Brenda pak ditësh pritet të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Dihet se Vetëvendosje ka fituar garën, por jo mjaftueshëm për të dalë e para. Kështu, opozita duket se ka vendosur të mos bëjë koalicion qeveritar me Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti. Përjashtim këtu bën Nisma e Fatmir Limajt, pozicioni i së cilës mbetet më i paqartë, pasi paraprakisht ka treguar gatishmërinë për koalicion me VV.
Se opozita është e vendosur për të formuar bllokun PAL, duket nga takimet që kanë pasur mes tyre. Vetë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, e konfirmoi takimin me Vedri Hamzën, ndërsa tha se kanë pasur takim edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Por, LDK-ja “asnjëherë nuk ka biseduar me LVV-në këto javët e fundit,” tha Haziri, duke e rikonfirmuar faktin se LDK-ja nuk ka ndryshuar asgjë nga rruga e saj e të qenurit satelit i PDK-së.
Edhe pse VV është e para që ka të drejtë të formojë qeverinë, dhe kjo mund të ndodhë në koalicion me Nismën dhe minoritetet jo-serbe, mendoj se Albini duhet të veprojë ndryshe. Le të tentojë vetë, pa koalicion, të formojë qeverinë; nëse kjo nuk ndodh, atëherë le ta bëjnë opozita qeverinë. S’ka gjë, kjo nuk do të zgjasë më shumë se një vit, kur të vijë koha për të zgjedhur presidentin, kjo s’do të mund të ndodhë pa VV, dhe sikur të bëhen bashkë të gjithë. Pastaj vendi shkon në zgjedhje, VV rritet dhe kjo opozitë do të rrënohet edhe më shumë. Për një vit në qeveri, mund të merret me mend çfarë hajnie do të bëjnë, dhe le të shohin populli shumë mirë se kush janë ata, dhe pse i njeh, por edhe ata që i kanë votuar do të dëshpërohen.
Brenda këtij viti do të përballen me asociacionin dhe tema të tjera; aty do të djegën përsëri. Le t'i lejojë VV këtë opsion, ndërsa opozita edhe njëherë do të tregojë se s’ka ndryshuar dhe se pas një viti do të mbetet përsëri në opozitë, këtë herë për një periudhë më të gjatë.