Mungesa e koncepteve zhvillimore jetën e bën më të vështirë-shembull konkret dështimi në testin PISA

Opinione

Mungesa e koncepteve zhvillimore jetën e bën më të vështirë-shembull konkret dështimi në testin PISA

Nga: Prend Ndoja, SHBA Më: 11 dhjetor 2023 Në ora: 15:15
Foto ilustrim

Gajtë vizitës sime në Kosovë, para së gjithash më gëzoi fakti se Kosova është e lirë dhe çdoherë që e vizitoj vendlindjen, me respektin më të madh u përulem të gjithë atyre që kontribuan për të na sjellë lirinë. Por, krahas kësaj qëndron fakti se sot po afrohemi te çereku i një shekulli pa pushtues, por ende nuk jetojmë ashtu siç e ëndërronim jetën në liri. Kur diçka mungon në jetën e një e shoqërie, dëgjohen ankesat gjithandej, pastaj njerëzit parimisht e kërkojnë dhe shkakun apo rrjedhën e pakënaqësisë. Suksesi i këtyre kërkesave të popullit tonë ka mbetur në mjegull e në mungesë të ideatorëve të ndershëm, përgjigjet në ankesat e parashtruara kanë mbetur në udhëkryq. Kërkesat dhe ankesat fillojnë që nga jeta sociale, por edhe politike, ekonomike etj. Aty ku mungon atdhedashuria, vritet ndërgjegjja, bie poshtë karakteri njerëzor. Në raste të tilla të pandërgjegjshmit i zënë vendet udhëheqëse pa meritë. Nga paaftësitë e tyre profesionale dhe karakteri i dobët, ata, para edukatës, para kulturës dhe parimeve njerëzore, para mirëqenies së popullit e vënë luksin e tyre të paskajshëm. Për ta siguruar jetën e tyre luksoze, ata krijojnë shoqëritë e tyre të veçanta, e, brenda asaj shoqërie apo rrjeti qarkullojnë të gjitha përfitimet e paligjshme e çnjerëzore.

Ata, për të mbuluar gjurmët e tyre, krijojnë mjegullira aty ku armiqtë gjejnë hapësirë të lirë të depërtojnë në jetën tonë. Këta “gjysmëanalfabetë” (me disa përjashtime), për t’i anashkaluar problemet kyçe të kombit i sjellin besimet fetare në skenë, që populli të mallojë fushave të kotësisë. Aty gjejnë hapësirë krimet dhe lëvizjet çnjerëzore. Në vend se institucionet, duke përfshirë edhe Akademinë e Shkencave të kenë projekte në duart e tyre e të triumfojnë rezultatet në proceset shkencore, ekonomike e kulturore, vendet i lëmë gjysmë të zbrazura apo të pasukseshme dhe u hapim derën armiqve tanë të sjellin në skenë ekstremizimin fetar. Nga ky fenomen, njerëzit e paformuar mirë kombëtarisht pranojnë robërimin e kulturës sonë kombëtare në të gjitha sferat; duke i respektuar normat e ndonjë kulture tjetër, përbaltet kultura, arsimi etj. Me apo pa qëllim, ndodh që shpeshherë i bëjnë si një testim njëri-tjetrit - Zotin apo Kombin dhe duke pretenduar ta duan kombin e sulmojmë Zotin apo anasjelltas e flasin në emër të tij thua se ata janë Zoti, apo Zoti qenka një njeri që i dëgjon vetëm ata.

Në mungesë të drejtësisë në ekonomi dhe në mugesë të një kulture dhe respekti ndaj punës, te një masë e madhe e popullit është futur verbërisht në ndërdijen e tyre ideja se nuk ka kushte të mjaftushme për ta ndërtuar dhe zhvilluar jetën në Kosovë. Kjo është qasje plotësisht e gabueshme, sepse vendi ynë radhitet ndër vendet që i plotëson kushtet më të mira për të zhvilluar një jetë të lumtur. Shkaktar i krijimit të një mendimi të tillë janë shumë faktorë, ndër ta janë personat që i kanë uzurpuar vendet e punës, si dhe moszbatimi i duhur i ligjit për të drejtat e punëtorëve. Ndërsa është fakt që “patronët”, për interesat e tyre personale dhe partiake i sjellin me qindra punëtorë nga Lindja e Mesme në Kosovë, ndërsa pa asnjë mëshirë i hapin derën rinisë sonë të largohet nga vendi. Nga mendjet me ndikim negativ, apo me vetëdije të zbehur kombëtare, dalin edhe teori të padefinuara në parimet e tyre para masës së popullit dhe jam i sigurtë se nuk ka asnjë progres pa i pasur të qarta parimet e tyre. Andaj edhe në biseda që pata më njerëz adekuatë e përgjegjës për t’i dhënë udhëzime popullit, nuk e pashë një koncept të përpiluar definitiv, që tregon qartësinë e një dritareje apo dere të re që ta ndihmojnë popullin tonë në të gjitha sferat, e në veçani në arsim.

Në mungesë të personave adekuatë në arsim, që nga sindikata e deri te mësimdhënësit (me ndonjë përjashtim), sot arsimi është në gjendje të mjerueshme. Ndërprerja e mësimit me javë të tëra dhe shumë të tjera kanë bërë që testi PISA të japë rezultate të papranueshme, ndërsa nga paaftësia për t’u marrë me realitetin fajin ia hedhin njëri-tjetrit, si një top lojrash. Thjeshtë investimet në jeten private, në vila dhe hotele në zonat më të bukura bregdetare dhe viset malore po shkëlqejnë, por investimet në arsim, aty ku kultivohet dija, ku është e sotmja dhe e nesërmja, aty ku është fati i kombit tonë nuk investohet, mos të themi që edhe keqpërdoret ajo grimë e buxhetit. Aty ku etikës dhe kulturës së arsimit i bie morali, aty i dituri tundohet, i padituri diplomohet, e, më në fund shoqëria varfërohet.

Fatbardhësisht kemi disa përjashtime dhe duhet të përmendi disa shkolla, “Don Bosko” në Prishtinë dhe “Loyola-Gymnasium” në Prizren. Njërën nga këto shkolla, “Loyola-Gymnasium” qëllimisht e vizitova, për të shikuar zhvillimin e mësimit dhe për të bërë krahasimin me shkollat tjera. Aty më impresionuan me metodat dhe avancimin e programeve bashkëkohore në mësimdhënie. Niveli i cilësisë së zhvillimit të mësimit në përgjithësi si dhe kushtet që i ofronte objekti, reflektonin në rezultatet e nxënëseve. U gëzova që aty u ndjeva si në vendet më të përparuara në fushën e arsimit. E takova dhe drejtorin e shkollës, z. Enver Sulaj, një njeri energjik e i palodhshëm. Në pamjen e parë te ai reflektonte thjeshtësia dhe modestia e një njeriu të arsimuar, duke na shoqëruar dhe njohur me planprogramet si dhe me objektin e shkollës. Dallohej fare lehtë entuziazmi dhe dëshira e tij e flaktë për të arritur në majat e sukseseve me nxënësit që e vijojnë këtë shkollë. Njëherit aty e takova edhe z. Giselher Woite, drejtor ekzekutiv i Asociation “Loyola-Gymnasium”, një njeri i mirëformuar në fushën e arsimit, i cili nga entuziazmi për përhapjen e diturisë deshironte që arritjet dhe cilësitë e mësimit në “Loyola” t’i shpërndante edhe nëpër shkollat tjera të Kosovës.

Vizitova edhe disa shkolla të tjera. Do të mbetesha i lumtur po të mos i vizitoja fare; aty me forcë e fsheha vuajtjen që më ishte mbështjellur në brendi që mos të dalë në shesh. Shkollat gjysmë të zbrazura, aty ku dikur gjallëronin fëmijët tanë si bleta rreth kosheres, dikur me dy apo tri paralele të ndara, me mbi 30 nxënës në një klasë, tani kishin mbetur 10-12 nxënës në një klasë, ndër ta një pjesë e madhe e komunitetit ashkali. Ndërsa në shkollën ku për herë të parë i mësova shkronjat, u ula në bankën ku dikur isha ulur me një abetare, një laps dhe një fletore. Me shumë mallëngjim m‘u kujtuan mësuesit e dikurshëm, të mirëpajisur me dituri, të varfër e pa ndonjë luks të veçantë ecnin këmbë, por ata ishin mësimdhënës në kuptimin e plotë të fjalës MËSUES. Ata ishin të gatshëm ta shkrijnë edhe jetën e tyre, vetëm e vetëm për të na pajisur me edukatë e dituri.

Gjatë vizitës sime në vendlindje gëzimi printe shumë hapa përpara në krahasim më hidhërimin që vinte pas. Gëzimi triumfonte kur e shikoja para meje një popull energjik, një racë ndër më të bukurën e botës, një popull që di t‘i respektojë kodet njerëzore, duke filluar që nga familja e deri te popujt tjetë. Mbushesha më gëzim kur e shikoja natyrën e vendit tim, ndër më të bukurat e botës, me pasuri nëntokësore e mbitokësore, me diell e rreze të mjaftushme, me ujë të bollshëm e ajër të pastër, të cilat shumë vende të botës do të dëshironn t’i kishin, por vuajnë për mungesën e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat