Ambicia strategjike e Serbisë; Fuqia raketore moderne kërcënim për sigurinë e Ballkanit

Opinione

Ambicia strategjike e Serbisë; Fuqia raketore moderne kërcënim për sigurinë e Ballkanit

Nga: Prof. Dr. Muhamet Raca Më: 4 tetor 2025 Në ora: 06:33
Prof. Dr. Muhamet Raca

Parada ushtarake “Forca e Unitetit” e mbajtur në Beograd këtë vit nuk ishte thjesht një shfaqje ceremoniale e Forcave të Armatosura Serbe, por një manifestim i qartë i ambicieve strategjike të Serbisë për të forcuar pozitën e saj rajonale. Në këtë ngjarje u prezantua sistemi i ri raketor Sumadija/Vila, i zhvilluar nga Yugoimport-SDPR, që po ndryshon ndjeshëm peizazhin ushtarak në Ballkan. Ky sistem, që kombinon raketa balistike me municione (loitering) të avancuara (të afta të qëndrojnë në ajër duke kërkuar objektivin dhe ta godasin atë në momentin e përshtatshëm), përçon një mesazh politik dhe ushtarak për fqinjët dhe aktorët ndërkombëtarë¹.

1. Sistemi i ri raketor Sumadija/Vila

Sistemi Sumadija/Vila është një platformë modulare dhe vetëlëvizëse, bazuar në një kamion KAMAZ 8x8 me peshë prej 38 tonësh, që i jep mobilitet të lartë dhe mundësi ndryshimi të shpejtë të pozicionit pas çdo sulmi për të shmangur kundërsulmet².

Ky sistem mbart dy lloje armësh kryesore:Raketa balistike “Jerina-1” me diametër 400 mm dhe rreze veprimi deri në 285-300 km, me kokë shpërthyese prej 200-250 kilogramësh. Teknologjia e navigimit GPS dhe Inertial Navigation System (INS) siguron korrigjim e trajektores dhe goditje të saktë ndaj objektivave strategjikë si bazat ushtarake, aeroportet dhe nyjet logjistike³.Municioni loitering “Vila-1”, i aftë të qëndrojë mbi objektiva për periudha të gjata dhe të godasë me ngarkesë shpërthyese deri në 450 kg, duke siguruar mbikëqyrje dhe sulme të përsëritura në terren⁴.Ky kombinim ofron aftësi të menjëhershme dhe precize goditjeje, integruar me softuer modern C4I2 dhe UAV për mbledhje të informacioneve operacionale të inteligjencës duke e bërë sistemin një platformë rrjetëzuese efikase të luftës⁵. Kjo e bën Serbinë një nga pak vendet në botë me një sistem të tillë raketor të pavarur dhe të avancuar.

Serbia ka përforcuar kapacitetet e saj me sisteme izraelite si raketat PULS dhe dronët Hermes 900, duke formuar një arsenal me kapacitete të integruara sulmesh dhe mbikëqyrjeje¹¹.

2. Sistemi raketor PULS: Fuqia raketore e Izraelit në rajon

Sistemi PULS, i prodhuar nga Elbit Systems, është një sistem raketash vetëshkrepëse me shumë lëshues (MLRS) me shumëllojshmëri raketash: nga 122 mm (rreze 40 km) deri tek raketat taktike balistike me rreze deri në 300 km, si Predator Hawk. 

Ai është modular, iu përshtatet platformave të ndryshme, dhe ofron lëshim të shpejtë e preciz me një mision që përfundon nën një minutë. Sistemi lidhet me komponentë të avancuar C4I që sigurojnë kontroll komercial dhe inteligjencë situative në kohë reale. Në operacionet izraelite në Rripin e Gazës, PULS është përdorur intensivisht duke pasur pasoja të rëndësishme humanitare në zona me popullsi civile⁷.

3. Krahasimi rajonal: Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut

Në gjendjen e aktualizuar të kapaciteteve në Ballkan, Serbia pozicionohet dukshëm përpara fqinjëve me sistemin Sumadija/Vila⁶.

Kroacia ka investuar në sisteme raketore të avancuara me rreze më të kufizuar dhe fokus kryesisht në role mbrojtëse. Në vitin 2025, Kroacia miratoi blerjen e tetë sistemeve raketore HIMARS (High Mobility Artillery Rocket System), me vlerë rreth 290 milionë dollarë, duke përmirësuar ndjeshëm kapacitetet e saj raketore dhe duke i dhënë aftësi zjarri me precizion dhe mobilitet të lartë. Sistemet kroate përmbajnë teknologji moderne dhe janë të përshtatshme për mbrojtjen e territorit dhe për operacione mbështetëse të shpejta në terren me rreze efektive më të kufizuar krahasimisht me sistemin serb Sumadija/Vila.

 Kroacia ka një buxhet mbrojtjeje rreth 1 miliard euro në vitin 2025 dhe pjesën më të madhe të këtij buxheti e orienton në modernizimin e armatimit dhe pjesëmarrjen në operacionet e NATO-s, duke përfshirë forcimin e kapaciteteve raketore dhe mbrojtjen ajrore. Marinës kroate i përkasin anije luftarake me kapacitet raketor që funksionojnë në mbrojtjen bregdetare, por nuk ka sisteme raketore me rreze të gjatë dhe modularitet krahasues me Serbinë. Kroacia mbetet një nga forcat më të fuqishme ushtarake në Ballkanin Perëndimor për shkak të modernizimeve me teknologji të avancuara dhe pjesëmarrjes aktive në aleancat ndërkombëtare⁷.

Bosnja dhe Hercegovina nuk disponon kapacitete raketore me rreze të gjatë dhe është e fragmentuar në aparatin ushtarak⁸.

Mali i Zi ka kapacitete të kufizuara dhe mungesë aftësish në armët raketore⁹.

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut mbeten me arsenale modeste, të përqendruara në mbrojtje ajrore me rreze të shkurtër ose mesatare¹⁰.

4. Implikimet strategjike

Sistemet raketore Shumadija/Vila dhe PULS janë instrumente të fuqishëme politike dhe ushtarake, që tejkalonë thjesht mbrojtjen e territoritorit të Serbisë dhe kanë implikime të thella për stabilitetin rajonal. Ato rrisinë kapacitetin e Serbisë për projeksionin e forces dhe parandalim, gjë që ushqejnë pasiguri te fqinjët dhe rrezikojnë nxitjen e një gare të re armatimesh në Ballkan¹².

Zhvillimet në Ballkan, ashtu si prezantimi i sistemit Sumadija/Vila dhe PULS, kanë ndikim më të gjerë sesa vetëm rajonal. Përfshirja e faktorëve të mëdhenj globalë dhe interesave strategjike ndërkombëtare e bën rajonin një pikë nxehtësie potenciale:

               ● Rritja e tensioneve dhe garave të armatimeve në Ballkan mund të krijojë një efekt zinxhir që do të ndikojë në stabilitetin në Evropë dhe më gjerë, duke rrezikuar përshkallëzimin e konflikteve lokale në përmasa më të gjera.

                ● Përhapja e fuqisë ushtarake të Serbisë mund të sjellin aleanca ndërkombëtare dhe forcim të pranisë së komponentëve ushtarake evropianë dhe amerikanë në rajon.

                ● Një Ballkan i paqëndrueshëm keqëson rrjetet e sigurisë globale, duke përfshirë sigurinë energjetike, rrugët e komunikimit dhe integritetin e kufijve evropianë, të cilat janë prioritet për NATO-n dhe BE-në.

                 ● Nëse tensionet shëndërrohen në konflikte të përshkallëzuara, ekziston rreziku i ndërhyrjes ndërkombëtare me pasoja të paparashikueshme për sigurinë globale.

Kjo kërkon përgjigje të koordinuara dhe të mençura nga fqinjët dhe aktorët ndërkombëtarë, veçanërisht NATO dhe Bashkimi Evropian, për të ruajtur një ekuilibër delikat dhe për të shmangur përshkallëzimet e mundshme ushtarake.

5.Roli specifik i NATO-s dhe Bashkimit Evropian

NATO mbetet arkitektura kryesore e mbrojtjes kolektive në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë shtetet anëtare si Kroacia, Mali i zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si dhe duke ofruar mbështetje të rëndësishme për Kosovën përmes KFOR-it. Me zhvillimin e sistemeve të avancuara raketore nga Serbia afër kufijve të NATO-së, aleanca intensifikon vëmendjen ndaj mbrojtjes raketore dhe aftësive të përgjigjes së shpejtë ndaj kërcënimeve të mundshme.

Strategjia e NATO-s përfshin:

           ● Forcimin e kapaciteteve të paralajmërimit dhe mbrojtjes raketore në rajon, duke integruar sisteme të avancuara sensorësh dhe radarësh për detektimin e hershëm të sulmeve.

           ● Mbështetjen dhe modernizimin e ushtrive të aleatëve ballkanikë për të balancuar ndikimet ushtarake të fqinjëve që nuk janë anëtarë NATO-je.

            ● Promovimin e ushtrimeve të përbashkëta dhe aftësive interoperabile, që janë thelbësore për koordinim në rast nevoje përgjigjeje ndaj krizave.

            ● Angazhimin politik në dialogun rajonal për zvogëlimin e tensioneve dhe nxitjen e besimit midis vendeve.

Bashkimi Evropian ka një rol më shumë politiko-ekonomik, por me ndikim të jashtëzakonshëm në fushën e sigurisë përmes instrumenteve të bashkëpunimit dhe ndihmave për modernizim.

Në kuadër të procesve të integrimit evropian, BE-ja:

            ● Mbështet reformën e sektorit të sigurisë në vendet aspirante dhe potenciale anëtare, duke nxitur transparencën dhe kontrollin civil mbi forcën ushtarake.

             ● Investon në projekte të dialogut dhe pajtimit rajonal që ndihmojnë në reduktimin e tensioneve etnike dhe politike, shpesh thelbësore për ruajtjen e stabilitetit.

             ● Promovon bashkëpunimin rajonal në fushën e mbrojtjes civile, menaxhimit të krizave dhe sigurisë kufitare, duke ndihmuar në parandalimin e konflikteve.

             ● Bashkëpunon ngushtë me NATO-n për konsolidimin e sigurisë në Ballkan dhe bashkërendimin e strategjive për reagim ndaj kërcënimeve emergjente.

Përfundim

Paraqitja e sistemit raketor Sumadija/Vila dhe Puls nga Serbia shënon një pikë kthese kyçe në evolucionin ushtarak dhe strategjik të Ballkanit. Ky sistem përfaqëson jo vetëm një sukses teknik dhe industrial për Serbinë, por edhe një deklaratë të qartë ambicioni dhe fuqie në peizazhin përreth. Për fqinjët dhe komunitetin ndërkombëtar, kjo është një sfidë që kërkon përgjigje të mirë-koordinuara, inteligjente dhe me vizion.Në këtë kuadër, NATO dhe Bashkimi Evropian mbeten shtylla kryesore të stabilitetit dhe sigurisë, duke promovuar:       

         ● bashkëpunimin rajonal, 

         ● modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe 

         ● dialogun politik si mjetet më të mira për të shmangur një orbitë të re tensioni apo konflikti ushtarak në Ballkan.

Fati i paqes dhe stabilitetit në rajon do të ndikohet në mënyrë vendimtare nga mënyra sesi këto institucione ndërkombëtare dhe vendet e Ballkanit do të trajtojnë sfidat e reja strategjike për vitet që vijnë.

Literatura e shfrytëzuar:

1. Serbia unveils new heavy rocket system, Defence-Blog, 21.09.2025.

2. Serbia unveils new Sumadija missile system in Belgrade, Voeno delo, 22.09.2025.

3. Serbia's Sumadija/Vila System Unveiled, DefenseNews, 21.09.2025.

4. Sumadija Rocket System with 300km Strike Range, DefenseFeeds, 22.09.2025.

5. Advanced Long-Range Rocket System Explained, YouTube, 2025.

6. Balkan Powers Military Strength (2025), Global Firepower.

7. Croatia’s Missile Defense Capabilities in 2025, Military Reports.

8. Bosnia and Herzegovina Military Assessment, IFIMES, 2025.

9. Montenegro Defense Overview, Military Publications, 2025.

10. Albania, Kosovo, and North Macedonia Defense Capabilities, Regional Reports.

11. Israel’s Defense Systems in Serbian Arsenal, DefenseBlog, 2025.

12. Regional Security Challenges in the Western Balkans, NATO Foundation, 2025.

13. NATO’s Role in Western Balkan Security, NATO Foundation Journal, 2025.

14. The European Union and Regional Security Cooperation, EU Reports, 2025.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat