Prej më shumë se dy vitesh Izraeli e mban Gazan dhe dy milionë e ca banorët e saj palestinezë në rrethim. Në fakt u ka kërkuar që ata të largohen nga atdheu, të lëshojnë pronën, tokën, banesat, të lenë pasuritë dhe gjithçka kanë, bashkë me to edhe kujtimet, dhe të ikin, të zhduken. Këta më shumë se dy milionë njerëz që rastësisht zoti u ka dhënë emrin palestinezë, vuajnë për ushqim, për ujë, për energji elektrike, për ilaçe, përgjithçka që u duhet të jetojnë. Por qeveria e Netanjahut dhe shteti izraelit nuk lejojnë që organizatat ndërkombëtare humanitare të hyjnë në Gaza e t’u japin ndihmë banorëve të saj. Përveçse ushtria izraelite gjatë kësaj kohe ka vrarë rreth 60 mijë gra, burra, fëmijë, pleq palestinezë të pafajshëm, prej kohësh shteti izraelit luan me jetën e mbi 2 milionë të tjerëve palestinezë. Nga bombardimet izraelite kanë humbur jetën mbi 22 mijë fëmijë të pafajshëm, siç jetojnë fëmijët në pafajësi. Viktimat e Gazës janë tetë herë më shumë sesa ato të Srebrenicës. Ndërkohë që Srebrenica është emërtuar si gonocid, Gazën nuk guxojnë ta konsiderojnë të tillë.
E megjithë këto masakra e këto akte çnjerëzore e mizore, bota “ka frikë” t’i thotë Izraelit “mjaft është mjaft”! Nuk do që ta ndalojë në këtë akt genocidi më të madhin pas Luftës së Dytë Botërore. Kur lindi fjala genocid në të drejtën polake në vitin 1946, ajo fjalë u lidh me kuptimin e zhdukjes për shkak të genit të ndryshëm me dhunuesit, masakruesit dhe genociduesit. Ky term u përdor për herë të parë për të përcaktuar genocidin hitlerian kundër judëve në kampet e shfarosjes në Holokaust dhe vende të tjera zonat e pushtuara. Fjala Genocid në shkencën juridike, politike dhe sociale kodifikohet me krimet kundër njerëzimit. Qëllimi i Hitlerit ishta zhdukja e një etnie, një geni, pra një rrace që mendonte dhe besonte ndryshe nga nazistët, shkurt zhdukja e hebrejve. Ai genocid i paparë në histori u dënua ashpër mbas Luftës së Dytë Botërore dhe për ta parandaluar diçka të tillë në të ardhmen Organizata e Kombeve të Bashkuara miratoi me 10 dhjetor 1948 Konventën Mbrojtjen dhe Parandalimin e Krimeve kundër Njerëzimit. Më pas u ngritën gjykata të shumta e të ndryshme ndërkombëtare për ta ndëshkuar atë që pati ndodhur me hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe në rastet e tjera të pasluftës. Në këto gjykata bën pjesë gjithashtu Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve në ish-Jugosllavi, e cila ka dënuar krimet kundër njerëzimit të ktyera në Bosnjë-Hercegovinë, në Kosovë dhe në Kroaci.
Nëse lexojmë raportet dhe reportazhet e Hannah Ahrend, ose kujtimet e Anna Frank apo të tjera dokumente pa fund për genocidin hitlerian kundër hebrejve, çdokush ndjen neveri për ato akte dhune e tmerri të asaj kohe. Ndaj dhe me të drejtë prej më shumë se 80 vitesh hebrejtë kudo në botë i përkujtojnë këto akte makabre të makinerisë ushtarake e policore të Adolf Hitlerit. Po hebrejtë e sotëm pse nuk ndjejnë neveri me të njëjtin lloj genocidi që kryeministri Netanjahu dhe qeveria e tij u bëjnë palestinezëve në Gaza e jo vetëm në Gaza?! Të gjitha aktet e dhunës e të terrorit genocidist sot në Izrael justifikohen me luftën kundër Hamasit. A nuk kishte edhe Hitleri justifikimet e tij për genocidin që shkaktoi ndaj hebrejve?!
Të izolosh në uri e në skamje një popull prej më shumë se dy milion njerëzish thjesht për shkak se ti kërkon ta pushtosh dhe shpopullosh territorin ku ata jetojnë, është sipas Konventës Ndërkombëtare të Luftës Kundër Genocidit, krim kundër njerëzimit, shkurt, genocid kundër një populli tjetër. Ashtu si për Hitlerin, edhe për Netanjahun arsyeja e këtij genocidi është zhdukja e një populli tjetër, i cili konnsiderohet i rrezikshëm për Izraelin dhe izrealitët. Bëhet fjalë për zhdukjen e një race, e cila po bëhet pengesë për zgjerimin e territoreve të Izraelit, nëse kemi parasysh planet që tashmë janë bërë të njohura për realizimin e këtij qëllimi.
Krahas kësaj dhune u lajmërua se Izraeli po ndërton 22 vendbanime të reja në me qëllim kolonizimin e këtyre territoreve, pra me qëllim që ta ndryshojë strukturën e popullsisë në vendbanimet izraelite. A nuk është edhe kjo një vepër genocidiale?! Kolonizimi është gjithmonë akt pushtimi i përhershëm dhe tjetërsimi të territoreve që i përkasin një populli tjetër. Kjo ka ndodhur në Kosovë që prej vitit 1876, kur përmes dhunës dhe masakrave shqiptarët u detyruan të largohen nga vendbanimet e tyre dhe ato territore u populluan me serbë. Nëse kemi parasysh përcaktimet e Konventës Ndërkombëtare të Luftës Kundër Genocidit, pra të parandalimit të krimeve kundër njerëzimit, atëherë vërehet me shumë keqardhje se Izraeli po kryen genocidin më të madh në historinë e mbas Luftës së Dytë Botërore. Se si mund ta tolerojë këtë akt genocidi një popull, i cili ka vuajtur nga e njëjta sindromë, kjo është për t’u studiuar nga psikologjia politike dhe njerëzore. Por logjika shkon në të kundërtën e asaj që bëhet në Gaza. Dhe logjika sipas filozofisë, është themeli i zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Ajo që po ndodh në Gaza me vrasje masive të njerëzve të pafajshëm, me shkatërrimin e vendbanimeve dhe pronave të palestinezëve, me izolim total, me qëllim zjdukjen fizike përmes urisë, etjes dhe mungesës së ilaçeve, është tipikisht një akt çnjerëzor, të cilin kushdo që ka ndjenja njerëzore duhet ta dënojë. Nëse nuk e dënojmë sot këtë dhunë genocidiale në Gaza, nesër nuk duhet të ankohet askush pse do të dhunohet e ndoshta asgjësohet në pragun e shtësisë së tij. Dhuna prodhon dhunë! Bota duhet të zgjohet! Nëse qeveritë heshtin, nuk duhet e nuk mund të heshtin popujt, sidomos të rinjtë dhe studentët!