5 korriku - 35 vjetori i sulmi ndaj Radio Televizionit të Prishtinës

Opinione

5 korriku - 35 vjetori i sulmi ndaj Radio Televizionit të Prishtinës

Nga: Ismail Muçiqi Më: 5 korrik 2025 Në ora: 14:44
Ismail Muçiqi

Sot bëhen 35 vite nga sulmi i forcave policore dhe ushtarake serbe të drejtuara nga shtabi i Millosheviqit, të cilat, të armatosura deri në dhëmbë, pushtuan mediumin më të rëndësishëm informativ kombëtar – Radio Televizionin e Prishtinës.

Ky institucion ishte ndër më të besuarit dhe më të respektuarit në vend, ku punonte ajka e inteligjencës Shqiptare në fushën e informimit. Radio dhe Televizioni i Prishtinës ishte ne krahë të kërkesave të popullit për zhvillimin e gjithmbarshëm shoqërorë, ekonomikë, të kulturës, arsimit dhe informimit, duke e mbrojtur me përkushtim autonominë e Kosovës të vitit 1974.

Edhe sot, pas 26 vite pas çlirimit të vendit, çdo qytetar që ka qenë dëshmitar i asaj kohe, e kujton me mall simbolin e fjalës së lirë dhe të informimit të pavarur, në kohën më kritike për Kosovën.

Ajo që është edhe më e dhimbshme është mënyra sesi institucionet Shqiptare të pasluftës, megjithëse e kishin pushtetin dhe mundësinë, ato e përbuzën me arrogancë këtë vlerë kombëtare.

Gazetarët, redaktorët, producentët, kameramanët, regjisorët dhe shumë kuadro të kualifikuara u lanë rrugëve, pa përkrahje dhe pa dinjitet – ndërkohë që pikërisht këta njerëz do t’i duheshin më shumë se kurrë shtetit të ri.

Vetëm njerëz pa dije, pa integritet dhe pa vizion mund të veprojnë kështu ndaj një plejade intelektualësh që dikur ishin ndër shtyllat kryesore të informimit në interes të shtetit dhe popullit të Kosovës. Mjerisht, sot kjo padrejtësi po kthehet në bumerang: Media e Kosovës po përjeton një krizë të thellë profesionale dhe etike. Nëse e krahasojmë nivelin e gazetarisë së para luftës me gjendjen aktuale të mediave, çdo qytetar i arsyeshëm ndjen brengë për degradimin e vazhdueshëm.

Dikur ishte nder të ishe pjesë e Radio Televizionit të Prishtinës – një institucion që kishte arritur në majen e kulmit te zhvillimit programor, teknik dhe kadrovik, duke u krahasuar me standardet më të avancuara të shteteve Evropiane. Ky institucion kontribuoi në ngjarje historike të rëndësishme për Kosovën: “pajtimin e gjaqeve”, “Shpalljen e Pavaresise se Kosoves” dhe “miratimin e Kushtetutës në Kaçanikut”, dhe fillimin e proceseve demokratike e pluraliste në vend.

Politika redaktuese dhe editoriale e RTPr-së ishte në krah të zhvillimeve pozitive për Kosovën. Sot, kur e kujtojmë këtë periudhë të errët dhe të dhimbshme, është e pashmangshme të theksojmë zhgënjimin e gazetarëve dhe profesionistëve të asaj kohe nga institucionet e Kosovës, të cilat jo vetëm që nuk i përkrahën, por punuan kundër tyre.

Pronat e ish-RTPr-së u uzurpuan nga oligarkët, klanet dhe të lidhurit me pushtetin. Përfundimisht, 1300 punëtorët te asaj kohe të këtij institucioni ishin një vlerë shtetërore dhe kombëtare që sot i mungon Republikës së Kosovës – si në profesionalizëm, ashtu edhe në etikën dhe ne kulturen profesionale te informimit.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat