Pa përjashtim, të gjithë liderët opozitar i quajti hajvanat. Kjo nuk ishte në rregull. Me çfarë sakrifice, bërryla e lufte, e kishin fituar ato poste dhe pa kurrfarë respekti, t´i quash hajvanat. Në fillim hajvanati nuk ngriti peshë, po Abdixhiku ishte i pari i cili filloi ta analizoi këtë fjalë. Ky mund të ishte edhe ofendim ndaj meje, mendoi. E kërkoi fjalën në Fjalorin e Gjuhës Shqipe dhe nuk e gjeti, e kërkoi në Googel dhe nuk i dha sqarim, E pyeti edhe ChatGPT, por po ashtu nuk gjeti përgjigje.
E dinte se fjala hajvan është lokalizëm, që e përshkruan shkallën më të ultë të inteligjencës së një individi, po fjalën hajvanat, nuk e kishte dëgjuar asnjëherë. Mendimi ishte që të hulumtohet kjo fjalë edhe nga ekspertët e gjuhësisë.
Kishte mendime që këtë fjalë mund ta kishte shpikur vetë Kurti. Nëse është ashtu, do të duhej të shpallej si fjalë e vitit 2025, pse jo. Ajo bëri aq bujë të madhe këtë vit.
Të njëjtën rrugë sikurse Abdixhiku e kishin ndjekur edhe Haradinaj, Limaj, Dudija, Memli Krasniqi dhe të gjithë të tjerët që veten e radhisnin si lider opozitar. Mendimi i përgjithshëm ishte se Kurti, qëllimisht i kishte ofenduar dhe nënçmuar, të gjithë së bashku.
Rivaliteti gjatë fushatës zgjedhore sa vinte e shtohej dhe kur u vërejt se Kurtit i mungon disa kokrra, për formimin e qeverisë, të gjithë ata me emrin hajvanat u takuan së bashku dhe u morën vesh se si do t´mund t´i hakmerreshin Kurtit.
Haradinaj në fillim ishte më i zëshmi. Ai e akuzonte Kurtin si spiun të Serbisë dhe tradhtar.
Kurse Abdixhiku u çart kur anëtarësia i kërkonte koalicion me Kurtin. Ai më ka quajtur mua hajvanat, ndërsa ju më kërkoni koalicion me te, u arsyetua. Derisa LDK t´më takon mua, ai s´do merr votë as për parlament, as për qeveri e as për koalicion, ishte i prerë Abdixhiku. I të njëjtit mendim ishte edhe Memli Krasniqi.
Duartrokitje për një pakt të tillë u arriti nga Beogradi, Tirana, Grenell, Lista Serbe dhe grrenellat e tjerë brenda, e jashtë Kosove.
Si shkas i fazës së parë të bllokadës, ishte zonja Haxhiu. Bllokada vazhdonte me javë e muaj dhe kur u zëvendësua zonja Haxhiu, u gjet shkaku tjetër. U mundua të bllokohej Basha, shkaku i deklaratave të tij para një decenie, apo shekulli, po bllokada kryesore lidhej me Kurtin.
Ai akuzohej se opozitën e kishte quajtur hajvanat. Kurti u arsyetua se e respekton opozitën. Ajo është e domosdoshme për funksionimin e demokracisë dhe ne jemi përcaktuar drejt asaj rruge dhe perëndimit, por kot.
Kurti e bëri edhe një përpjekje dhe u tha se hajvanat, kurrsesi nuk e kishte quajtur opozitën, po fjalën e kisha për udhëheqësit e saj. Pra mos i keqinterpretoni fjalët, u tha me bindje.
Kurti, me arsyetimin më të ri, në vend se të rregullonte punë dhe të përpiqej ta zgjidhte problemin, ai e komplikoi çështjen edhe më shumë. Tash ata e kuptuan, se cilët më në fund i quante hajvanat. Frontet u ashpërsuar. Abdixhiku ishte më i zëshmi. Problemi kryesor është Kurti, tha.
Haradinaj nuk guxonte të akuzonte, sepse akuzat ndaj Kurtit i ishin kthyer si bumerang. Limaj i paraqiste kushte që t’ia merrte postet kryesore, kurse Dudija ankohej se Kurti nuk po i ofronte asgjë.
Albin Kurtit ishte afër dorëzimit. Nga presioni i Memli Krasniqit, Abdixhikut, Haradinajt, Limajt, Dudisë etj. e paraqiti Konjufcën si mandatar të qeverisë. Së pari ishte i detyruar të hiqte dorë nga zonja Haxhiu, kurse në fund edhe nga vetja, vetëm t’ua plotësonte kërkesat udhëheqësve opozitar, të cilët i kishte quajtur hajvanat. Po ç ‘ngjau? Opozita prapë e bllokoi procesin e formimit të qeverisë me Konjufcën në krye. Tash si duket ranë të gjitha maskat.
Nuk kishte qenë në pyetje as zonja Haxhiu as Kurti e as Konjufca, por po del se i gjithë ky lëmsh është Hajvanati.
Ndoshta do të ishte mirë që me kushtetutë t´i ndalohej Kurtit, përdorimi i fjalës hajvanat. Një zgjidhje duhet kërkuar. Abdixhiku po zien. Deri kur do ta mbaj LDK.
Mars - Rover (Satirë)