Kosova ta kushtëzojë Serbinë: Dorëzojeni Radoiçiqin ose nuk ka bisedime

Opinione

Kosova ta kushtëzojë Serbinë: Dorëzojeni Radoiçiqin ose nuk ka bisedime

Nga: Faton Mehmeti Më: 11 shtator 2024 Në ora: 16:12
Autori Faton Mehmeti

Pas një viti, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në rastin e sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë. Në mesin e personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë është edhe Milan Radoiçiq.

Presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë ka qenë shumë i dobët. Bota, edhe pse ka vepruar, ende nuk e ka dënuar Serbinë, me dyshime se sanksionet do të jenë në formë vërejtjeje dhe jo të plota. Banjska i dha botës dhe Kosovës një mesazh të qartë: Ledhatimi ndaj Serbisë e trimëron këtë të fundit për vazhdimin e skenarëve të dhunshëm.

Ndërkohë, Vuçiç, si një lojtar i vjetër nga shkolla politike e Millosheviçit dhe Sheshelit, bëri manovra për të shfajësuar Serbinë nga përgjegjësia, duke e detyruar Radoiçiqin të pranonte autorësinë në këmbim të lirimit nga burgu, siç edhe ndodhi. Pas ngritjes së aktakuzës, duhet që sa më parë të mbahet seanca ku Radoiçiqi të marrë dënimin e merituar, me burgim të përjetshëm. Kështu, i hapet mundësia Kosovës që të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Serbinë me dorëzimin e terroristit Milan Radoiçiq.

Edhe pse dorëzimi eventual i Radoiçiqit mund të çojë edhe në rënien e Vuçiçit, kjo nuk duhet të ndodhë. Kushtëzimi nga ana e Kosovës është i natyrshëm, i domosdoshëm dhe mbi të gjitha parësor. Nëse qeveria nuk e bën një gjë të tillë, do të lejojë që rasti në Banjë të mbyllet pa arrestimin e Radoiçiqit dhe rrjedhimisht pa ndëshkimin politik të Vuçiçit. Kjo është mundësia ideale për të rritur presionin ndaj Vuçiçit për dorëzimin e Radoiçiqit, me çka Kosova përfiton në kohë dhe në vënien e drejtësisë në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat