Nexhmedin Spahiu të intervistohet nga prokuroria për takimin me Gjuriqin

Opinione

Nexhmedin Spahiu të intervistohet nga prokuroria për takimin me Gjuriqin

Nga: Faton Mehmeti Më: 18 maj 2025 Në ora: 16:54
Autori Faton Mehmeti

Pa fije turpi, Nexhmedin Spahiu, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se është takuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq. Për këtë takim ka shkruar edhe vetë Gjuriq, duke i dhënë jehonë me fjalët: “Një bisedë me profesor Nexhmedin Spahiun për mënyrat e tejkalimit të tensioneve dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike”, ka shkruar ai.

Çfarë roli apo pozite ka Spahiu që të bisedohet për "marrëdhënie ndëretnike"? Për këtë takim, ai duhet menjëherë të intervistohet nga Prokuroria e Shtetit. Aq më tepër kur dihet se kush është dhe çfarë përfaqëson personi (Gjuriq) që Kosovën e quan "pjesë të entitetit serb" dhe që ka mbajtur pozita të rëndësishme paralele në Kosovë.

Është po ky Gjuriq që, edhe sa ishte ambasador i Serbisë në SHBA, kishte takuar kriminelin Radoiçiq, për të cilin takim kishte reaguar edhe vetë SHBA. Kjo kishte ndodhur hiç më larg se në mars të vitit të kaluar, pas ngjarjeve në Banjë.

Gjuriq njihet si një ndër politikanët më famëkeq në këtë drejtim. Ai në shumë raste ka shpërfillur autoritetet e Kosovës, duke hyrë brenda vendit pa marrë lejen përkatëse. Megjithatë, në një rast më 26 mars 2018, ai ishte arrestuar në Mitrovicën e Veriut nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, pasi po qëndronte pa leje në territorin e Kosovës.

Katërgjyshi i tij nga ana e nënës ishte famëkeqi Nikolla Pashiq, i cili kishte shërbyer si Kryeministër i Serbisë dhe Jugosllavisë gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, në një periudhë kur forcat e tij kishin kryer masakra ndaj popullsisë shqiptare. Ai kishte pasur bindje të forta fashiste dhe kishte shtyrë përpara idenë gjenocidale të “Serbisë së Madhe”, me pasojat e mëdha që pasuan më vonë, ku shqiptarët e Kosovës pësuan më së shumti.

Spahiu duhet të ndihet i turpëruar, jo i ekzaltuar, që takon aleatin e Vuçiqit – njeriun që çdo ditë e natë punon kundër shtetit të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat