Reforma arsimore dhe shndërrimi i Gjimnazit në QAMO “Skënderbeu” në Preshevë

Opinione

Reforma arsimore dhe shndërrimi i Gjimnazit në QAMO “Skënderbeu” në Preshevë

Nga: Nehat Hyseni Më: 28 janar 2026 Në ora: 22:29

Në kujtesën kolektive të shoqërisë sonë, shpeshherë e shkuara arsimore përjetohet me një ndjenjë nostalgjie, sikur arsimi i dikurshëm kishte qenë më cilësor, më i disiplinuar dhe më formues se ai i sotëm. Ky perceptim, megjithëse emocionalisht i kuptueshëm, nuk i qëndron gjithmonë analizës kritike historike dhe pedagogjike.

Që nga fillimi i angazhimit tim profesional në arsim, kam pasur një qëndrim të ndryshëm ndaj kësaj narrative. Kur, pas përfundimit të studimeve universitare në Universitetin e Sarajevës, u ktheva në Preshevë dhe më 1 shtator 1978 fillova punën si profesor i diplomuar në Gjimnazin “Skënderbeu”, isha vetëm 22 vjeç. Sot, pas disa dekadash përvoje jetësore dhe profesionale, bindja ime mbetet e pandryshuar: arsimi, ashtu si çdo segment tjetër i shoqërisë, ka qenë në proces të vazhdueshëm zhvillimi dhe nuk mund të idealizohet jashtë kontekstit historik.

Në mënyrë figurative, arsimi i dikurshëm mund të krahasohet me llampën vajgurore: ajo ndriçonte dhe përmbushte funksionin e saj në kushtet e mungesës së alternativave më të avancuara. Por me shfaqjen e llampës elektrike, kufizimet e saj bëhen të dukshme. Jo sepse llampa vajgurore nuk ka ndriçuar sa duhet kurrë, por sepse zhvillimi teknik dhe shoqëror ka ndryshuar standardet e pritshmërisë. Po kështu, edhe arsimi i së kaluarës duhet vlerësuar brenda rrethanave të kohës, jo me kriteret e së tashmes.

Realiteti institucional i Gjimnazit “Skënderbeu” (1978)

Fillimi im në Gjimnazin “Skënderbeu” përkoi me një periudhë specifike të organizimit hapësinor dhe pedagogjik të shkollës. Dy klasat e fundit të gjimnazit, klasa e III-të dhe e IV-të, zhvillonin mësimin në ambientet e ish-Ambulancës së qytetit të Preshevës. Në tetë paralele gjithsej, mësimi organizohej në dy ndërrime: klasa e IV-të paradite, ndërsa klasa e III-të pasdite.

Unë isha i angazhuar me klasat e treta, në ndërrimin e pasdites. Për një profesor të ri, të sapokthyer nga një qendër universitare si Sarajeva, sfida nuk ishte vetëm profesionale, por edhe sociale e emocionale. Ambienti akademik, dinamika studentore dhe debati intelektual i Sarajevës mungonin ndjeshëm në realitetin provincial të Preshevës së asaj kohe.

Shumica e bashkëmoshatarëve të mi nga gjenerata e gjimnazit akoma ndodheshin në studime universitare, kryesisht në Prishtinë, por edhe në Shkup, Pejë, etj. Në Preshevë kishin mbetur pak të rinj me formim të ngjashëm akademik, gjë që e bënte procesin e adaptimit tim edhe më kompleks.

Fundi i gjimnazit klasik dhe kalimi në QAMO

Viti shkollor 1978/1979 përbën një pikë kthese në historinë e kësaj shkolle. Ai ishte viti i fundit i funksionimit të gjimnazit klasik “Skënderbeu”. Me zbatimin e reformës së Arsimit të Mesëm të Orientuar (AMO), shkolla u riorganizua dhe u riemërua në Qendrën Arsimore të Mësimit të Orientuar (QAMO) “Skënderbeu”.

Kjo reformë përfaqësonte një ndërhyrje strukturore dhe konceptuale në arsimin e mesëm, me synimin për ta lidhur më ngushtë shkollën me nevojat shoqërore, ekonomike dhe profesionale të kohës. Profesorët e rinj, të formuar në universitete brenda dhe jashtë Kosovës, ishin relativisht më të përgatitur për këtë tranzicion.

Në anën tjetër, një pjesë e profesorëve më të vjetër – shumë prej të cilëve kishin qenë mësuesit tanë – e përjetuan këtë reformë me hezitim dhe pasiguri. Metodat tradicionale të mësimdhënies, veçanërisht modeli ex cathedra, ku profesori ligjëronte dhe nxënësit dëgjonin pasivisht, konsideroheshin ende si forma më e lartë e disiplinës dhe efikasitetit pedagogjik.

Përplasja e metodave dhe e brezave

Pikërisht këtu u shfaq edhe përplasja e pashmangshme ndërmjet dy koncepteve pedagogjike. Nga njëra anë qëndronte modeli tradicional, i bazuar në autoritetin e mësimdhënësit dhe në pasivitetin e nxënësit; nga ana tjetër, modeli i ri, që synonte aktivizimin e nxënësve, zhvillimin e mendimit kritik dhe ndërveprimin në procesin mësimor.

Në mbledhjet e Këshillit të Arsimtarëve, këto dallime shpeshherë shndërroheshin në debate të hapura profesionale. Reformat, ndonëse të sanksionuara institucionalisht, ende nuk ishin përvetësuar plotësisht në nivel të mendësisë pedagogjike. Nuk mungonin as vërejtjet ironike ndaj profesorëve të rinj, të cilëve u kujtohej me ironi mungesa e “viteve të përvojës”.

Megjithatë, këto përplasje nuk e cenuan respektin tim të thellë për ish-profesorët e mi. Ata ishin bartës të një tradite arsimore që kishte funksionuar në kushtet e veta historike dhe që kishte formuar breza të tërë nxënësish. Ndryshimi nuk ishte refuzim i së kaluarës, por domosdoshmëri e së ardhmes.

Vlerësim përfundimtar

Shndërrimi i Gjimnazit “Skënderbeu” në QAMO nuk ishte një akt thjesht administrativ. Ai përfaqësonte një moment  në historinë e arsimit të mesëm në Preshevë dhe një reflektim të proceseve më të gjera reformuese në hapësirën jugosllave të asaj kohe.

Nga perspektiva e sotme, kjo periudhë duhet parë si një fazë tranzicioni, me të gjitha kontradiktat, dilemat dhe rezistencat e saj. Nostalgjia për të shkuarën nuk duhet të errësojë nevojën për analizë kritike dhe për kuptim të dinamikës së zhvillimit arsimor. Arsimi nuk është statik; ai ecën përpara, duke u transformuar vazhdimisht, ashtu si vetë shoqëria që e prodhon.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat