Aleksandër Vuçiq nga terraca e Presidencës po i tregonte vizitorit të tij "shëtitoren më të bukur” (Beogradi mbi ujë), por edhe për njerëzit “që do të donin ta ndalonin atë përparim”, duke bërë me gisht tek ata që ishin mbledhur poshtë Presidencës. Me kuriozitet po shikonte se si presidenti serb po i tregonte këto djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump Jr., i cili po qëndronte për një vizitë në Serbi.
Më pak se dy muaj nga kur babai i tij u rizgjodh president, djali i tij viziton shtetin fqinj, sipas Vuçiqit, për "zhvillimet aktuale që ndikojnë në skenën politike dhe ekonomike globale, si dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës". Kosova nuk u përmend, edhe pse duket e vështirë që të mos jetë përmendur, me administratën Trump që synon të shpejtojë sa më tepër arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.
Por, a duhet Kosova të shqetësohet nga ndryshimi i qëndrimit amerikan ndaj Kosovës, me administratën Trump që duket se ka raporte më të ngrohta me Serbinë, apo çdo gjë është brenda suazave të politikës amerikane? Besoj se edhe administrata Trump, ashtu si ajo e Biden dhe të tjerat, ka qëndrim të njëjtë ndaj Kosovës, veçse Kosova duhet të jetë e gatshme për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi nën administratën Trump.
Dhe, duke qenë e vetëdijshme se çfarë është në interes të vendit dhe çfarë jo, jam i bindur se brenda mandatit të z. Trump do të arrihet marrëveshja përfundimtare. Vizita e djalit të presidentit Trump në Serbi tregon seriozitetin dhe vendosmërinë e administratës së re amerikane për të arritur sa më parë një gjë të tillë.