PDK, LDK, AAK dhe NISMA përpëliten e plasariten si kripa në prush, sepse e dinë që pa ia kthyer paratë e vjedhura multimilionëshe popullit të Kosovës, pa dhënë përgjegjësi për vrasjet e kundërshtarëve politikë, pa u përgjigjur para ligjit për tradhtitë ndaj Kosovës dhe pa u reformuar dhe distancuar nga keqqeverisjet pas çlirimit e gjer më sot, vota në Kosovë nuk mund të marrin dhe fituese të zgjedhjeve kurrë nuk mund të jenë.
Dështoi edhe përpjekja e gjashtë më 29 prill 2025 që Albulena Haxhiu, kandidate e Vetëvendosjes, të zgjidhet kryeparlamentare e Kosovës.
Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve, nuk heq dorë nga Albulena Haxhiu, ndërsa PDK, LDK, AAK dhe NISMA kërkojnë propozimin e një kandidateje tjetër, me pretekstin se gjoja na qenka përçarëse!
Kjo tregon se Albulena Haxhiu, si ministre e Drejtësisë së Kosovës në katër vitet e kaluara, ua ka futur frikën në palcë PDK-së, LDK-së, AAK-së e NISMËS, me insistimin për reformën në drejtësi, prokurori, me Vetingun dhe sidomos me Ligjin për Byronë e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, ligj zbatimin e të cilit opozita tashmë po e zvarrit, duke e dërguar për të dytën herë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, gjykatë të cilës herën e parë iu deshën më shumë se një vit që ta japë mendimin e saj negativ.
Albulena Haxhiu, si ministre e Drejtësisë, arriti që Këshillin Prokurorial të Kosovës ta reduktojë në 7 anëtarë, që është një goditje e fuqishme ndaj prokurorëve sekserë të instaluar nga ish-pushtetet në Kosovë, e që po punojnë me mendësinë e pushteteve të kaluara të Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt.
Hekuran Murati – ministër i Ekonomisë – deklaroi: “Kjo vjen si rezultat për shkak se një pjesë e deputetëve refuzon që të votojë për Albulena Haxhiun. Dhe të njëjtit po ankohen që po ka bllokadë. Ne kemi dëgjuar se deputetë individualë kanë shprehur dëshirë që të votojnë për, por janë qëndrimet partiake që nuk po i lejojnë,” tha Murati.
Memli Krasniqi – kryetar i PDK-së – deklaroi: “Shpreh keqardhje për këtë tallje që po bëhet nga ana e partisë së parë, e cila po sillet me mentalitetin e njëjtë. Demokracia funksionon me shumicë e jo me imponim. Institucionet janë të popullit dhe jo të një partie politike. Duhet të kuptohet se ka shkuar koha e udhëheqjes së një partie,” tha Memli Krasniqi.
O Memli Krasniqi, duhet ta kesh të qartë se Vetëvendosje e Albin Kurtit ka koalicion me Partinë Guxo dhe me Alternativën. Për çfarë demokracie po flet dhe për çfarë institucionesh po flet, kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Vlora Çitaku dhe shumë të tjerë si këta, gjatë luftës dhe pas luftës, e katandisën Kosovën me vëllavrasje për pushtet, vrasjen e gazetarëve për fjalën e vërtetë, e vodhën dhe e tradhtuan Kosovën, duke e rrezikuar edhe me bashkëngjitjen e Veriut të Kosovës Serbisë gjenocidale.
Ramush Haradinaj – kryetari i AAK-së – deklaroi: “Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Vetëvendosjes i kemi dhënë opsione të nxjerrë kandidatura të tjera dhe shpresoj që në seancë ta propozojnë një kandidaturë unifikuese,” tha Haradinaj.
O Ramush Haradinaj, ktheja hajnitë milionëshe që ia vodhe Kosovës, ktheja Kosovës 8 mijë e 200 hektarë bjeshkë të Kosovës që ia fale Malit të Zi kur ishe kryeministër, e tani bisedojmë qejfin që e ke për kandidatura unifikuese. “E di kapaku se çka ka vorba,” thotë populli. E di Vetëvendosje se çka i nevojitet Kosovës për të ecur përpara në forcimin e shtetit – gjë që Albin Kurti me Vetëvendosjen e dëshmuan në katër vitet e kaluara të qeverisjes.
Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, e ka akuzuar Vetëvendosjen se po i mban peng institucionet e Kosovës. “Pengmarrja e institucioneve nga ana e Vetëvendosjes po iu kushton qytetarëve. Pa dashje jemi pjesë e këtij teatri, që tashmë po besoj është bërë mjaft për secilin qytetar të Kosovës,” tha Hykmete Bajrami.
Oj Hykmete Bajrami, LDK-ja jote paraprakisht duhet ta heqë Isa Mustafën si kryetar nderi, i cili për qëllime karrieriste bëri koalicion me PDK-në dhe Hashim Thaçin. Dhe po ky Isa Mustafa, si kryeministër, e nënshkroi në Bruksel Marrëveshjen për Asociacionin serb në Kosovë dhe e shujti krejtësisht frymën e Ibrahim Rugovës në LDK.
Oj Hykmete Bajrami, para se të arrish te Albin Kurti e Vetëvendosje, pyete Lumir Abdixhikun, Lutfi Hazirin e të tjerët si këta: si ju zë gjumi dhe si keni fytyrë të dilni para popullit e të kërkoni vota, ndërsa i keni lënë në harresë qindra veprimtarë e aktivistë të LDK-së që u vranë prapa shpine.
Pyete Lumir Abdixhikun: çka e lidh me tradhtarët Edi Ramën dhe Baton Haxhiun?!.
Fatmir Limaj – kryetari i Nismës Socialdemokrate – deklaroi se “nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja në situatën e krijuar të bllokadës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe më pas formimin e qeverisë, por duhet dikush të mbajë përgjegjësi,” tha Fatmir Limaj.
O Fatmir Limaj, ti e di shumë mirë se po pati zgjedhje të jashtëzakonshme, ti nuk do ta kalosh as pragun, ndërsa PDK, LDK dhe AAK do t’i marrin vetëm votat e familjarëve dhe të vasalëve të tyre.
Shkurt e shqip: Kosovës i duhet Albin Kurti – kryeministër i pastër si floriri – e jo opozita llum e baltë që po përpiqet ta shpëtojë hajninë, pasurinë dhe tradhtinë që ia shkaktuan Kosovës.