Kriteri i vlerësimit të politikës shqiptare është qëndrimi ndaj Serbisë!

Opinione

Kriteri i vlerësimit të politikës shqiptare është qëndrimi ndaj Serbisë!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 28 shkurt 2023 Në ora: 08:01
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Albin Kurti i nisi një letër presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky! Ishte letër me të cilën ai denoncon jo vetëm agresionin rus kundër Ukrainës, por edhe lidhjet e ngushta Rusi-Serbi. Madje kryeministri i Kosovës shkruan se Rusia e Serbia duan që konfliktin e Ukrainës ta transferojnë në Ballkan dhe se të dy popujt tanë kanë të njëjtin fat.

Paramendojeni nëse Hashim Thaçi do ta shkruante apo jo një letër si kjo, sidomos në prag të një takimi me Vuçiç! Nuk ka ndodhur e nuk do të ndodhte kurrë! Paramendojeni nëse liderët e sotëm të opozitës do të dilnin publikisht në mbështetje të këtij qëndrimi denoncues të kreut të ekzekutivit të Kosovës! Do të ishte mrekulli, po qe se do të ndodhte kjo. Por ne e dimë se Hashim Thaçi i thoshte Vuçiç: “Urdhëro më thoni çfarë doni ju dhe unë jam gati t’ua jap”! Kujtoni vetëm 18 gushtin e vitit 2018 kur flisnin në konferencë shtypi Thaçi dhe Vuçiç në prani të presidentit të Sllovenisë dhe Austrisë!

Ne e dimë gjithashtu se krerët e opozitës së sotme nuk janë identik me paraardhësit e tyre. Por ata duhet të bëhen të besueshëm te publiku qytetar në Kosovë. Ata duhet të distancohen nga firmat e Thaçit dhe Isa Mustafës për asosacionin dhe demakacionin, edhe pse i votuan këto marrëveshje në parlament asokohe! Ata duhet të dënojnë përpjekjet e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Thaçi për tjetërsimin e territorit të Kosovës në emër të asaj që ai e quante “Korrigjimi i kufijve”! Duhet ta dënojnë si mashtrim deklaratën tjetër të tij, sipas së cilës “Ne jemi për korrigjim kufijsh, por për të marrë Luginën e Preshevës, jo për të dhënë ndonjë pjesë territori të Kosovës për Serbinë”! Duhet të dënojnë të gjitha mashtrimet që kanë të bëjnë me bisedimet me Serbinë. Nuk po përmend këtu autoritarizmin dhe grabitjen e pasurive kombëtare të vendit.

Pa u distancuar nga këto akte të paraardhësve të tyre, opozita e sotme e Kosovës me Memli Krasniqin dhe Abdixhikun nuk do të bëhet e besueshme. Madje duhet distancim edhe nga politikanët që i kanë kontribuar e ndihëmuar qëndrimeve politike të Hashimit dhe Isës. Ndaj Vlora Çitakut p.sh. Por edhe ndaj Lutës në LDK, i cili pati mbështetur tjetërsimin e territorit të Kosovës, ndërsa sot jep këshilla për kryeministrin Kurti. Më vjen mirë që Ramush Haradinaj hera-herës nuk i ngjan opozitës së PDK-së.

Lidershipi opozitar në Kosovë kishte shansin këto dy vite të denoncohej së paku nga politikat destruktive të Serbisë dhe Aleksandër Vuçiç në Kosovë. E di se do të thonë “E kemi bërë këtë”! Por jo sa e ka bërë mazhoranca, kryeministri dhe presidentja e vendit. Madje në konflikte të caktuara në veri u kanë dhënë ndihmë më shumë opsioneve e akuzave serbe, sesa të vërtetës! Pse ka rëndësi denoncimi i Serbisë si agresore, provokatore dhe destabilizues e Kosovës dhe e rajonit? Sepse kjo e largon Kosovën dhe lidershipin e saj nga ato që Thaçi e këshilltarët e tij, përfshirë dhe Vlorën, e quanin “Kompromis i dhimbshëm” me Serbinë!  Prandaj opozita së paku do të duhej të dëshmonte se nuk i përket vijës politike të Thaçit dhe Edi Ramës në raportet me Serbinë. Por nuk ka ndodhur kjo. Nuk po ndodh ende sot. 

Ndërkohë atë që duhej ta bënte opozita e bën mazhoranca, megjithëse asnjë mazhorancë nuk e ka komoditetin e opozitës për qëndrime radikale si këto që mban Albin Kurti. Pyes veten: - Si është e mundur të ndodhë që më i avancuar të jetë pushteti sesa opozita, kur dihet se pushteti ballafaqohet me një trysni ndërkombëtare shumë herë më të madhe?! Ndodh fatkeqësisht, sepse opozita ndjek modelin Rama-Thaçi të marrjes së pushtetit me metoda të thjeshta dhe me përkrahjen e ndërkombëtarëve, përfshirë përkrahjen e Beogradit.  

Letra e zotit Kurti u publikua vetëm 24 orë para se ai të gjendet përballë Lajçak, Borrell dhe Vuçiç në Bruksel. Kjo përbën një domethënie të re në praktikën e tij politike. Sepse është mesazh për ndërmjetësuesit e dialogut. Eshtë paralajmërim për ta se po përkëdhelin një shtetar autoritar dhe të rrezikshëm për paqen e stabilitetin në rajon. Se po krijojnë iluzione për atë që Serbia të konsiderohet vend paqësor dhe aleat i perendimit, kur në fakt ajo është dhe do të mbetet aleat strategjik i Rusisë. 

Dhe Albin Kurti ka të drejtë në konstatimet e tij. Opozita do të duhej së paku ta ndiqte në këto gjurmë. Por jo. Më shumë paralajmërime të tilla japin britanikët, ndonjë senator në SHBA, polakët dhe ukrainasit, të cilët e njohin me dhëmbë e dhëmballë Rusinë, sesa opozitarët e Kosovës. Kjo nuk shkon! Kjo e bën Kosovën më të brishtë. Nëse themi se duhet të bashkëpunojnë pozita dhe opozita, sidomos sa i përket dialogut, kjo do të thotë se bashkëpunimi fillon me akordin e një zëri të vetëm në qëndrimin ndaj Serbisë. Pastaj vijnë diskutimet e konsensuset e tjera! 

Albin Kurti ka të meta, ka probleme dhe krijon gjithashtu probleme në qeverisje. Kjo më së shumti për shkak të mos-tolerancës së tij ideologjike. Por unë nuk besoj se Albin Kurti në lidhje me Serbinë e qëndrimin ndaj saj është mashtrues, siç thotë Vlora Çitaku. Duket sikur Isa, Vlora, Abdullahu e disa të tjerë ëndërrojnë që Kurti të bëjë të njëjtat gabime si ata. Prandaj dhe me cinizëm bëjnë parashikime, të cilave ata u gëzohen më së shumti për të rehabilituar veten e tyre. Albin Kurti deri më sot u ka qëndruar në përgjithësi fjalëve dhe premtimeve që ka dhënë. Ka rezistuar si askush tjetër dhe unë kam arsye të besoj se ai sot në Bruksel do të marrë më të mirën e mundshme në dialog!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat