Nga goditja ajrore në konfrontim rajonal: A do të eskalojë konflikti Izrael-Iran në luftë të hapur?”

Opinione

Nga goditja ajrore në konfrontim rajonal: A do të eskalojë konflikti Izrael-Iran në luftë të hapur?”

Nga: Prof. Dr. Muhamet Racaj,gjeneralmajor Më: 16 qershor 2025 Në ora: 13:01
Prof. Dr. Muhamet Racaj, gjeneralmajor

Përshkallëzimi i tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, veçanërisht pas sulmeve ajrore të Tel Avivit dhe kundërpërgjigjes së kufizuar iraniane, ka vënë në pikëpyetje jo vetëm sigurinë rajonale të Lindjes së Mesme, por edhe ekuilibrat globalë. Ndërsa analisti kroat Robert Bariq vlerëson se synimi i Izraelit nuk është shkatërrimi i kapaciteteve bërthamore iraniane, por ndryshimi i regjimit në Teheran, analiza jonë sugjeron një skenar më kompleks dhe më të ndërlikuar – ku përfshihen jo vetëm interesat e Izraelit dhe Iranit, por edhe strategjitë amerikane, qëndrimi i Rusisë dhe heshtja e Kinës.

*A do të eskalojë konflikti në një luftë të hapur?

Përgjigjja varet nga tri shtylla:

• Roli vendimtar i SHBA-ve: lntervenimi ose jo i Uashingtonit do të përcaktojë natyrën e konfliktit. Megjithatë, duhet theksuar se administrata amerikane – pavarësisht nga luhatjet mes Trump dhe Biden – ka interesa të qëndrueshme në ruajtjen e status quo-së në Gjirin Persik, jo për arsye paqësore, por për të menaxhuar rivalitetin ekonomik dhe ushtarak me Kinën. Një konflikt i hapur me Iranin do të nxiste destabilitetin e gjithë rajonit dhe do të çonte në shpërthimin e një lufte hibride që mund të përfshinte Irakun, Libanin, Sirinë dhe ndoshta edhe Arabinë Saudite.

• Kapacitetet ushtarake të kufizuara për luftë tokësore: As Izraeli dhe as Irani nuk janë të përgatitur për një ofensivë tokësore të qëndrueshme. Doktrina ushtarake e Izraelit është kryesisht ajrore dhe e bazuar në superioritetin teknologjik, ndërsa Irani është i organizuar më shumë për luftë asimetrike dhe operacione të zgjatura të milicive të përfaqësimit (Hezbollah, Houthi, etj.). Prandaj, një luftë e drejtpërdrejtë në terren është pak e mundshme, por një luftë e përfaqësuesve dhe një luftë kibernetike janë shumë të mundshme.

• Iranit i intereson përshkallëzimi i kontrolluar: Ndryshe nga mendimi se Irani kërkon vetëm mbrojtje, është e qartë se Teherani dëshiron të fitojë kapital politik nga kriza, duke e paraqitur veten si lider i rezistencës kundër “imperializmit izraelito-amerikan.” Në këtë kontekst, përshkallëzimi i kontrolluar, por jo një luftë e plotë, është në interesin strategjik të Iranit.

A ka Irani kapacitete për armë bërthamore?

Për këtë pyetje duhet një analizë më e thelluar. Është e vërtetë që infrastruktura bërthamore e Iranit është e shpërndarë dhe pjesërisht e goditur, por nuk është neutralizuar. Raportet e IAEA (Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore) sugjerojnë se Irani është shumë pranë nivelit të pasurimit që do t’i mundësonte ndërtimin e një arme bërthamore, por pa prova të qarta për miniaturizimin dhe montimin e saj në raketa balistike. Sidoqoftë, strategjia e “ambiguitetit bërthamor” (ngjashëm me Izraelin) i jep Iranit fuqi parandalimi – një armë psikologjike më shumë se reale për momentin.

Cilat janë ndikimet në rajon dhe më gjerë?

• Lindja e Mesme do të destabilizohet edhe më shumë: Një përshkallëzim ushtarak do të ndezë vatra të tjera konflikti në Irak, Siri dhe Liban. Milicitë e mbështetura nga Irani janë të gatshme për të vepruar, ndërsa vendet arabe do të ndahen mes aleancave me Perëndimin dhe qëndrimeve të buta ndaj Iranit.

• Bota do të polarizohet më tej: Kina dhe Rusia do ta shfrytëzojnë çdo rast për të akuzuar SHBA-të dhe NATO-n për destabilizim global, ndërsa Perëndimi do të forcojë narrativën e “kërcënimit iranian.” Kjo do të ndikojë negativisht në tregjet ndërkombëtare, çmimet e naftës dhe sigurinë energjetike globale.

• Rritet rreziku i një lufte hibride në Evropë dhe Azi: Sulmet kibernetike, sabotazhet, dhe përdorimi i agjentëve të infiltruar mund të zgjerojnë konfliktin përtej Lindjes së Mesme.

Përfundim dhe rekomandim

Ndërsa përplasja mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në një fazë kritike, një luftë e plotë mbetet ende e shmangshme. SHBA-të kanë çelësin për të penguar eskalimin përmes presionit diplomatik dhe koordinimit me aleatët rajonalë. Ndërkohë, duhet rritur monitorimi ndërkombëtar mbi programin bërthamor të Iranit dhe të rifillojnë përpjekjet për një marrëveshje të re të kontrollit të armatimeve.

Politika ndërkombëtare nuk ka më luksin e reagimeve spontane; nevojitet parandalim i qëndrueshëm, përndryshe konflikti në Lindjen e Mesme do të përhapet me pasoja katastrofike për gjithë botën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat