Maratona parlamentare: A ka parime apo fare moral në politikë?

Opinione

Maratona parlamentare: A ka parime apo fare moral në politikë?

Nga: Ismail Muqiqi Më: 24 prill 2025 Në ora: 20:29
Ismail Muqiqi

Po të kishte parime apo fare moral në politikë, deputetët e Parlamentit të Kosovës do të duhej të skuqeshin për veprimet e tyre destruktive dhe barikaduese kundër themelimit të institucioneve të reja. Prononcimet dhe deklaratat e kryetarëve të partive politike dhe të kryetarëve të grupeve parlamentare tregojnë fytyrën e vërtetë: se këta deputetë janë larg etikës, moralit dhe përkushtimit për t’i kontribuar popullit dhe institucioneve të shtetit të Kosovës.

Dështimet e njëpasnjëshme për ta votuar Kryetarin e Parlamentit dhe nënkryetarët janë veprime që shkelin besimin e votës së qytetarëve, të cilët në zgjedhjet e 9 shkurtit e dhanë provimin e qytetarisë. Si mund të arsyetohen bllokadat dhe obstruksionet e partive ndaj një gruaje, e cila është deputetja më e votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë dhe që vjen nga një familje e pakontestueshme patriotike?

Shtrohet pyetja: çfarë fshihet pas kësaj? Mos vallë opozita po përpiqet ta bllokojë avancimin e Albulena Haxhiut, e cila ishte zëri më i artikuluar për të bërë reforma në sistemin e drejtësisë, duke kërkuar vetting në Këshillin Prokurorial dhe në Këshillin Gjyqësor? Formimi i Byrosë për Sekuestrimin e Pasurisë së Paligjshme të politikanëve dhe të atyre që janë pasuruar brenda natës është një tjetër argument që opozita po e kundërshton vazhdimisht.

Për shkak të këtyre problemeve të krijuara ndër vite, dhe për shkak të polarizimit të skenës politike – më shumë për interesa personale, klanore e partiake – sot deputetët e Parlamentit të Kosovës po luajnë me ndjenjat e qytetarëve, duke e përdhosur edhe sallën e Parlamentit.

Këto ego të sëmura të liderëve partiakë, të cilët nuk po dëshmojnë aspak se janë liderë, po funksionojnë përmes kanaleve të fshehta për të shantazhuar disa deputetë të komuniteteve joshumicë, duke u premtuar komuna të reja, përfitime dhe pozita të ndryshme, me qëllim të sabotimit të konstituimit të Parlamentit të Kosovës.

Të gjitha këto që u thanë më sipër dëshmojnë se parimet dhe morali në politikë janë limituar apo konsumuar deri në masën e fundit. Këto obstruksione nga njerëz të papërgjegjshëm po e dëmtojnë shtetin e Kosovës edhe në raport me institucionet e ndryshme të Bashkimit Evropian, duke bllokuar qindra miliona euro nga fondet e BE-së për Kosovën.

Prandaj, këta deputetë që po e mbajnë peng formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve nacionale janë përgjegjësit kryesorë dhe sabotuesit e vullnetit të qytetarëve të këtij vendi.

Në fund, shtrohet pyetja: a gaboi populli që e votoi Albulena Haxhiun si deputeten më të votuar në Parlamentin e Kosovës, apo po gabon opozita që po vepron kundër vullnetit të elektoratit, për interesa të ngushta personale dhe partiake?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat