Vjeshta e “përplasjeve” në Kuvend dhe gara e deputetëve për një mandat të radhës

Opinione

Vjeshta e “përplasjeve” në Kuvend dhe gara e deputetëve për një mandat të radhës

Mimozë Lakna Rogova Nga Mimozë Lakna Rogova Më 9 shtator 2024 Në ora: 16:11
Qeveria Kurti

Sikurse edhe çdo vit tjetër, edhe kjo fund-verë aktivizoi skenën politike të Kosovës duke na kthyer në realitet prej qetësisë së pushimeve.

Në fakt, politika ishte aktive edhe gjatë verës, por qytetarët nuk është se i kushtuan edhe aq vëmendje, sidomos jo më shumë sesa asaj këngës së “hallave” që i pushtoi rrjetet sociale për ditë të tëra!. Pak shaka!

Sidoqoftë, caktimi i datës së zgjedhjeve parlamentare (më 9 shkurt 2025) aktivizoi skenën politike me premtime, vendime e synime të Qeverisë, deri tek akuzat e opozitës kundër saj.

Kryeministri Albin Kurti ishte cak i sulmeve të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj thuajse gjatë gjithë verës.

Nga ana tjetër, PDK e LDK “shijuan” pushimet dhe nuk u morën fort me Qeverinë. Diferencë bënte aty këtu ndonjë status në rrjetet sociale nga deputetë aktivë të opozitës, që kundërshtonin vendimet e veprimet e Qeverisë, por të tjerët ishin kryesisht në gjumë! Gjithë kjo situatë e opozitës “së përgjumur” i shkonte në favor Qeverisë dhe kjo do të vërtetohet në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Tani që nisi sesioni vjeshtor i Kuvendit të Kosovës, edhe opozita u zgjua nga gjumi me akuza të ashpra kundrejt pushtetit, madje duke e quajtur qeverisjen Kurtit si më të dobëtën në histori të Kosovës!.

Ata po “harrojnë” se qytetarët i mbajnë mend qeverisjet e tyre apo më mirë të themi “keqqeverisjet” e tyre.

Po ashtu, secila legjislaturë e Kuvendit ka qenë më e dobët sesa paraprakja.

Përjashtim nuk bën as kjo e fundit, të cilës i kanë mbetur pa votuar shumë projektligje jetike për qytetarët e Kosovës.

Bazuar në veprimet dhe deklarimet e deputetëve, e ardhmja nuk është hiq premtuese për sa i përket votimit të këtyre projektligjeve, por edhe punës së Kuvendit në përgjithësi.

Sidomos tash që po hyjmë në një fazë zgjedhore, Kuvendi pritet të shndërrohet në një arenë përplasjesh me akuza e kundër-akuza ndërmjet pozitës e opozitës.

Kundërshtime pritet të ketë edhe brenda për brenda vet grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Një gjë të tillë, sikur e paralajmëroi deputetja Mirlinda Tishukaj, e cila sot deklaroi se fajin për mos kalimin e disa projektligjeve e kanë edhe deputetët e pozitës.

“Besoj që kalojnë disa. Por janë disa projektligje që s’po kalojnë për votat e disa deputetëve të VV, por janë për të mirën e përgjithshme dhe e është e papranueshme mos të merret epilogu për këto ligje. Do të ecin shumë ligje përpara se janë mbet në mes të procedurës. Ka shumë projektligje që janë shumë të rëndësishme për të kaluar sidomos për sigurime shëndetësore, IVF që ka kohë të gjatë në Kuvend që s’po kalon, ligji për tekstet shkollore dhe ka shumë të tjera”, tha ajo.

Pra, siç po shihet “përplasjet” në Kuvend do të vazhdojnë. Deputetët do të “luftojnë” me njëri tjetrin për t’u listuar në listat zgjedhore të partive të tyre përkatëse.

Tani qytetarët kanë të drejtë t’i votojnë 10 emra të kandidatëve për deputetë. Kjo iu jep atyre mundësi që të zgjedhin kuadro të reja, njerëz profesionistë dhe mbi të gjitha me duar të pastra.

Se a do të ndodhë kjo, mbetet të shihet, fushata ka filluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat