Me udhëtimin e Papa Leoni XIV në Turqi, në kuadër të 1700-vjetorit të Koncilit të Nicesë, bota ftohet të rikthejë vëmendjen tek një prej momenteve më themelore të historisë religjioze dhe politike të civilizimit perëndimor. Ky jubile është një ftesë për të reflektuar jo vetëm mbi një zhvillim teologjik, por mbi një pikë kthese që i dha formë rendit shpirtëror të Europës. Në qendër të kësaj kthese qëndron një figurë e jashtëzakonshme: Konstantini i Madh, i lindur në Naissus – në një krahinë që burimet antike e lidhin me Dardaninë dhe me traditat e popullsive ilire, të cilat shqiptarët i konsiderojnë si një prej shtresave të para të identitetit të tyre historik.
Dardania e shekujve III–IV ishte një trevë kufitare, e ashpër dhe ushtarake, ku formoheshin disa nga komandantët më të aftë të Perandorisë Romake. Pikërisht këtu lindi një brez i tërë perandorësh, të cilët në mënyra të ndryshme kontribuuan në shpëtimin dhe riformësimin e shtetit romak. Mes tyre gjejmë Claudius II Gothicus, fituesin e betejës së Naissusit; Liciniusin, bashkënënshkruesin e Ediktit të Milanos; Galeriun, një nga figurat kyçe të Tetrarkisë; Aurelianin dhe Probusin, reformatorë të ushtrisë; Maximian Herculiusin, ndër themeluesit e rendit të ri perandorak; dhe Dioklecianin, arkitekt i sistemit administrativ që i hapi rrugën ngjitjes së Konstantinit. Këta perandorë shpesh përmenden së bashku në historiografinë moderne si “brezi ilir” i Romës, një grup që u dallua për disiplinë, vendosmëri dhe aftësi të jashtëzakonshme në krizë. Brenda këtij brezi, figura e Konstantinit është padyshim më vendimtarja.
Lindur në vitin 272, Konstantini u rrit në një mjedis ku kultura lokale dardane dhe tradita romake ushtarake ndërthureshin fort. Formimi i tij në kufijtë lindorë të Perandorisë i dha një ndjeshmëri të veçantë për kompleksitetet e kohës: për krizën politike, për kërcënimet e jashtme, por edhe për tensionet fetare që po fitonin intensitet. Ai shquhet në burimet antike si një komandant energjik, mjeshtër i disiplinës dhe i ftohtë në strategji – tipare të cilat literatura moderne i lidh shpesh me traditën e viseve iliro-dardane, prej nga vinte shumica e elitës ushtarake të periudhës së tij.
Vendimi i tij më i famshëm, Edikti i Milanos i vitit 313, hapi një kapitull të ri në historinë e Krishterimit. Dokumenti, që shpalli lirinë e fesë dhe fundin e persekutimeve, nuk ishte vetëm një akt tolerance, por një shenjë e qartë politike: Konstantini e pa në Krishterim një forcë stabilizuese, një element bashkues që mund t’i jepte Perandorisë kohezionin e humbur. Me këtë hap filloi transformimi i Kishës nga një komunitet i margjinalizuar në një institucion me strukturë, pronë dhe autoritet.
Ky transformim kulmoi në vitin 325, kur Konstantini mblodhi Koncilin e parë Ekumenik në Nicea. Kjo ngjarje, që përbën gurthemelin e teologjisë së mëvonshme, është nga më të rëndësishmet e historisë kishtare. Debatet e kohës për natyrën e Krishtit kishin shkaktuar përçarje të thella, dhe vetëm autoriteti i perandorit mund t’i sillte bashkë peshkopët e gjithë Perandorisë për të formuluar një besim të përbashkët. Rezultati ishte Credo i Nicesë, një përmbledhje e qartë doktrinare që përcaktoi karakterin hyjnor të Krishtit dhe thelbin e teologjisë kristologjike. Sot, ky Credo shqiptohet në qindra gjuhë e mijëra kisha rreth botës – një jehonë e drejtpërdrejtë e vendimit të një perandori me rrënjë në trevat ilire.
Ndikimi i Konstantinit nuk kufizohet vetëm në sferën e doktrinës. Në qendër të projektit të tij shpirtëror qëndron edhe figura e nënës, Helenës. Udhëtimi i saj në Tokën e Shenjtë, i dokumentuar në traditën kishtare dhe në burime të ndryshme të epokës, çoi në identifikimin e vendeve kyçe të jetës së Jezusit: Golgotën, Varri i Shënjtë, Shpellën e Lindjes në Betlehem dhe shumë vende të tjera biblike. Për nder të këtyre vendeve, Konstantini urdhëroi ndërtimin e bazilikave monumentale, të cilat edhe sot janë qendra të pelegrinazhit botëror. Pa këtë ndërmarrje, topografia shpirtërore e Krishterimit do të ishte krejt tjetër.
Përmes këtyre proceseve, Konstantini krijoi kushtet që më vonë do të mundësonin ngritjen e Papatit si një institucion me autoritet moral dhe politik. Para tij, peshkopi i Romës ishte një figurë lokale, pa kompetenca të qarta përtej komunitetit të tij. Por pas reformave të Konstantinit – ndërtimit të bazilikave në Romë, forcimit ekonomik të Kishës, njohjes ligjore dhe rritjes së autoritetit të saj moral – peshkopata romake mori një rol të veçantë në Perëndim. Në shekujt e mëvonshëm, kjo pozitë do t’i lejonte Papatit të bëhej një nga institucionet kyçe të Europës mesjetare. Për këtë arsye shumë historianë e shohin Konstantinin si themeluesin e padukshëm të Papatit perëndimor.
Sot, 1700 vjet pas Koncilit të Nicesë, vizita e Papa Leoni XIV në Turqi është më shumë se një ceremoni përkujtimore. Ajo shërben si kujtesë se historia e Krishterimit – dhe, në një masë të madhe, historia kulturore e Europës – është noduar në mënyrë të pazgjidhshme me treva që shpesh harrohen në narrativat moderne. Dardania, një vend me histori të thellë dhe me simbolikë të madhe për shqiptarët, ishte vendlindja e njeriut që i dha botës unitetin doktrinar të Krishterimit dhe strukturën mbi të cilën u ndërtua Papat i Perëndimit.
Ky jubile na kujton se figurat e mëdha të historisë shpesh vijnë nga skajet e perandorive, por ndikimi i tyre shtrihet shumë më larg se prejardhja gjeografike. Rasti i Konstantinit të Madh është shembulli më i fuqishëm: një dardan, formimi dhe rrënjët e të cilit janë pjesë e kujtesës historike të shqiptarëve, ndryshoi fatin e një feje, të një rendi shoqëror dhe të vetë civilizimit perëndimor. Dhe ky është një moment i ligjshëm krenarie për të gjithë ata që shohin tek Dardania jo vetëm një krahinë të lashtë, por një burim të identitetit, historisë dhe trashëgimisë sonë.