marramendëse historike të cilat po i vuajmë edhe sot.

Edhe ky moment, partive opozitare të përzëna nga pushteti përmes fuqisë së sovranit, nuk ua zbuti epshet për rimarrje të pushtetit për t’i mbuluar lëshimet kardinale gjatë qeverisjes së tyre, të cilët më këto forma makiaveliste, ata, tani, duke tentuar ta fshehin përgjegjësinë e tyre për atë se i futën në tunelin pa dritë sindikatat përmes udhëheqjes së saj, të korruptuar, të pasuruar paralel me ish qeveritë të PANA-Prontos, të cilët, kërkesave sindikale shpesh iu përgjigjeshin me plotësimin e tyre, duke i shantazhuar, korruptuar, duke i futur në biznese e pasurim të jashtëligjshëm, që i financonin nga buxheti të cilin nuk e kishin.

Pra, shpenzuan paranë të cilën nuk e posedonin duke marr kredi dhe duke paguar kamata të larta.

Siç thuhet sipas ligjeve ekonomike, e kanë hangër vetveten pa mbulesë.

Si njëri ndër themeluesit e këtyre sindikatave në vitin 1990 ku u lëkundën themelet e Serbisë Millosheviqiane me veprime, unë do të thosha puro politike të kamufluara nën ombrellën e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës( Dardanisë), duke organizuar Kongresin e parë të BSPK-së,30 qershor 1 korrik 1990 në Gjakovë nen rrethojat e 250 policeve të armatosur, para mbajtjes së Kuvendit për miratimin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut në rrethana të jashtëzakonshme jashtë ndërtesës së Parlamenti të penguar nga regjimi i pushtues pas suprimimit të Autonomisë së vitit 1974, greva gjenerale me 3 shtator 1990, para mbajtjes së Kuvendit të Kushtetutës së Kaçanikut me 7shtator 1990.

Sipas vlerësimit tim, BSPK-ja, thjeshtë ka ra në prehrin e partive opozitare duke shpresuar në përkrahjen dhe ndihmën e tyre, duke e vërejtur se edhe ata janë në krizë politike duke e humbur çdo sens të opozitarizmit ndaj partisë në pushtet.

Dhe, kur dy “qyqana” bahen bashkë, cili mund të jetë rezultati.

Fatal, në dëm, së pari të nxënësve, të arsimtarëve dhe të prindërve të cilët nuk kishin përgjigjje adekuate për fëmijët e tyre.

Dhe, tani kur qeveria i zbaton ligjet, që është detyrë dhe përgjegjësi e saj kushtetuese, udhëheqja sindikale kapët për aspektin social që sipas tyre, “askush nuk ka të drejtë t’ua ndal pagat”, ani pse nuk kanë punuar.

E vërteta është ndryshe. Pagat, u paguhen atyre që kanë punuar por edhe atyre të cilët kanë qenë në grevë, e drejtë e tyre e pa cenueshme por, sindikatat janë ato të cilat duhet ta marrin përgjegjësinë për pagat e grevistëve nga fondi i anëtarësisë se sindikatave i cili, ashtu siç e dimë nga pagat e punëtorëve dhe shumë e anëtarësisë, as përafërsisht nuk i mbulojnë ato.

BSPK-ja, urgjentisht duhet të analizoj me gjakftohtësi dhe pa nguti se, ku gabuan sindikatat, duke u nisur së pari nga vetvetja, pse iu drejtuan partive politike për përkrahje duke e ditur se ato nuk e kanë pushtetin ekzekutiv dhe, një përkrahje e tyre bash assesi nuk u hynë punë për zgjedhjen e problemeve sociale për të cilat angazhohet sindikata.

Ata, në Parlament mund të iniciojnë, insistojnë, propozojnë zgjidhje por, assesi sikur në fushata elektorale t’u bashkëngjitet sindikatave gjoja për përkrahje “morale” që nuk qon kurrfarë peshe sepse atyre iu duhet përkrahja sociale-materiale.

Sindikatave, nuk iu duhet përkrahja e partive politike por përkrahja e anëtarësisë së sajë, ku përfshihen edhe anëtarët e partive politike në cilësinë e punëtorit dhe prindërit.

Duhet një udhëheqje e re sindikale, e aftë, e pastër nga kontaminimi i çdo dukurie negative nga e kaluara sepse, disa nga udhëheqësit të kësaj sindikate, jo vetëm që kanë bashkëpunuar me ish pushtetet në dëm të tyre për përfitime personale, pasurim të jashtëligjshëm, që në një mënyrë, e shndërruan vetën në vasal të tyre dhe, duke qenë të shantazhuar në ketë mënyrë, ata është deshtë t’i zbatojnë kërkesat e tyre: mbajtjen nën kontrolle të anëtarësisë sindikale për votat të cilat duheshin t’ua siguronin.

Dhe, ja tani ku kemi ardhur me këtë sjellje, duke harruar se, ndryshimet në shoqërinë dardane, janë edhe ndryshimet në veprimtarinë sindikale duke iu përshtatur ndryshimet dhe adaptimet të ligjeve duke luftuar qe sindikatat ta kanë vendin e merituar si organizatë e punëtorëve që ato mos të bien pre e imponimeve nga ideologjitë dhe partitë pjesëmarrëse në Parlament dhe, kur të vendosin për ndonjë veprim sindikal, ai assesi mos të dështojë në dëm të punëtorëve, anëtarësisë e në rastin konkret, të nxënësve të cilët humbën shumë.

Prandaj, Sindikatat, gjithmonë janë në luftë me punëdhënësin dhe gjithnjë duhet të jenë te gatshme dhe të përgatitura që të mos dështojnë.

Sindikatat në perëndim, i gjunjëzojnë punëdhënësit, bile edhe duke i shantazhuar dhe detyruar që t’ua plotësojnë kërkesat sindikale, sepse, humbjet qe ua shkaktojnë përmes grevave, mund të jenë marramendëse.

Shoqëria dardane, më fund, duhet të mundohet që me zbatimin e ligjeve, me luftimin e dukurive negative të cilat në të kaluarën e kanë sjellë vendin në ketë gjendje, sepse, duke tentuar të zbatohen ligjet në fuqi, në shesh po dalin të gjitha ato dukuri në të gjitha aspektet, të drejtësisë, kushtetueshmërisë, prokurorisë e gjyqësisë e instancave tjera shtetërore prandaj, shoqëria dardane, ani pse më vështirësi, megjithatë duhet t’i pranojë këto ndryshime nëse mendohet të krijohet shteti ligjor për të gjithë të barabartë sipas asaj, askush mbi ligjin.

Në SHBA, kjo është e pa luhatshme qe nga Presidenti i vendit e deri të punëtori i rëndomt.

Sindikatat dardane, paralelisht me ndryshimet shoqërore, duhet t’i bëjnë edhe ndryshimet esenciale sindikale duke u shndërruara në një organizatë të fuqishme, të respektuar dhe efektive, gjithnjë duke u mbështetur në Kushtetutën, ligjeve aktuale dhe në fuqinë e vetë sindikale.

Hafiz Shala

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat