Kush po e minon rolin dhe kompetencat kushtetuese të presidentes Vjosa Osmani!?

Opinione

Kush po e minon rolin dhe kompetencat kushtetuese të presidentes Vjosa Osmani!?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 29 maj 2024 Në ora: 17:41
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Ka disa javë që në kuloaret politike në Prishtinë flitej, disi tinëzisht, se mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin kurti ka një çarje në raportet e tyre personale, gjegjësisht edhe ndërinstitucionale, e që pas letrës së ministres së jashtme D. Gërvalla, dërguar në minutat e fundit dhe në adresë të gabuar Këshillit të ministrave të KiE, se Kosova e pranon kushtin për themelimin e AKS për serbët në veri, një akt ky skandaloz i saj dhe ministrisë që ajo udhëheq, mbase një veprim të tillë ajo nuk e ka bërë pa lejen e kryeministrit Kurti, dhe tani pas reagimit të presidentes Osmani, se ajo nuk ishte konsultuar fare para se ajo letër të dërgohej në adresë të gabuar, atë të AP të KiE, në vend se të dërgohej në adresë të Këshillit të ministrave të KiE, etj., doli që spekulimet e para disa javësh se mes këtyre dy “miqve” të mëdhenj paskan qenë të vërteta.

Presidentja V. Osmani, në reagimin e saj të sotëm, ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, z. G. Konjufca, se presidentja ka qenë jashtë vendit, dhe, se për këtë arsye nuk ka qenë e pamundur të konsultohet paraprakisht për letrën dërguar KiE nga ministrja e jashtme, duke deklaruar në reagimin e saj, se “në qoftë se tema paska qenë tek mos prezenca ime fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një njeri nga shoqëria civile në Gjermani, e që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë, e mori atë letër para Presidencës së vendit, dhe të cilën e publikoi në Twitter, para se të njoftohej presidentja..”!?

Nga kjo deklaratë e saj rezulton qartë, se anashkalimi i presidentes në këtë rast nuk është bërë pa qëllim, pas të cilit veprim qëndrojnë shkaqe dhe arsye të ndryshme, para së gjithash, se ndarja e rrugëve politike mes Albinit dhe Vjosës tani më ka ndodhur, kryesisht për shkaqe personale dhe me karrierën e tyre politike në vitet që do vijnë, për ç’farë, sinjale të tilla kanë dhënë qe disa kohë njëri dhe tjetri, gjithnjë në kuadër të primatit personal politik para popullit dhe votueseve të tyre në Kosovë.

Është interesant konstatimi i znj. V. Osmani, në reagimin e saj ndaj deklaratës së Konjufcës, ku ajo ndër të tjera thotë, “se në Letrën e nënshkruar nga tre udhëheqësit shtetëror për zotimin e Kosovës, Se nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, se nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova, por duhet të ketë zbatim paralel, dhe e cila nuk mund të ndërlidhet me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”. Të gjitha këto kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë nga znj. D. Gërvalla, sepse ajo ofertë nuk ka qenë, as për nga përmbajtja, e as për nga procedurat vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët, prandaj është domosdoshmëri kushtetuese në përputhje me nenin 84, që qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme, që sipas Kushtetutës sonë gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i Presidencës”.

Pas kësaj deklarate, mendoj se tanimë çdo gjë është bërë e qartë, se në raportet midis presidentes dhe kryeministrit ka një çarje politike, qoftë lidhur me kompetencat e saja kushtetuese në politikën e jashtme, qoftë në “mohimin dhe minimizimin” e tyre nga ana e kabinetit qeveritar, siç është thënë shpeshherë nga disa zyrtarë, se roli i presidentes në hierarkinë e shtetit është protokollar dhe vetëm i një noteri dhe asgjë më shumë se kaq.

duke mos e përjashtuar këtu as konkurrencën politike mes tyre, liderizmin dhe simpatinë e njërit dhe tjetrit tek faktorët ndërkombëtarë, në veçanti të qenit më pro-amerikan, gjegjësisht më anti-amerikan. Ngase, është rregull i pashkruar, se në politikë nuk ka moral, nuk ka shpirt dhe as ndenja, ka vetëm interesa grupore dhe personale, të cilat në momentin kur nuk veprojnë më në interes të dy e më shumë palëve, divorci mes tyre është i pashmangshëm, mbase edhe i domosdoshëm, gjithnjë me shpresën, se një ndarje e tillë nuk do ndodhë në dëm të interesave shtetërore të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat