Gjimnazi “Skënderbeu”- qendër e rezistencës institucionale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës (1981–1999)

Opinione

Gjimnazi “Skënderbeu”- qendër e rezistencës institucionale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës (1981–1999)

Nga: Nehat Hyseni Më: 1 shkurt 2026 Në ora: 11:03
Nehat Hyseni

1. Arsimi si front i rezistencës

Në shoqëritë me tensione etnopolitike, arsimi rrallëherë mbetet neutral. Në rrethana të kontrollit shtetëror dhe centralizimit autoritar, shkolla shndërrohet në hapësirë përplasjesh simbolike dhe politike. Rasti i shqiptarëve në Luginën e Preshevës gjatë viteve 1981–1999 është një shembull paradigmatik i rezistencës institucionale përmes arsimit.

Pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, shteti jugosllav intensifikoi kontrollin mbi institucionet arsimore shqiptare, duke i konsideruar ato si vatra të artikulimit kombëtar dhe potencialisht destabilizuese për rendin politik federativ.¹ Në këtë kontekst, arsimi në Preshevë mori një funksion që tejkalonte misionin pedagogjik: ai u bë mekanizëm i ruajtjes së identitetit kolektiv.

2. Pozicioni i Preshevës në raport me autonominë

Ndryshe nga Kosova, ku ekzistonte Universiteti i Prishtinës si qendër akademike, Presheva vepronte brenda një njësie administrative pa autonomi territoriale dhe pa mbështetje universitare lokale.

Kjo e vendos arsimin në Preshevë në një pozitë më të ekspozuar ndaj centralizimit të Beogradit dhe e bën rezistencën e tij më të brishtë, por edhe më domethënëse historikisht. Arsimi nuk ishte thjesht një instrument edukativ, por mekanizëm mbijetesë identitare, kulturore dhe politike.

Në kushtet e një shteti që gradualisht rrëshqiste drejt centralizimit represiv dhe nacionalizmit ekskluziv, shkolla shqipe u shndërrua në një nga bastionet e fundit të vetëdijes kolektive.

3. Gjimnazi “Skënderbeu” si institucion    parapolitik

Gjimnazi “Skënderbeu” dhe institucionet e tjera arsimore në Preshevë nuk funksionuan vetëm si struktura pedagogjike, por si institucione parapolitike: prodhonin elitë, artikulonin rezistencë dhe ruanin kontinuitetin kulturor shqiptar.

Demonstratat e vitit 1981 shënuan pikëkthesë në raportet e shtetit jugosllav me shqiptarët. Pas tyre filloi një fazë e re kontrolli ideologjik, spastrimi administrativ dhe presion institucional. Në Luginën e Preshevës kjo u reflektua përmes:

                •             Mbikëqyrjes së shtuar politike në shkolla;

                •             Ndërhyrjeve në programet mësimore;

                •             Heqjes së literaturës nga Kosova dhe Shqipëria;

                •             Diferencimeve politike të arsimtarëve;

                •             Penalizimeve dhe përjashtimeve nga puna.

Kulmi simbolik i kësaj politike ishte akti i njohur si “Burgosja e librave”, një formë e qartë e spastrimit kulturor të arsimit shqip në Preshevë.

4. Strategjitë për kontrollin e dijes dhe presioni mbi elitën

Heqja dhe konfiskimi i teksteve në gjuhën shqipe përbënte ndërprerje të lidhjes natyrore arsimore me Kosovën, tentativë për izolim kulturor dhe instrument presioni mbi kuadrin pedagogjik. Ky veprim nuk ishte administrativ, por thellësisht politik: synonte dobësimin e identitetit kombëtar nëpërmjet kontrollit të dijes, disiplinimit të elitës arsimore dhe frikësimit të brezit të ri.

Rezistenca mori formë institucionale dhe morale. Ajo nuk kërkonte përplasje frontale, por ruajtje të vazhdueshmërisë dhe mbijetesës kulturore.

5. Mënyrat e rezistencës institucionale

Rezistenca e arsimtarëve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore u shfaq në disa forma:

                1.            Ruajtja e frymës kombëtare brenda klasës;

                2.            Transmetimi i literaturës alternative dhe materiale mbështetëse nga Kosova dhe diaspora;

                3.            Solidariteti profesional ndaj kolegëve të penalizuar;

                4.            Refuzimi moral i presionit ideologjik dhe politik.

 

Kjo ishte një rezistencë e artikuluar me kujdes dhe vendosmëri: arsimi funksionoi si institucion paralel i vetëdijes kombëtare, shumë përpara krijimit të strukturave politike pluraliste.

6. Rënia e autonomisë së Kosovës dhe ndëshkimi i elitës shqiptare

Me rënien e autonomisë së Kosovës (1989) dhe instalimin e sistemit të ri politik në Serbi, filloi një valë e re diferencimesh politike në administratë dhe arsim.

Shumë arsimtarë dhe intelektualë u larguan nga puna, u transferuan me masa ndëshkuese dhe u etiketuan si “elemente nacionaliste”. Ky proces kishte karakter sistemik dhe përbënte pjesë të strategjisë së dobësimit të elitës shqiptare. Arsimi në Preshevë u bë terren përplasjesh të hapura ndërmjet pushtetit dhe vetëdijes kolektive shqiptare.

Figura që më vonë do të merrnin role kyçe në organizimin politik dhe referendumin e 1–2 marsit 1992 dolën pikërisht nga ky ambient arsimor. Kjo dëshmon fuqimisht se arsimi nuk ishte neutral: ai ishte inkubator i vetëdijes qytetare dhe kombëtare.

7. Modeli teorik: Arsimi si institucion parapolitik

Rasti i Preshevës mund të konceptohet si model i arsimit si institucion parapolitik, ku karakteristikat kryesore ishin:

                •             Prodhimi i elitës përfaqësuese;

                •             Ruajtja e narrativës historike kombëtare;

                •             Funksionimi si hapësirë solidariteti kolektiv;

                •             Refuzimi i asimilimit kulturor.

Në mungesë të institucioneve të lira politike, shkolla mori funksione që zakonisht i përkasin sferës publike politike. Kjo elitë përballej me presion shtetëror, mungesë burimesh, frikë sociale dhe fragmentarizim politik gjatë fazës së pluralizmit. Këto kufizime ndikuan në kapacitetin e saj për të vepruar koordinuar dhe afatgjatë.

8. Përfundim: Arsimi si histori e rezistencës institucionale

Rezistenca nuk ishte episod i përkohshëm, por proces i vazhdueshëm që ruajti identitetin kolektiv, përgatiti terrenin për organizim politik, formësoi elitën përfaqësuese dhe krijoi kapital moral dhe historik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat