Prindër kontrolloni e kufizoni sjelljet e pahijshme dhe të papranueshme të fëmijëve tuaj për qëllime edukative

Opinione

Prindër kontrolloni e kufizoni sjelljet e pahijshme dhe të papranueshme të fëmijëve tuaj për qëllime edukative

Nga: Ejup Berisha Më: 25 mars 2025 Në ora: 12:50
Autori Ejup Berisha

Një pjesë e caktuar e rinisë shqiptare në Kosovë, në Maqedoni dhe në Shqipëri sillen si huliganë, ndërsa një pjesë tjetër e tyre edhe si gangsterë të vërtetë. Këta jo vetëm që sillen kështu, por edhe veprojnë realisht ngjashëm në jetën e përditshme. Të tillët në këto mënyra sillen jo vetëm me moshatarët e tyre, por gjithashtu edhe me gjeneratat e tjera të njerëzve në shoqëri. Këta, pra, në raportet e tyre me njerëzit përdorin jotolerancë, arrogancë dhe injorancë të tepruar. Më tej, ata gjithashtu përdorin metoda dhe mjete dhune që janë të papranuara dhe të ndaluara, jo vetëm sipas rregullave morale, por edhe atyre juridike.

Dhe si rezultat i këtyre çasjeve dhe sjelljeve të pashembullta, të rinjtë sot, gati në çdo çast, rrihen, dëmtohen, gjymtohen, vriten dhe priten mes vete, dhe atë pa iu trembur aspak syri i njëjtëve. Kush i ka fajet për këtë gjendje të papranueshme, apo për realitetin e keq dhe të trishtë që mbizotëron në ditët e sotme ndër ne? Një pjesë të vogël të fajit e kanë të rinjtë, ndërsa pjesën më të madhe të fajit e bartin prindërit e tyre. Pra, për veprimet e këqija dhe të papranueshme të fëmijëve, përgjegjësinë më të madhe e kanë prindërit. Liria dhe barazia e tepërt i prishin njerëzit, kanë dëgjuar të thonë më herët njerëzit e mençur, të ditur dhe me përvojë. Sot, në trojet tona, askush nuk e thotë më një gjë të tillë. Ne, pra, fatkeqësisht e kemi këtë gjendje, në të cilën fëmijëve u janë njohur liri dhe të drejta shumë të mëdha e të pakufizuara.

Prandaj, duhet ndërmarrë diçka me qëllim që t'u kufizohen pak këto liri dhe të drejta, dhe atë për qëllime fisnike, apo për t’i edukuar dhe për t’i mësuar ata se si të jetojnë në bazë të disa rregullave dhe parimeve të pranuara shoqërore dhe njerëzore. Misionin e edukimit dhe të mësuarit se si të jetojnë mirë, sigurtë, qetë dhe drejtë, fëmijët e kanë pjestarët më të moshuar të shoqërisë. Këta, pra, e kanë obligim moral, ligjor dhe fetar që t’i edukojnë fëmijët e tyre, apo t’i aftësojnë ata për një jetë më të moralshme dhe më të dinjitetshme.

Nuk dua të them që ndaj fëmijëve duhet të përdoren metoda dhe mjete dhune me qëllime diskriminuese, por prindërit duhet të ushtrojnë një lloj kontrolli të arsyeshëm e shtrëngim të lehtë ndaj pjestarëve të gjeneratave të reja të popullsisë. Me këto gjëra, këta të fundit duhet të ndjejnë pak frikë, apo dhe ta njohin autoritetin e prindërve. Këto gjëra do t’i pengojnë dhe do t’i kufizojnë të rinjtë që të bëjnë gjithçka që u teket të bëjnë, apo dhe çfarë duan të bëjnë vetë në shoqëri, siç po bëjnë sot këta individë në përditshmërinë tonë.

Ka pra nevojë që kujdestarët e fëmijëve t’i vetëdijsojnë dhe t’i udhëzojnë ata në rrugën e duhur dhe të drejtë. Këto përpjekje dhe aktivitete do t’u mundësojnë prindërve që fëmijët e tyre t’i kenë shëndoshë, rehat dhe të rrethuar me respekt e dashuri, veprime që gjithashtu do t’u mundësojnë siguri, qetësi dhe jetë më të gjatë e pa brenga, jo vetëm fëmijëve, por të gjithë njerëzve. Prandaj, prindërit duhet ta ushtrojnë si duhet rolin e kujdestarit, e jo vetëm të shprehin emocione dhe dashuri të stërtepruar në raport me fëmijët. Raportet dhe sjelljet e përmendura më lart në këtë shkrim do të mundësojnë që veprimet e prindërve në raport me fëmijët të sigurojnë që këta të jetojnë të mbrojtur nga sfidat dhe rreziqet e mëdha e të shumta me të cilat momentalisht ballafaqohen, por edhe me ato që do të ballafaqohen në të ardhmen.

Po të kishin vepruar kështu pjestarët e rritur me fëmijët gjatë viteve të fundit, besoj që disa të rinj që janë vrarë gjatë kësaj periudhe kohore këtu te ne do të ishin akoma gjallë në mesin e familjarëve të tyre. Kështu, edhe këta të fundit do të jetonin pa mërzi, pa brenga e halle, apo të njëjtët nuk do t’i kaplonte zija e përhershme si rezultat i tragjedive të rënda që u kanë ndodhur në jetë. Kjo vlen edhe për familjen e të riut 19-vjeçar që është vrarë para dy ditëve në Vushtrri të RKS-së. Prandaj, nëse prindët i shtojnë kujdesin dhe kontrollet ndaj fëmijëve të tyre, kjo nuk e zbeh as nuk e cenon aspak dashurinë e tyre ndaj fëmijëve, por përkundrazi, akoma më shumë e shton atë në raport me ta. Dhe për fund, nëse të rinjtë nuk vëzhgohen dhe nuk kontrollohen nga prindët, shumë lehtë dhe pa hamendje, këta mund të bëhen autorë të krimeve të shumta e të rënda, ku viktima do të mund të jenë të gjithë në shoqëri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat