Kriza Kushtetuese në Kosovë: Sqarim për dorëzimin e mandateve, zgjedhjet e reja dhe votimin e fshehtë sipas deklaratave të Hasanit

Opinione

Kriza Kushtetuese në Kosovë: Sqarim për dorëzimin e mandateve, zgjedhjet e reja dhe votimin e fshehtë sipas deklaratave të Hasanit

Nga: Qani Shabani Më: 2 korrik 2025 Në ora: 22:51
Qani Shabani

Me vëmendje kam ndjekur deklaratat tuaja të fundit në "Depat Plus"mbi çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja pas kalimit të afatit 30-ditor.

Ju keni deklaruar se pas kalimit të afatit kushtetues, nuk mund të ketë zgjedhje të reja, sepse një veprim i tillë do të ishte në kundërshtim me rendin kushtetues.

Kjo është vetëm pjesërisht e saktë. Është e vërtetë që Kushtetuta e Kosovës nuk parashikon shpërndarjen automatike të Kuvendit nëse ai nuk konstituohet brenda 30 ditësh.

Megjithatë, nuk është e vërtetë se zgjedhjet e reja janë të pamundura. Kjo sepse ekziston një rrugë ligjore dhe kushtetuese: dorëzimi i mandateve nga deputetët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ose vetëshpërndarja e Kuvendit me shumicën kushtetuese të votave. Pa këto hapa, nuk mund të ketë zgjedhje, por është po aq e pavërtetë të thuhet se zgjedhjet janë të pamundura.

Nëse deputetët dorëzojnë mandatet në KQZ, procesi zhvillohet kështu. Deputeti, individualisht, depoziton dorëheqjen në KQZ. KQZ verifikon ligjshmërinë e dorëheqjes dhe njofton Kuvendin dhe institucionet përkatëse. Fillimisht, KQZ përpiqet të plotësojë vendet vakant nga listat rezervë të kandidatëve të partisë ose koalicionit. Nëse listat rezervë shterojnë ose dorëheqjet ndodhin në mënyrë masive, Kuvendi mund të mbetet me më pak se 61 deputetë, duke humbur kuorumin kushtetues për të funksionuar.

Në këtë rast, Presidenti i Republikës konstaton pamundësinë e funksionimit të Kuvendit dhe ka kompetencën kushtetuese për të shpallur zgjedhje të reja, sipas nenit 84, pika 3 të Kushtetutës. Ligji për Zgjedhjet përcakton se zgjedhjet duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga dita e shpalljes nga Presidenti. Pra, Presidenti është autoriteti që juridikisht shpall zgjedhjet e reja, pas konstatimit të bllokadës parlamentare ose pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.

Sa i përket votimit të fshehtë, ju keni deklaruar se konstituimi i Kuvendit bëhet pa votim të fshehtë. Këtu, deklarata juaj është plotësisht në përputhje me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka theksuar:

“Konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit bëhet me votim të hapur dhe transparent, dhe jo me votim të fshehtë.”

Ky vendim shuan çdo dilemë që ngritën disa deputetë apo aktorë politikë, të cilët kërkonin votim të fshehtë për Kryetarin e Kuvendit si një mënyrë për të devijuar rezultatin politik.

Megjithatë, në daljet tuaja publike, nuk e keni theksuar mjaftueshëm se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është thjesht interpretim politik, por një akt detyrues ligjor që shfuqizon çdo rregullore ose praktikë parlamentare që bie ndesh me Kushtetutën. Kjo ka rëndësi sepse disa deputetë ende po e paraqesin votimin e fshehtë si një opsion “rregulloreje,” duke krijuar konfuzion në opinionin publik.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka efekt erga omnes (për të gjithë) dhe është i detyrueshëm për Kuvendin, partitë politike dhe çdo organ tjetër shtetëror. Çdo përpjekje për të vendosur votim të fshehtë në seancën konstituive është nul dhe bie ndesh me rendin kushtetues.

Në përfundim, afati 30-ditor nuk sjell automatikisht zgjedhje të reja. Kjo është e saktë. Por zgjedhjet e reja janë të mundshme përmes dorëzimit të mandateve në KQZ ose vetëshpërndarjes së Kuvendit. Presidenti është autoriteti që i shpall ato. Votimi i fshehtë për konstituimin e Kuvendit është i papranueshëm dhe i ndaluar nga Gjykata Kushtetuese.

Është e rëndësishme që opinionit publik t’i paraqitet e gjithë tabloja kushtetuese, pa u reduktuar në deklarata të pjesshme që mund të krijojnë konfuzion institucional ose krizë politike.Kriza Kushtetuese në Kosovë: Sqarim për dorëzimin e mandateve, zgjedhjet e reja dhe votimin e fshehtë sipas deklaratave të Hasanit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat