Vjosa Osmani ishte në një samit të organizuar në Antalia të Turqisë. Ajo aty takoi presidentin turk, Rexhep Tayp Erdogan, me të cilin rikonfirmoi aleancën e përbashkët midis Kosovës dhe Turqisë në rrugën e përbashkët si shtete mike. Ishte ky takim një zhvillim diplomatik i jashtëzakonshëm. Një përpjekje e qëlluar dhe e dobishme për të sendërtuar plotësisht shtetësinë, pavarësinë dhe institucionet e vendit të saj.
Presidentja Osmani në Antalia u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Kenias, këtij shteti me shumë ndikim në këntinentin afrikan. Paralajmëroi edhe një vizitë zyrtare në këtë vend. Në një kohë kaq të shkurtër ajo nxitoi të konfirmojë një vizitë kaq të rëndësishme. Dhe kjo duhet vlerësuar si një përpjekje serioze dhe qëlluar për të çuar përpara marrëdhëniet e Kosovës me vendet që atë e njohin.
Më tej akoma, Presidentja Vjosa Osmani takoi presidetin e një vendi, për të cilin Ivica Daçiq i Serbisë kishte njoftuar që para 5 vitesh se pati tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës. Bëhet fjalë për Sierra Leonen, një vend tjetër afrikan. Duke takuar Presidentin e Republikës së Sierra Leones, Julius Maada Bio, në kuadër të “Forumit Diplomatik të Antalias”, Osmani diskutoi me të për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy shteteve. Me këtë akt ajo dha lajmin përgënjeshtrues të njoftimeve të rrejshme që vijnë nga qeveria dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, sipas të cilëve “disa vende kanë tërhequr njohjet për Kosovën”!
Sa për të sqaruar opinionin publik. Në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk njihet si legjitime tërheqja e njohjeve për shtete të caktuar. Njihet vetëm akti i njohjes. Nëse një shtet vendos të njohë një shtet tjetër dhe ka këmbyer me vendin që njeh letrat kredenciale të kësaj njohjeje, atëherë njohja depozitohet në OKB. Kështu ka ndodhur me të gjitha vendet, për të cilat Serbia ka pretenduar dhe njoftuar se ato “janë tërhequr nga njohja e pavarësisë së Kosovës”! Kjo dukuri serbe është në fakt pjesë e fushatë së desinformimit në kuadër të përpjekjeve për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin e Ballkanit.
Pikërisht për këto arsye akti i Vjosa Osmanit me takimin e saj me homologun e saj, Julius Maada Bio, pati një rëndësi dhe domethënie të shumëfishtë. Ajo me një lëvizje demaskoi fushatën desinformuese të Beogradit. Por nuk janë vetëm këto veprime, të cilat e bëjnë presidenten e shtetit të Kosovës një yll të diplomacisë shqiptare në tërësi. Ajo është shumë e qartë dhe e artikuluar në ushtrimin e detyrës së saj diplomatike në këto kohë kthese për shtetin e Kosovës. Para pak ditësh rekomandoi heqjen e të gjitha tarifave tregtare të Kosovës në marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndodhi ky rekomandim për qeverinë e vendit menjëherë pasi u njoftua se presidenti amerikan, Donald Trump, caktoi një tarifë minimale prej 10 përqind për Kosovën.
Akti i heqjes së kësaj takse nga qeveria e Kosovës as i ndihëmon, as i dëmton SHBA-të. Por do të ishte një akt simbolik besimi dhe solidariteti me superfuqinë më të madhe të botës dhe aleaten më të rëndësishme të Kosovës. Megjithatë ajo u kritikua nga ministri i Financave me pretendimin se “kërkesa nuki duhej publikuar”! Edhe unë jam i mendimit që rekomandimet fillimisht bëhen në koinfindencë midis imnstitucioneve. Por askush nuk e di nëse kjo ka ndodhur ose jo para se këshilla e presidentes të bëhej publike. Megjithatë, edhe sikur zonja Osmani të mos e kishte bërë rekomandimin në fjalë më parë, gjithmonë ka përparësi substanca dhe jo forma. Nga pikëpamja e interesave të Kosovës, heqja e tarifave tregtare me SHBA-të është substanciale, prek sentimentet politike dhe diplomatike amerikane në raport me Kosovën dhe ndihëmon që zgjidhja përfundimtare e konfliktit me Serbinë të realizohet me drejtësi e në favor të saj.
Kundërshtitë që bazohen në ego e dëmtojnë shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Nuk duhet lejuar në asnjë rast që inati midis politikanëve dhe liderëve të Kosovës të dëmtojë edhe interesat e saj. Shembulli i keq i Shqipërisë në këtë aspekt duhet të shërbejë si mësim për të bërë të kundërtën e asaj që bën politika e Tiranës. Nuk e përjashtoj mundësinë që ego të kenë presidentja dhe gjithashtu kryeministri në raportet midis tyre. Por kjo ego duhet evituar. Ndryshe e pësojnë Kosova dhe qytetarët e saj.
Gjithësesi, në diplomaci Kosova ka nevojë për mendjen, guximin, artikulimin, përkushtimin dhe përpjekjet e spikatura të presedientes së saj, Vjosa Osmani. Kjo duhet parë si avantazh, si aset, si pasuri e Kosovës.