“Futnotën për Kosovën nuk e solla unë! Atë e gjeta midis jush“, do të justifikohej Edi Rama!

Opinione

“Futnotën për Kosovën nuk e solla unë! Atë e gjeta midis jush“, do të justifikohej Edi Rama!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 16 prill 2025 Në ora: 13:58
Foto ilustrim

Në Tiranë u bë edhe një takim për të nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga ana e delegacionit të Kosovës. Kjo sepse organizatorët, pra qeveria e Tiranës, pas konsultimesh me qeverinë e Serbisë, ra dakord që në mbledhje të shënohej futnota për Kosovën. U konsultuan me Beogradin, por jo edhe me Prishtinën. Prandaj dhe delegacioni i Kosovës u befasua kur pa në marrëveshje emrin e shtetit “Kosovë me futnotë”! Kot u befasuan në fakt. Ata duhej ta dinin se Rama dhe Vuçiq janë një. Ramës, ashtu si edhe Vuçiq u interesonte që nga kjo mbledhje të largohej Kosova dhe jo Serbia. Nëse nuk do të vihej futnota, atëherë delegacioni serb ose nuk do të vinte në Tiranë, ose do të largohej nga mbledhja, siç u largua delegacioni i Kosovës.

Edi Rama nuk donte që të mos vinte ose të largohej delegacioni i Serbisë. Përfaqësuesit e Vuçiq ai i donte ai me çdo kusht në mbledhje. Prandaj dhe u kujdes që të lëndohej Kosova dhe delegacioni i saj të dilte nga salla për t’u kthyer në Prishtinë. Dhe kështu ndodhi. Rama dhe Vuçiq me një gur „vranë dy zogj“: - Edhe e lanë Kosovën jashtë marrëveshjes, edhe u përpoqën që ta bëjnë atë fajtore për „intolerancë“! Lënia e Kosovës jashtë marrëveshjes ishte dhe mbetet interes i Serbisë, sepse çdo marrëveshje pjesë e së cilës është Kosova, numërohet edhe si dëshmi i subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Madje kur ajo përfaqësohet me futnotë. Ndërsa çdo ikje e saj nga këto samite interpretohet me lehtësi si „mungesë dëshire për bashkëpunim“! Në të dy rastet e për të dy këto argumente Beogradi fërkoi duart. Tha: - S’ka më mirë se kaq!

Po Edi Rama çfarë fiton nga kjo lojë e pistë dhe e fëlliqur anti-Kosovë? Ai beson se do të fitojë besimin e evropianëve për kontribute shtesë në „paqtimin e rajonit“! Ai vazhdon edhe më tej të zbatojë politikat e „pajtimit dhe vëllazërimit“ me Serbinë, pavarësisht faktit se tashmë është bërë e qartë që Serbia nuk heq dorë nga lidhjet dhe aleancat e saj me Rusinë. Ai dëshmoi gatishmëri që ta denigrojë Kosovën dhe delegacionin e saj, mjafton që në Bruksel t’i thonë: - Bravo! Ky lider na duhet ne! Politika e Ramës për të mënjanuar çdo tension me Serbinë edhe me koston e rrënimit të shtetësisë së Kosovës vazhdon. Vazhdon dhe do të vazhdojë deri në fund, pa limite, pa kushte, pa ndjesitë prej një kryeministri shqiptar, që interes madhor e imediat duhet të ketë interesat e kombit, pra edhe të Kosovës.

Po ta pyesësh Edi Ramën për këtë akt, ai do të të përgjigjet: - Futnotën nuk e solla unë, atë e gjeta midis jush, kosovarëve“! Do të thotë gjithashtu se „Unë e kam mbrojtur Kosovën që në vitin 2014 në mes të Beogradit“, e të tjera broçkulla si këto. Sa herë ai zihet ngushtë, përdor alibinë e „Provokacias“ së Aleksandër Vuçiq të nëntorit 2014, gjatë vizitës së parë pas diktatorit Hoxha e „historike“ të tij në Beograd. Do ketë prej atyre që do ta „mirëkuptojnë“! Do thonë „Po, futnotën e vendosën marrëveshjet e Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit me Beogradin”! Për pasojë Rama nuk është përgjegjës.

Por ama ka kaluar më shumë se një dekadë që kur ka ndodhur kjo. Edi Rama e ka ditur se futnota është provokim për Kosovën. Ai ka pare se si kryeministri Kurti, sa here është përballur me këtë shenjë injoruese të shtetit të Kosovës, ka reaguar, protestuar dhe madje është larguar prej samiteve ndërkombëtare. Atëherë pse Rama vendosi të provokojë delegacionin e Kosovës?! Sepse interesi i tij nuk është Kosova, as Shqipëria. Interesi i tij parësor e tërësor është pushteti, pasuria dhe prestigji që i japin këto të dyja!  

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat