Strategjia DonTru – e zgjuar ndaj Ru-Ki dhe shtrirjeve hegjemoniste botërore!

Opinione

Strategjia DonTru – e zgjuar ndaj Ru-Ki dhe shtrirjeve hegjemoniste botërore!

Nga: Sabahate Byci Më: 7 janar 2026 Në ora: 18:57
Sabahate Byci

Pa e njohur historinë apo të kaluarën me qëllim të një definimi – qoftë ai definim karakterizues objektiv apo subjektiv (kështu mendoj unë) – është absurditet të “ngulim” këmbë se “ky rast” apo “ai rast” ishte ose s’ishte me vend.

Praktikisht, i dedikohem veprimeve politike të fundit në skenën botërore, të cilat në fillim të këtij viti të ri 2026 – na qoftë vit i shëndetit të përgjithshëm, vit i gëzimit, por edhe i rregullimit politik – kanë për pretekst kryesor paqen globale, pikërisht në këto kohë kaq të vështira që na kanë ardhur.

Jo vetëm që na kanë ardhur, por që ne vetë i kemi krijuar.

Ne, i gjithë njerëzimi, jemi aktorët kryesorë dhe shkaktarët e gjendjes së kohërave të sotme. Pikërisht ne, të cilët duke e anashkaluar dhe duke e injoruar forcën e universit, gjegjësisht të rruzullit tonë tokësor, me shumë veprime paradoksale, konflikte dhe luftëra shkatërruese – për të mos thënë veprime vetëshkatërruese.

Këto janë kohëra njëkohësisht fantastike civilizuese, por edhe vetëshkatërruese, siç e theksova më lart, ku shumica e njerëzimit është e veshur me petkun e egoizmit dhe, përpos drejt rrugës së humnerës, rrugëdalje tjetër nuk ka.

Fatkeqësisht – ose fatmirësisht – “preokupuesja” kryesore për të mbajtur shpresë se do të ketë mbresë pozitive në formatet e këtij viti 2026, doli të jetë politika.

Pas ngjarjeve që morën hov në konstelacion me kryesinë shtetërore të Venezuelës – një shtet me pasuri të mëdha natyrore në dispozicion, konkretisht me rezerva nafte në vlerë prej rreth 303.8 miliardë fuçi – dhe bashkëpunimin e ngushtë me shtetin kinez, të cilit i eksportohen 68–70 për qind e këtyre resurseve (rreth 470 mijë fuçi në vitet 2024/2025), del qartë se Kina, në prapaskenë, është klienti kryesor (“myshteria”, siç thuhet në gjuhën popullore) i resurseve natyrore të Venezuelës – një shtet në Amerikë, në truallin e Amerikës së Mesme.

Andaj, veprimit të Presidentit të SHBA-së, z. Donald J. Trump, ia jap të drejtën dhe gjithë vlerësimin tim personal e shpirtëror. Për këtë arsye edhe opinionin tim e titullova ashtu siç e titullova.

Sa i përket historisë dhe së kaluarës, dua të theksoj se deklarimi i presidentit Trump për marrjen nën “kontroll”, në përgjithësi, të Groenlandës, është plotësisht me vend dhe i qëlluar.

Pse?

Sepse, përpos gjithçkaje tjetër, para mijëra vjetësh njeriu i parë emigrant Inuit ishte nga Amerika Veriore, banori i parë në Groenlandë.

Andaj, sipas mendimit tim, shumë më mirë do të ishte që Groenlanda të “mbikëqyret” nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sesa vetëm për “pak para” të bie nën ndikimin e Rusisë në tandem me Kinën.

Shtetet e NATO-s, sipas mendimit tim, duhet të gjejnë dhe të bëjnë një kompromis ndërmjet vete, në mënyrë që Groenlanda të mbikëqyret nga shtetet në fjalë, pasi që ajo është territor autonom i shtetit të Danimarkës, i themeluar pas një referendumi në vitin 1985.

Prandaj, Groenlanda më mirë të mbikëqyret nga një shtet me perspektivë të fortë ekonomike dhe politike, si SHBA-ja, sesa nga Rusia me Putinin.

Zërat që po qarkullojnë se kinse Amerika nuk duhet ta “marrë” Groenlandën, për mua janë absurdë.

Pra, fjala kryesore është për një mbikëqyrje më të mirë nga udhëheqja amerikane, natyrisht në marrëveshje të plotë me aleatët e NATO-s, e jo nga “Rusputini”.

Zoti mos e dhashtë e robi mos e lashtë.

Sabahate Byci – autore
Dora vetë
07.01.2026, e mërkurë
Gjermani

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat