Legjislatura IX, seanca X, deputetë, gazetarë dhe lojëra pakufi!!!

Opinione

Legjislatura IX, seanca X, deputetë, gazetarë dhe lojëra pakufi!!!

Nga: Gëzim Muçolli Më: 3 maj 2025 Në ora: 20:52
Ilustrim

Kanë kaluar SHUMË ditë nga data kur votuam për të zgjedhur parlamentin e Republikës së Kosovës.
Votuam për zgjedhjen e atyre që do të flisnin në emër të qytetarëve, pra në emër të popullit që ne e quajmë sovran.
As sot me 3 maj nuk kemi ende parlamentin e zgjedhur.
Nuk është mirë për neve. as për juve, as për ata!
Mirë është vetëm për mohuesit e shtetit të Kosovës dhe për armiqtë e shqiptarëve!

Nuk ka ende vullnet për tu tejkaluar pengesat që po ia qesin vetit dhe njëri tjetrit deputetët e zgjedhur të këtij parlamenti që ende nuk u formua.
Ata po dëshmojnë me insistim të vazhdueshëm bindjen e tyre se nuk janë zgjedhur për neve po për kryetarët e partive të veta.
Nuk po heqin dorë nga inatet e trashëguara nga fushata (antifushata) e fundit zgjedhore ku në vend të seriozitetit dhe përgjegjësisë, dëgjuam sharje dhe pamë mungesë korrektësie dhe mosnjohje të komunikimit demokratik qytetar.

Ndoshta po presin ardhjen e ambasadorit të ri të SHBA në Prishtinë me ndonjë zarf si ai i ish-ambasadorit Dell.
Ndërgjegjja provinciale dhe edukata patriarkale do të arsyetonin duke thënë se u pajtuan për hatër të Amerikës!

Njoh deputetë dhe deputete të partive të ndryshme, të mirë e të ndershëm të kësaj legjislature por që ende po duken të ngurtësuar, në ecjen përpara drejt konstituimit të Parlamentit të ri. Janë zgjedhur me votat e qytetarëve që iu kanë dhënë besimin për ti shërbyer vendit dhe për t'ua përmirësuar jetën qytetarëve kosovarë.

Ka informacion se fushata zgjedhore ka qenë e shtrenjtë dhe dikujt i ka kushtuar gati deri në 30 mijë euro!
Mirë për ata që patën sukses dhe u zgjodhën, por a po mendon kush nga ta për kandidatët tjerë që nuk mundën të sigurojnë votat për tu zgjedhur.

Po sikur të shkohet prap në zgjedhje cili do të ishte çmimi i demokracisë?!
Sa vetë dhe cilët do të ishin ata që do ta përballonin një çmim të ri të shpenzimeve elektorale?
Por mbi të gjitha cili do ishte çmimi i besimit të humbur tek ju që po e tërhiqni zvarrë vendin për një inati pa fre në emër të së drejtës të të qenurit "i fyer i rrejshëm", për të fshehur fragjilitetin dhe humbjen e dëshiruar të kontaktit me realitetin, në emër të manipulimit me votën e fituar në zgjedhjet e fundit.

Unë pres nga ju të zgjoheni nga gjumi i kënaqësisë momentale që mund të sjellë çfarëdo strategjie manipuluese, të ktheheni në rolin dhe detyrën tuaj dhe me inteligjencë dhe elegancë ta ktheni vullnetin dhe zërin e qytetarëve në Shtëpinë e Popullit.

E në emër të lirisë së shprehjes dhe të shtypit me përgjegjësi po e them se nuk kam dëshirë që të ndodhë e kundërta e të "digjet" ligjërisht kjo legjislaturë, sepse do të mbeteshit në histori si gra e burra jo të vërtetë po prej kashte!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat