Kërkesë për drejtësi, edhe për gjeneralin hero, Ilir Konushevci, se edhe ai ishte vlerë emblematike e UÇK-së, e lirisë dhe e pavarësisë së Republikës së Kosovës

Opinione

Kërkesë për drejtësi, edhe për gjeneralin hero, Ilir Konushevci, se edhe ai ishte vlerë emblematike e UÇK-së, e lirisë dhe e pavarësisë së Republikës së Kosovës

Më: 6 prill 2023 Në ora: 15:39
Foto ilustrim

Prandaj,  këtë KËRKESË  ZYRTARE për shqyrtim të ligjshëm,  demokratik dhe kushtetues ua dërgojmë titullarëve të nderuar të institucioneve më të larta shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Kosovës:

Z. Vjosa Osmani (presidente),

Z.Albin Kurti (kryeministër),

Z. Glauk Konjufca (kryekuvendar)

Që  brenda kompetencave dhe autorizimeve të tyre ligjore dhe kushtetuese, të kërkojnë nga organet dhe nga institucionet e sistemit të drejtësisë në Kosovë ngritjen e procedurës ligjore për hetimin dhe për zbulimin e vrasjes së GJENERALIT HERO, ILIR KONUSHEVCI,  i cili së bashku me bashkëluftëtarin e tij tropojan, Dr. Hazir Malaj vritet në Bajram Curr të Tropojës, më 9 maj 1998. Mirëpo, deri më sot (prill 2023), domethënë qe 25 vjet, nuk ka “folur” drejtësia as në Tiranë e as në Prishtinë, se kush dhe, pse i vrau këta dy heronj  të shquar të UÇK-së.  

Shteti i mirëfilltë i së drejtës është i obliguar, që t’i zbulojë vrasësit e heronjve dhe të dëshmorëve të vet, sepse “liria ka emër” edhe Ilir Konushevcin, edhe Dr. Hazir Malën, edhe Ahmet Krasniqin…

Natyrisht se, edhe ne si institucion shkencor, kulturor dhe gjithëkombëtar me seli në Nju-Jork,  mbështesim  fuqishëm  dhe, pa asnjë rezervë “Marshin për drejtësi”, të organizuar nga “Platforma Liria ka emër”,  bërë më 2 prill në Prishtinë, ku morën pjesë afro “100 mijë” protestues anembanë Kosovës, si  dhe më 3 prill në Hagë para Gjykatës Speciale , ku morën pjesë qindra protestues shqiptarë nga mbarë Evropa, duke kërkuar drejtësi për krerët e UÇK-së (Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi) për t’i mbrojtur vlerat dhe viktimat e luftës çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale të UÇK-së kundër agresionit pushtues dhe gjenocidal të Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1989-1999).

Për ne, të gjithë këta emra të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, janë heronj të UÇK-së, ndaj kërkojmë nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale në Hagë, që t’u bëjë gjyq të drejtë dhe të ligjshëm, duke zbatuar me konsekuencë rregullat dhe normat e së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare dhe konventat, rezolutat, deklaratat dhe protokollet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke qenë se UÇK-ja ishte PALË NDËRLUFTUESE, jo kurrfarë grupi dhe, kurrfarë “ndërrmarrjeje kriminale” e as “organizatë terroriste” siç thuhet në paditë dhe në akuzat e  rreme, të falsifikuara, të montuara dhe të trilluara të regjimit çetniko-fashist shfarosës të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, përkatësisht edhe të regjimit të sotëm antidemokratik, anticivilizues  dhe antievropian perëndimor  të Aleksandër Vuçiqit(president (1989-2023).   

Për më tepër, sikur UÇK-ja të kishte qenë “ndërmarrje a organizatë kriminale” ashtu sikurse  e anatemon dhe e shpërfytyron “rentgeni” çetniko-fashist dhe ultranacionalist serbomadh  i Beogradit,  sigurisht UÇK-në nuk da ta  kishin ndërkombëtarizuar dhe mbështetur Amerika, NATO-ja dhe aleatët e tyre evropianoperëndimor, por do ta kishin sanksionuar ashpër, ashtu sikurse fallangat çetniko-fashiste  paramilitare, militare dhe policore të Serbisë okupatore të Slobodan Milosheviqit, të cilat i bombardoi NATO-ja, jo më pak se “78 ditë”  (24 mars -10 qershor 1999), sepse ato vërtet përbënin “jo një ndërmarrje kriminale”, por një industri gjigante kriminale, terrosite dhe gjenocidale të përmasave të hollokaustit të nazifashizmit të Hitlerit, me qëllim të fundit të shfarosjes së shqiptarëve nga Kosova shqiptare, ku vranë dhe masakruan mbi “12.843 “ shqiptarë të pafajshëm pse ishin shqiptarë dhe, vetëm pse kërkonin të drejtën e tyre për vetëvendosje sikurse të gjithë popujt e tjerë në Ballkan.

UÇK-ja ka zhvilluar luftë të drejtë mbrojtëse  nga harangat agresore pushtuese, terroriste dhe gjenocidale të regjimit çetniko-fashist të kryekriminelit Slobodan Milosheviq (1989-1999).

Pra, jo UÇK-ja nuk ka kryer krime lufte në Kosovë (gjithnjë kanë respektuar ligjet dhe të drejtën e luftës si palë ndërluftuese çlirimtare kombëtare kundër okupatorit serb), por   njësitet paramilitare, policore, militare dhe të sigurisë së regjimit çetniko-fashist serb të Slobdan Miosheviqit, ishin ato, që kanë kryer krime lufte, masakra dhe shfarosje të shqiptarëve në Kosovë. Këtë të vërtetë e kanë konfirmuar edhe aktgjykimet e formës së prerë  të Tribunalit të Hagës, dhënë kriminelëve serbë të luftës në Kosovë (1989-1999).

