Dialogu Kosovë–Serbi, nga Brukseli deri në Ohër, është shndërruar në një proces politik që prodhon më shumë tranzicion sesa zgjidhje, më shumë menaxhim gjendjeje sesa konsolidim shtetëror. Në gjuhën e analizës politike, kjo mund të përkufizohet si modus vivendi i zgjatur, ku stabiliteti mbahet përmes kompromisit të pafund, ndërsa sovraniteti mbetet i pjesshëm dhe shpesh i kushtëzuar.
Narrativa zyrtare e ka paraqitur dialogun si “rrugë drejt normalizimit”, por efektet reale kanë krijuar zona gri të sovranitetit, tension institucional dhe një arkitekturë politike që shpesh ngjan më shumë me balancim gjeopolitik, sesa me proces të mirëfilltë shtetndërtimi. Marrëveshjet e pjesshme prodhuan realitete hibride, ku shteti funksionon formalisht, por jo gjithmonë efektivisht. Kjo gjendje i ekspozon institucionet e Kosovës ndaj një paradoksi strukturor: Kosova është shtet juridikisht i pavarur — por shpesh politikisht i brishtë.
Prania ndërkombëtare, në parim, synoi konsolidim institucional dhe sundim të ligjit. Megjithatë, dinamika e integrimit evropian të Kosovës mbeti e kushtëzuar, ndërsa Serbia avancoi në procesin e saj negociues. Kjo krijoi perceptimin — të mbështetur edhe nga praktika politike — se dialogu u instrumentalizua si mekanizëm stabilizues rajonal, ku përparimi i Serbisë u lexua si prioritet strategjik, ndërsa konsolidimi i shtetësisë së Kosovës u shty në plan dytësor.
Në këtë kontekst, rreziku nuk qëndron vetëm te marrëveshjet e papërfunduara, por te vetë modeli i shtetit që prodhohet: një shtet formal me kapacitete të kufizuara funksionale, ku autoriteti publik sfidohet nga fragmentimi institucional, ndikimi klientelist dhe pasiguria juridike. Në planin akademik, ky fenomen përkufizohet si shtet post-tranzicional i kapur nga ndërveprimi politik–ekonomik, më shumë sesa i drejtuar nga interesit publik.
Tranzicioni pasluftës u mbështoll me diskurs simbolik, me kapital moral të luftës dhe me narrativë patriotike që shpesh zëvendësoi përgjegjësinë politike. Privatizimi i pakontrolluar, patronazhi ekonomik dhe dështimi ciklik i reformave strukturore krijuan një kulturë politike ku retorika zëvendëson rezultatet, ndërsa premtimi për të ardhmen maskon mungesën e performancës në të tashmen.
Kjo është arsyeja pse pyetja themelore sot nuk lidhet vetëm me përfundimin e dialogut, por me diçka më të thellë: a po ndërtohet shteti — apo po ndërtohet vetëm narativi i tij?
Nëse synohet stabilitet i qëndrueshëm, prioriteti duhet të zhvendoset nga diplomacia e nxitimit drejt konsolidimit të brendshëm institucional: profesionalizim administrativ, integritet publik, drejtësi funksionale dhe ekonomi prodhuese. Vetëm një shtet me kapacitete reale mund të hyjë në dialog të barabartë dhe të besueshëm.
Politika e jashtme nuk mund të mbështetet më në tregti narrativesh diplomatike, sikurse politika e brendshme nuk mund të ndërtohet mbi simbolikë të së kaluarës. Kosova ka nevojë për elitë politike me kulturë qeverisëse moderne, të aftë të ndërtojë strategji, jo improvizim; institucione, jo ekuilibra të përkohshëm.Ndryshe, rreziku mbetet i hapur: tranzicioni mund ta vazhdojë veten — edhe pasi shteti lodhet.