Kryetari i sapo zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se ngërçi politik gjashtëmujor ishte një shkollë demokracie. Po! Ka sens një arsyetim i tillë. Natyrisht që kishim të bënim me një trajnim dhe testim të demokracisë në Kosovë. Maratona e propozimeve dhe votat e munguara për zgjedhjen e preferencave të para për kreun e kuvendit nuk u shoqëruan me akte dhune, madje as me etiketime dhe rëndesa të diskursit politik. Dhe në këtë kuptim mund të konsiderohet se thelbi i zhvillimeve ishte demokracia dhe testimi i saj. Këtë provim e dhanë me sukses politikanët e vendit.
Dikush pati thënë se “po deshi Albin Kurti i jep fund menjëherë këtij ngërçi dhe institucionet krijohen menjëherë”! Edhe kjo është e vërtetë. Po të donte kreu i mazhorancës që t’ia jepte Fatmir Limajt vendin e numrit dy të shtetit, do të kishte aq vota për zgjedhjen e kryetarit. Po pastaj? Më pas qytetarët me të drejtë do të thonin se “Albin Kurti hoqi dorë nga misioni i tij për ta luftuar korrupsionin”. Më tej akoma – Kurti nuk do të kishte partnerë të tjerë për formimin e qeverisë. Për pasojë do të kishte sërishmi ngërç politik në Kosovë të stisura nga kapriçiot e dy-tre deputetëve të nismës socialdemokrate.
Kjo shkollë demokracie krijoi kushtet që kreu i parlamentit të zgjidhet me votat e opozitës reale të deputetëve të Partisë Demokratike dhe të AAK-së së Kosovës. Lidhja Demokratike, edhe nëse do të kishte të drejtë në votën e saj kundër, duke iu bashkuar votave të Listës Srpska bëri një autogol të paparashikuar. Edhe në këtë rast LDK mori një leksion demokracie. Atë se papjekuria dhe inati të ndëshkojnë me vendime të efektit kundër.
Megjithatë, zgjedhja e Dimal Bashës ishte sukses i padisktueshëm. Madje me një mesazh përtej Kosovës, për vazhdimësinë e aleancës dhe partneritetit me faktorin amerikan dhe auropian. Edhe zvarrija ose mos-zgjedhja e kandidaturave të mëparshme është në një farë mënyre pasojë e dëshirës për të ardhur deri te kandidatura e zotit Basha (Dimalit). U zgjodhën gjithashtu katër nënkryetarët e parlamentit, përkatësisht Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilja Rexhepi i minoritetit jo serb. Por nuk u zgjodh nënkryetari që i përket pakicës serbe. Lista Srpska nuk pranoi të kandidojë tjetër deputet të saj, veç deputetit Simiç, njëkohësisht nënkryetar i kësaj partie. Atëherë u përdor shorti. Pas tre a katër deputetëve erdhi rasti që shorti t’i takojë deputetit Nenad Rashiq. Por opozita votoi kundër, megjithëse zoti Murati kërkoi votën pro tij.
Vota kundër Rashiq është një goditje politike për opozitën, por edhe për Kosovën. Nuk e di se kë kanë parashikuar deputetët e opozitës si nënkryetar që përfaqëson minoritetin serb! Por ishte e pakuptimtë dhe e paarsyetuar në çdo pikëpamje të mundshme votimi kundër tij. Rashiq nuk i përket Listës Srpska dhe për pasojë së paku formalisht nuk merr urdhëra nga Beogradi. Si i tillë ai duhej votuar me të dyja duart. Shansi që erdhi në fakt nuk u shfrytëzua. Kjo përbën miopi politike dhe përkushtim të mangët në arsyetimin e interesave kombëtare të Kosovës.
Zvarritja e zgjedhjes së kreut të parlamentit të Kosovës dëshmoi njëkohësisht se partitë politike do të duhej dhe do të duhet që për përzgjedhjen e krerëve kryesorë të institucioneve të konsultohen me faktorin ndërkombëtar që ka sponsorizuar pavarësinë e Kosovës. Fakti që zoti Basha mori menjëherë urimet e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, dëshmon se miqtë e Kosovës kanë qenë në pritje të kandidimit dhe zgjedhjes së tij. Kjo do të thotë se periudha e ngërçit politik në Kosovë ishte edhe një lloj kalkulimi dhe loje politike. Këtë lojë politike Kurti e përdori për të evituar bashkëpunimin me Fatmir Limajn, ndërkohë që opozita për shkaqe elektorale. Opozita e djeshme donte të çonte në elektorat mesazhin se “është e pakompromis” dhe se “nuk lëshon përballë Kurtit”! Edhe kushtëzimet për të mos votuar ministrat, duket qartë se ishin mekanizma për të çuar te propozimi i pritur i kandidaturës së Dimal Bashës.
Përfundimisht të martën që shkoi u arrit një sukses i madh. U zgjodh kryetari i Parlamentit dhe katër nënkryetarët e tij. Nënkryetari i pestë duhet votuar menjëherë. Alibitë de lojërat politike për të mos e zgjedhur përfaqësuesin e Listës Srpska vetëm se vonojnë krijimin e qeverisë, sepse përndryshe kushtetushmërisht është e pamundur ta pengosh këtë përfaqësim. Më e mira do të ishte që minoritetin serb si nënkryetar ta përfaqësonte Nenad Rashiq!