Këtë të vërtetë e dëshmojnë edhe këto fakte dhe argumente statistikore të pasqyruara në https://ekonomia.info/sq/siguri/bilanci-zyrtar-i-luftes-se-kosoves-11-840-te-vrare. Sipas këtij burimi: “Bilanci zyrtar i luftës së Kosovës (janar 1998 deri më 12 qershor 1999), janë  vrarë: 12 843  shqiptarë, prej tyre 1.741 gra; 1392 fëmijë nën moshën 18-vjeçare ; 296 fëmijë deri në 5 vjeç; 20.400 gra të përdhunuara shqiptare. Në altarin e lirisë kanë rënë 2.261 dëshmorë prej tyre 68 dëshmorë e martirë nga Shqipëria. Veç vrasjeve, janë shkatërruar më se 188 mijë objekte banimi, si dhe janë dëbuar nga Kosova më se 1 milion banorë shqiptarë; 100.589 shtëpi të shkatërruara – dëmtuara të popullatës shqiptare; 358 shkolla të shkatërruara – të dëmtuara me dokumentacion;  71 zyra të vendit; 30 shtëpi kuluture; 93 biblioteka publike dhe shkollore; 123 objekte shëndetësore; 215 objekte fetare (xhami, teqe, tyrbe); 5 kisha katolike; 88.101 objekte ndihmëse – përcjellëse.” (Burimi: https://ekonomia.info/sq/siguri/bilanci-zyrtar-i-luftes-se-kosoves-11-840-te-vrare).

Të gjitha këto krime terroriste dhe krime të luftës së Serbisë gjenocidale të Slobodan Milosheviqit, do të duhej të kishin qenë objekt shqyrtimi parësor i procesit gjyqësor të Gjykatës Speciale të Hagës, jo vetëm pala shqiptare, përkatësisht krerët e Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës (Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi).

Sa më sipër, Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkncave dhe e Arteve në Nju-Jork ka nderin që t’u dërgojë këtë APEL titullarëve të institucioneve më të larta shtetërore të Republikës së Kosovës:

1. Z.Vjosa Osmani (president),

2. Z. Albin Kurti (kryeministër),

3. Z. Glauk Konjufca (kryekuvendar)

Që të marrin vendim unanim për ngritjen e çështjes së pazgjidhur të vrasjes së heronjve të UÇK-së së Kosovës: Ilir (HALIT) Konushevci (general), Dr. Hazir Malaj dhe  Ahmet Krasniqi (kolonel), të cilët u vranë rrethana të paqarta, sepse deri më sot, domethënë qe 25 vjet ende nuk është zbardhur fati i tyre nga ana e sistemit të drejtësisë as në Tiranë dhe as në Prishtinë.

Prandaj, në mirëbesim dhe në mirëkuptim të plotë të përligjjes së drejtësisë dhe të respektimit të drejtave dhe lirive elementare të njeriut, lusim Vjosa Osmanin, Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën, që brenda autorizimeve dhe kompetencave të tyre ligjore dhe kushtetuese të Riaktualizojnë ngritjen e procedurës penale te Prokuroria e Kosovës, përkatësisht të Ministrisë së Drejtësisë, që të fillojë procesin gjyqësor për hetimin e vrasjes makabër të heronjve të Kosovës, Ilir Konushevci, Dr Hazir Malaj dhe  Ahmet Krasniqi, të cilët qysh para 25 vitesh u vranë në territorin e Shqipërisë( Iliri dhe Haziri në Tropojë),kurse Ahmeti në Tiranë.

Marshet e qeta dhe paqësore për drejtësi janë legjitime, legale dhe demokratike

Sepse “liria pa drejtësi nuk ka kuptim” (Vjosa Osmani, presidente).

Pra, meqë jemi shtet demokratik dhe human ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë alfa dhe omega e funksionimit të shtetit të së drejtës, atëherë çdo qytetar duhet të jetë i barabartë në të drejta dhe detyrime përpara ligjit dhe kushtetutës.

Natyrisht se, është e drejtë, dhe e kemi obligim, që të kërkojmë respektimin  dhe mbrojtjen e vlerave dhe të fryteve të luftës çlirimtare kombëtare të UÇK-së (jo vetëm për krerët e saj në burgun hetues të Gjykatës Speciale në Hagë: Thaçi, Selimi, Krasniqi e Veseli), por, edhe për bijtë dhe bijat e tjera jashtë burgut, që jetët e tyre i kanë flijuar në betejat e lavdishme të UÇK-së heroike, siç janë gjenerali hero, Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj dhe koloneli Ahmet Krasniqi, familjet e të cilëve qe 25 vjet trokasin nëpër dyer të institucioneve dhe të organeve të drejtësisë, mirëpo, deri më sot (2023) askush nuk ka dhënë asnjë verdikt gjyqësor për vrasjen e tyre!

Prandaj, zotërinj shtetarë të lartpërmendur ka ardhur ora historike, që politika dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe në Shqipëri, të kryejnë obligimet e tyre ligjore, kushtetuese, shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare lidhur me zbulimin e “enigmës” 25-vjeçare të vrasjes së Ilir Konushevci dhe Dr.Hazir Malaj (të vrarë më 9 maj 1998 në Tropojë) dhe koloneli Ahmet (Hajriz) Krasniqi më 21 shtator 1998 në Tiranë).  

Mbesim me shpresë se, do të merrni në konsideratë këtë KËRKESË të ligjshme për Drejtësi të Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve në Nju-Jork,  bërë më 5 prill 2023.

Presidenti,

Akademik Prof.Dr. Skënder Kodra

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat