Përmbajtja e propozimit:
Duke e parë zhvillimin e shpejtë urban dhe rritjen demografike në rajonin qendror të Kosovës, është bërë e qartë se komunat: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Vushtrria, Lipjani, Shtimja dhe Ferizaji, janë në një proces natyror të bashkimit fizik dhe funksional në një zonë të vetme metropolitane.
Ky zhvillim, në mungesë të një plani të koordinuar, rrezikon të prodhojë kaos urban, mbingarkesë infrastrukturore, ndotje mjedisore dhe një shfrytëzim joefikas të hapësirës publike dhe resurseve natyrore.
Propozimi im konkret është që Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmarrë një iniciativë shtetërore për hartimin e një plani të përbashkët strategjik për zhvillimin urban dhe infrastrukturor të kësaj hapësire që shumë shpejt do të funksionojë si një qytet i vetëm.
Ky plan duhet të përfshijë:
• Rrjetin rrugor dhe hekurudhor ndërkomunal
• Projektimin e një sistemi të përbashkët të kanalizimit dhe ujësjellësit
• Trajtimin dhe menaxhimin e përbashkët të mbeturinave
• Planifikimin e zonave të gjelbra dhe industriale
• Ndërtimin e një linje metroje/hekurudhe të lehtë që lidh këto qytete mes vete
• Një sistem të unifikuar të transportit publik dhe ekologjik
Pasi të hartohet plani në nivel qendror, zbatimi i tij të ndahet në faza dhe në kompetenca të secilës komunë, sipas territorit dhe detyrimeve që i përkasin në mënyrë të ndarë, por të koordinuar.
Përfundim:
Nëse nuk veprojmë tani me vizion dhe planifikim afatgjatë, ky zhvillim do të na dalë jashtë kontrollit. Kemi nevojë për një plan gjithëpërfshirës dhe një qasje kombëtare, ku komunat nuk konkurrojnë me njëra-tjetrën, por bashkëpunojnë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët.
Kosova ka mundësi dhe kuadro për të realizuar një projekt të tillë – duhet vetëm vullnet politik dhe vizion strategjik.