Krizë politike dhe sfidat kushtetuese në funksionimin e Kuvendit: Roli i Presidentes dhe kufizimet e kompetencave

Opinione

Krizë politike dhe sfidat kushtetuese në funksionimin e Kuvendit: Roli i Presidentes dhe kufizimet e kompetencave

Nga: Qani Shabani Më: 16 maj 2025 Në ora: 11:54
Qani Shabani

Në një periudhë kur vendi po përballet me një krizë të thellë politike, ku moszgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe bllokada parlamentare kanë paralizuar institucionet demokratike, është më se e nevojshme të analizojmë në mënyrë të qartë dhe të thelluar rolin e secilit aktor institucional dhe kufizimet ligjore që duhen respektuar për të ruajtur stabilitetin dhe funksionimin e shtetit ligjor.

Kriza politike nuk është thjesht një mosmarrëveshje e thjeshtë mes forcave politike, por një sfidë e madhe për vetë themelet e demokracisë dhe ndarjes së pushteteve në vend.

Në këtë kontekst, është jetike të kuptohet se nuk mund të përdoren instrumente kushtetuese si mjet për tejkalimin e krizave politike, sidomos kur këto instrumente kanë kufizime të qarta ligjore dhe kushtetuese. Çdo përpjekje për të shfrytëzuar në mënyrë të keqe kompetencat e Presidentes apo të Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur boshllëqet e shkaktuara nga mosfunksionimi i Kuvendit, përbën jo vetëm shkelje të rregullave kushtetuese, por edhe kërcënim serioz për demokracinë dhe shtetin ligjor

Këto probleme kërkojnë një qasje të matur politike dhe institucional, ku përgjegjësia dhe pjekuria e aktorëve politikë të jenë në plan të parë, duke shmangur manipulimet dhe interpretimet selektive të Kushtetutës vijim, analizohen me hollësi kompetencat ligjore të Presidentes dhe Kuvendit, si dhe roli i Gjykatës Kushtetuese në këtë kontekst, duke nxjerrë në pah pasojat e mundshme të shkeljes së parimeve bazë kushtetuese dhe të ndarjes së pushteteve.

Neni 113.3 i Kushtetutës i jep Presidentes kompetencën e qartë dhe të kufizuar për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve normative të Qeverisë. Ky nen nuk mund të shfrytëzohet si mjet për të tejkaluar krizën politike që burojnë nga mosveprimi i deputetëve brenda Kuvendit. Moszgjedhja e Kryetarit të Kuvendit nuk është as akt qeveritar, as akt normativ, por një boshllëk politik dhe përgjegjësi ekskluzive e Kuvendit për të funksionuar. Përpjekja për ta trajtuar këtë si çështje kushtetuese është manipulim i hapur i Kushtetutës dhe cenim i rëndë i parimit themelor të ndarjes së pushteteve.

Për më tepër, neni 66 i Kushtetutës është i qartë dhe i pakthyeshëm: zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet me shumicën e deputetëve në seancën e parë. Nëse partitë politike nuk arrijnë të sigurojnë këtë shumicë, përgjegjësia nuk mund të shmanget me kërkesa jokushtetuese apo interpretime selektive. Ky është momenti ku duhet të dalin përpara përgjegjësia dhe pjekuria politike, jo manipulimi me Kushtetutën për të fshehur paaftësinë dhe egoizmin politik.

Çështje e Kompetencave dhe Parimi i Ndarjes së Pushteteve dhe i kompetencave të Presidentes është i qartë; nëse Presidentja do të insistonte në interpretim të gjerë të nenit 113, do të krijonte një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm, që do të dobësonte themelet e demokracisë dhe do të hapte derën për ndërhyrje të padrejta në institucionet legjislative. Ndarja e pushteteve nuk është thjesht një formulë ligjore, por është mburoja kryesore kundër kapjes së shtetit dhe abuzimit me pushtetin.

Presidentja nuk duhet të kthehet në një arbitër politik me pushtete jashtë kufijve kushtetues, sepse kjo do të minonte besueshmërinë dhe funksionimin normal të institucioneve. Roli i saj është të jetë përfaqësuese e unitetit shtetëror, për të nxitur dialogun politik dhe jo për të uzurpuar kompetencat e Kuvendit apo për të krijuar precedentë që do të shkatërrojnë ekuilibrin pushtetesh.

Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe duhet të mbetet një institucion që ruan qetësinë dhe sigurinë kushtetuese, duke ndërhyrë vetëm kur ka shkelje të qarta dhe të pariparueshme. Ky ngërç, që buron nga paaftësia politike dhe mungesa e gatishmërisë për kompromis, nuk mund të zgjidhet me anë të interpretimeve juridike selektive apo kërkesave të jashtme për ndërhyrje.

Thirrje për Zgjidhje Politike dhe Institucionale

Në këtë situatë kritike, thirrja është për maturi dhe përgjegjësi politike. Presidentja ka detyrën të lehtësojë dialogun mes palëve, por jo të tejkalojë kufijtë kushtetues dhe të ndërhyjë në kompetencat e Kuvendit. Çdo përpjekje për të përdorur Kushtetutën si mjet për të tejkaluar mosveprimin dhe bllokadën politike është jo vetëm jokushtetuese, por edhe e dëmshme për stabilitetin e vendit.
Zgjidhja e krizës duhet të vijë nga Kuvendi vetë, përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe aktivizimit të mekanizmave parlamentarë të përgjegjësisë. Vetëm përmes një marrëveshjeje të bazuar në respektin për Kushtetutën dhe interesin e qytetarëve mund të kapërcehet kjo krizë pa pasoja afatgjata për demokracinë dhe shtetin ligjor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat