Kërkesa e deputetes Duda Balje për krijimin e një komune të re për boshnjakët në Kosovë po shfaqet jo vetëm si deklaratë publike, por si kusht politik për votimin e qeverisë së re, çka e bën situatën edhe më alarmuese. Në vend të një debati institucional e ligjor për të drejtat e komunitetit që përfaqëson, Balje ka vendosur të përdorë pozitën e saj parlamentare për të kushtëzuar formimin e institucioneve me projekte që bien ndesh me parimet e rendit kushtetues.
Kushtetuta e Kosovës, në nenin 12 dhe nenin 124, përcakton qartë bazën mbi të cilën mund të krijohen komunat, të cilat duhet të bazohen në kritere funksionale, gjeografike dhe demografike, e jo në kritere etnike. Kërkesa e Baljes, e bërë pa ndonjë studim të fizibilitetit, pa konsultim institucional dhe jashtë kornizës ligjore, nuk është asgjë më shumë se një presion politik me pasoja të rrezikshme për sistemin e qeverisjes lokale në Kosovë.
Sipas analistit Qani Shabani, “një kërkesë e tillë e lidhur me votimin e qeverisë përbën formë të shantazhit institucional dhe shkelje të parimeve të përfaqësimit demokratik, duke vendosur interesin etnik mbi interesin shtetëror”.
Nëse një deputete i vendos kushte një qeverie të ardhshme në baza etnike, kjo cenon jo vetëm legjitimitetin e procesit demokratik, por edhe e bën të kushtëzuar sovranitetin e institucioneve ndaj kërkesave individuale ose grupore. Ky precedent është i rrezikshëm, sepse krijon mundësi që edhe deputetë të tjerë nga komunitete të ndryshme të përdorin votën për pazare politike me bazë etnike.
Kërkesa për komunë boshnjake nuk është diskutuar as në Këshillin Konsultativ për Komunitete, as në ndonjë platformë legjitime të përfaqësimit të komunitetit boshnjak. Ajo është bërë në mënyrë të njëanshme, në kohë të ndjeshme politike, dhe është e lidhur drejtpërdrejt me formimin e qeverisë – një kombinim që e komprometon funksionalitetin dhe barazinë në institucionet shtetërore.
Në këtë sfond, qeveria e re dhe të gjitha partitë politike parlamentare duhet të tregojnë qartësi dhe vendosmëri në raport me këto kërkesa që prekin shtyllat e rendit juridik e institucional të Kosovës. Çdo përpjekje për ta lidhur ndërtimin e institucioneve me ndarje etnike përbën cenim të interesit publik dhe zbehje të karakterit qytetar të Republikës së Kosovës.
Kërkesa e Duda Baljes për komunë boshnjake, tashmë e shndërruar në kusht për votimin e qeverisë së re, nuk është as legjitime, as e pranueshme për një shtet që synon të ruajë karakterin e tij unitar dhe multietnik. Kosova nuk mund të ndërtojë institucione mbi baza shantazhi politik, por mbi parime të barazisë ligjore dhe funksionalitetit demokratik, duke ruajtur unitetin e shtetit dhe duke përforcuar bashkëpunimin mes komuniteteve të ndryshme.