Pse Serbia nuk dorëzoi planet kadastrale – dhe si “Zajednica” shndërrohet në plan kornizë të ricopëtimit të Kosovës

Opinione

Pse Serbia nuk dorëzoi planet kadastrale – dhe si “Zajednica” shndërrohet në plan kornizë të ricopëtimit të Kosovës

Nga: Agim Vuniqi Më: 27 nëntor 2025 Në ora: 15:46
Autori Agim Vuniqi

Prej vitit 1999 e deri më sot, Serbia ka refuzuar me ngulm t’ia dorëzojë Kosovës planet origjinale kadastrale. Ky refuzim nuk është teknik, burokratik apo administrativ – është një strategji e qëllimshme shtetërore. Planet kadastrale janë dokumentet juridike që përcaktojnë qartë pronën, kufijtë, llojin e parcelave, dhe të drejtat pronësore. Pa këto dokumente origjinale, Kosova mbetet e cenuar në gjykata, ku pranohen vetëm dokumentet autentike, jo kopjet e sjella nga UNMIK-u apo të rikonstruktuara më vonë nga institucionet vendore.

Pse Serbia nuk dorëzoi kadastrin? — Strategjia e kontrollit territorial

Serbia e din mirë se kadastri është baza e sovranitetit. Pa kadasër, nuk ka pronë; pa pronë, nuk ka territor; pa territor, nuk ka juridiksion. Përmes mosdorëzimit të dokumenteve origjinale:

Serbia ruan kontroll të drejtpërdrejtë mbi kontestet pronësore në Kosovë;

e pengon funksionimin e gjykatave të Kosovës në rastet e trashëgimisë, legalizimit, privatizimit dhe investimeve;

krijon hapësirë për konteste të përhershme territoriale, të cilat mund të riaktivizohen kurdo që Beogradit i intereson.

Kjo strategji është konfirmuar edhe nga raportet ndërkombëtare. Raporti i Martti Ahtisaari (UN 2007) theksonte se Serbia i kishte dërguar në Beograd shumicën e dokumenteve kadastrale gjatë fushatës së viteve 1998–1999. Edhe Komisioni Evropian, në Raportet e Progresit (2010–2023), e ka përsëritur disa herë se Serbia nuk ka bashkëpunuar në dorëzimin e arkivave kadastrale dhe civil-regjistrave, duke krijuar probleme të mëdha juridike brenda Kosovës.

“Zajednica” – projekti më i sofistikuar për rikthimin e kontrollit paralel serb

Në këtë situatë delikate juridike, “Zajednica” shfaqet si projekti më i rrezikshëm i dekadës. Nuk është projekt vetëmenaxhimi komunal, siç prezantohet nga kushtruesit e saj, por është përpjekje e drejtpërdrejtë për krijimin e një strukture të ndërmjetme qeverisëse, me kompetenca që nuk i njeh as Plani i Ahtisaarit, as Kushtetuta e Kosovës, as opinionet e Komisionit të Venecias (2015–2023).

Komisioni i Venecias ka qenë i qartë: një asociacion me kompetenca ekzekutive, territoriale ose normative cenon rendin kushtetues dhe krijon një nivel të tretë të pushtetit — pikërisht atë që ndodhi në Bosnjë-Hercegovinë me Republikën Srpska, ku Bosnja u bllokua për 28 vjet.

“Zajednica”, siç prezantohet sot, i hap dyert: një fuqie paralele serbe brenda territorit të Kosovës; një sistemi të ri juridik e administrativ, i cili do të mund të prodhojë “realitet të ri kadastral”; dobësimit të pushtetit qendror dhe përforcimit të kontrollit lokal të komunave serbe në koordinim të drejtpërdrejtë me Beogradin.

Kjo prek thelbin e sovranitetit territorial, ashtu siç e përcakton edhe Konventa Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale (Këshilli i Evropës), e cila nuk lejon struktura ndër-komunale që ushtrojnë pushtet mbi pushtetin qendror.

Ahtisaari – dëshmi që rrëzon keqinterpretimet e sotme

Autorët që thonë se “Zajednica” është “në frymën e Ahtisaarit”, manipulojnë publikun. Vetë Ahtisaari në Planin e tij nuk ka paraparë një strukturë me kompetenca: Territoriale, ekzekutive, normative, të karakterit politik.

Ahtisaari parashikoi vetëm bashkëpunim horizontal ndërmjet komunave, jo krijimin e një enti të tretë që do të kishte mandat mbi ministritë e Qeverisë së Kosovës.

Nëse dikush donte të dinte mendimin e Ahtisaarit, ai mendim duhej kërkuar sa ai ishte gjallë ose nga ekipi i tij – jo të shpiket tani në vitin 2025, për t’i dhënë legjitimitet një projekti që nuk ka lidhje me të.

Interferimi përmes infrastrukturës – hekurudha që lidh “Zajednicën” me Serbinë

Projekti i BE-së për modernizimin e linjës hekurudhore brenda Kosovës dhe në drejtim të Serbisë është prezantuar si projekt i Integrimit Evropian të Ballkanit. Por nën rrogoz, Serbia e ka përshkruar këtë si korridor hekurudhor që do të lidhë drejtpërdrejt komunat serbe me territorin e Serbisë.

Kjo gjë përkon me analizat e European Union Agency for Railways (ERA) dhe të Transport Community Treaty, të cilat tregojnë se korridoret rajonale shpesh përdoren për ndikim politik, nëse nuk ka kontroll të fortë doganor dhe kufitar.

Nëse “Zajednica” merr formë institucionale:

Serbia fiton qasje në një korridor të kontrolluar politikisht;

Kosova humb të drejtën e kontrollit të transportit;

krijohet një infrastrukturë që e bën de facto territorin e komunave serbe zonë të lidhur me Serbinë, jo me Kosovën.

Nëse kadastri nuk është i Kosovës, atëherë as territori nuk është i Kosovës.

Rreziku i ri kadastral – portë drejt pretendimeve territoriale

Nëse Serbia ruan planet origjinale kadastrale dhe Zajednica krijon një realitet të ri juridik, atëherë ajo do të mund të: ndryshojë pronat publike, manastirale dhe private në favor të komunave serbe; krijojë konteste të reja që përputhen me pretendimet e viteve ’80–’90;

prodhojë elemente të një “zone autonome” që në një moment politik të favorshëm mund të shpallet “territor me status të veçantë”.

Ky model është përdorur nga Serbia edhe në Kroaci (Krajina), Bosnjë (Republika Srpska) dhe në Mal të Zi (përmes Kishës Ortodokse Serbe).

Heshtja qytetare është rrezik shtetëror

Nuk ka rrezik më të madh për shtetin se sa heshtja e popullit ndaj projekteve të tilla. Zajednica nuk është marrëveshje teknike; është projekt politik me pasoja gjeopolitike. Pranimi i saj i heshtur sot është: vdekje e heshtur e territorit të Kosovës nesër. Kosova nuk shkatërrohet vetëm me armë; shtetet sot shkatërrohen me dokumente, me plane kadastrale dhe me infrastrukturë të sinkronizuar nga jashtë. Dhe kur humbet kadastrin, humbet themelin e shtetit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat