Nga këndvështrimi i filozofisë postkoloniale të Edward Said, është tejet shqetësuese kur zëra nga jashtë, shpesh të pozicionuar në privilegjin akademik e politik, marrin përsipër të definojnë identitetin e popujve të tjerë, veçanërisht atyre të vegjël, që historikisht janë përballur me pushtime, gjenocide, kolonializëm, shfarosje kulturore e gjuhësore dhe me përpjekje të vazhdueshme për t’u përçarë.
Historiani austriak Oliver Schmitt, në një deklaratë të fundit në një podcast politik, ngre një tezë rrezikshme, propaganduese dhe të rreme: se ekzistojnë “shqiptarë” dhe “kosovarë” si identitete të ndara dhe të ndryshme. Kjo nuk është vetëm një pasaktësi historike; është një akt i imponimit epistemik (që do të thotë kur një grup më i fuqishëm politikisht, ekonomikisht apo akademikisht, i imponon një grupi tjetër mënyrën e vet të të menduarit, kuptuarit apo të interpretuarit të botës) mbi një popull që e ka dëshmuar veten përmes sakrificës, gjakut, gjuhës, dhe një kulture të përbashkët që i ka qëndruar kohës, dhunës dhe përçarjeve të jashtme.
Identiteti shqiptar është një dhe i pandashëm
S'pari, është e domosdoshme të theksohet se shqiptarët, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës apo diasporë, janë një popull me një identitet të përbashkët, të rrënjosur në histori, gjuhë, zakone, kod moral e ligjor (Kanuni), dhe një memorie kolektive që i kapërcen kufijtë artificialë të vendosur me dhunë dhe me imponime.
Të thuash se ekzistojnë dy identitete shqiptare është njësoj sikur të thuash se gjermanët në Gjermaninë Perëndimore dhe Lindore pas Luftës së Dytë Botërore kishin identitete kombëtare të ndryshme, një absurditet që historia e rrëzoi me bashkimin e tyre. Apo që koreanët në Jug dhe Veri janë dy popuj të ndryshëm, apo serbët e Bosnjës dhe të Serbisë, ndërkohë që historia dhe etnia i lidhë, pavarësisht ndarjes politike.
Teza e ndarjes është një projekt i moçëm përçarës
Kjo ndarje identitare është produkt i një përpjekjeje të gjatë e të organizuar për të shuar ndërgjegjen kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi. Që nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, që filloi me zhvendosje të dhunshme të shqiptarëve dhe kolonizimin e territoreve etnike shqiptare nga sllavët, e deri te aparati shtypës i Jugosllavisë së Titos, shqiptarët u përballën me ndarje administrative, me ndalimin e flamurit, gjuhës dhe shkollimit në shqip, me përpjekje për t’i etiketuar si “turq”, “kosovarë”, “myslimanë” si identitete të veçanta nga shqiptaria.
Në fakt, edhe regjimi i Millosheviqit i quante shqiptarët në Kosovë si “Šiptari”, një term racist e përçmues, ndërsa shqiptarët në Shqipëri si “Albanci”. Kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një strategji për të mohuar unitetin kombëtar shqiptar dhe për të legjitimuar trajtimin e tyre si të huaj në tokën e vet.
Për më tepër, edhe pas luftës së Kosovës, nën administrimin e UNMIK-ut, vazhduan përpjekjet për të kultivuar një “identitet të ri kosovar”, të shkëputur nga rrënjët e tij shqiptare. Kjo është një formë e sofistikuar e neokolonializmit kulturor, ku fuqitë ndërkombëtare përpiqen të dizajnojnë identitete sipas interesave të tyre gjeopolitike, duke u hequr popujve të drejtën e vetëpërcaktimit historik dhe kulturor.
Realiteti historik dhe kulturor nuk ndryshohet nga kufijtë e imponuar me zor
Nuk mund të fshihet fakti se shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë kanë kaluar përvoja të ndryshme politike gjatë shekullit të 20-të. Por këto përvoja nuk kanë krijuar dy popuj, kanë prodhuar vetëm variacione të përkohshme në stilin e jetesës dhe administrimit. Në thelb, gjuha është e njëjtë, kodi kulturor është i njëjtë, ndjenja kombëtare është e njëjtë, dhe mbi të gjitha, aspirata për bashkim kulturor, shpirtëror dhe politik është një nga dëshirat më të mëdha të të dyja palëve.
Ne (shqiptarët) e dimë kush jemi, nuk kemi nevojë për interpretime të jashtme
Edward Said, në veprën e tij "Orientalizmi", paralajmëronte se si Perëndimi shpesh e shikon Lindjen (dhe popujt më të vegjël) si objekte për interpretim, jo si subjekte që flasin për veten. Schmitt bie pikërisht në këtë kurthë: ai flet për shqiptarët si një eksperiment shoqëror, si një laborator identitetesh. Por shqiptarët nuk janë një projekt eksperimental për të ushqyer karrierat e akademikëve. Ata janë një popull me histori mijëvjeçare, me gjuhën më të vjetër në Ballkan dhe një nga kombet më të vjetër në Evropë. Ne e dimë kush jemi, dhe nuk kemi nevojë që dikush tjetër, në këtë rast Schmitt, të na përkufizojë.
Koha e propagandës së moçme përçarëse ka përfunduar
Çdo tentativë për të ndarë shqiptarët në "shqiptarë" dhe "kosovarë" është një përpjekje për të mohuar unitetin kombëtar shqiptar, një unitet që i ka mbijetuar perandorive, luftrave, diktaturave dhe genocidit kulturor.
Sot, në shekullin XXI, është koha të refuzojmë me forcë çdo retorikë përçarëse, sado e maskuar të jetë ajo pas një titulli akademik apo një mikrofon podcasti. Është koha të ndërtojmë bashkësinë shqiptare në të gjitha anët e globit mbi bazën e gjuhës së përbashkët, historisë së përbashkët dhe një kulture që s’ka njohur ndarje, veç bashkim.
Nëse duam një Ballkan të qetë, të barabartë e pa përplasje, nuk e ndërtojmë atë duke ndarë popujt që janë tashmë të bashkuar në vetëdijen e tyre. Përkundrazi, ne duhet ta pranojmë realitetin: një komb, një gjuhë, një kulturë; shqiptarët, kudo që janë.