Dëbimet, shkatërrimet dhe fshirja e kujtesës historike shqiptare

Opinione

Dëbimet, shkatërrimet dhe fshirja e kujtesës historike shqiptare

Nga: Nehat Hyseni Më: 15 shkurt 2026 Në ora: 13:16
Nehat Hyseni

Dëbimet e popullsive autoktone, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe fshirja sistematike e kujtesës historike përbëjnë tri dimensione të një procesi të vetëm: transformimit të strukturës demografike dhe simbolike të një territori përmes dhunës shtetërore ose para-shtetërore. Në literaturën bashkëkohore këto procese përkufizohen si “spastrim etnik”, “inxhinieri demografike” dhe “gjenocid kulturor”.

Koncepti i gjenocidit u formulua nga juristi Raphael Lemkin, i cili theksonte se shkatërrimi i një grupi nuk nënkupton vetëm eliminimin fizik, por edhe zhdukjen e institucioneve të tij kulturore, fetare dhe arsimore.

Edhepse Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (1948) nuk e përfshiu shprehimisht termin “gjenocid kulturor”, praktika ndërkombëtare dhe jurisprudenca e mëvonshme e kanë trajtuar shkatërrimin e trashëgimisë si pjesë integrale të “krimeve kundër njerëzimit”.

Në rastin shqiptar, këto tri dimensione – dëbimi, shkatërrimi dhe fshirja – shfaqen në periudha të ndryshme historike, por me një vazhdimësi strukturore që dëshmon për karakterin e tyre të qëllimshëm dhe sistematik antishqiptar.

I. Dëbimet masive dhe transformimi demografik i viseve shqiptare

Një nga episodet më të dokumentuara të debimit të shqiptarëve është ai i viteve 1877–1878, në kontekstin e Luftës Ruso-Turke dhe rikonfigurimit territorial të Ballkanit. Vendimet e Kongresi i Berlinit sanksionuan zgjerimin territorial të Serbisë dhe Malit të Zi, duke shkaktuar dëbimin e dhjetëra mijëra shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe viset përreth.

Historiani Noel Malcolm argumenton se këto dëbime nuk ishin pasoja të rastësishme të luftës, por pjesë e një strategjie për homogjenizim etnik. Po kështu, Sabit Uka dhe Skënder Rizaj dokumentojnë procesin e konfiskimit të pronave dhe ndalimit të rikthimit të popullsisë shqiptare.

Këto lëvizje masive popullsie ndryshuan përbërjen etnike të rajoneve të tëra dhe krijuan trauma kolektive që vazhduan të ndikojnë zhvillimet politike të shekullit XX.

II. Kolonizimi dhe asimilimi

Pas krijimit të Mbretërisë SKS, filloi një program sistematik kolonizimi në Kosovë dhe vise të tjera shqiptare. Këto politika synonin ndryshimin e ekuilibrit etnik përmes vendosjes së kolonëve sllavë dhe shpërnguljes së shqiptarëve drejt Turqisë.

Dokumentet arkivore tregojnë se kolonizimi shoqërohej me diskriminim ekonomik, kufizim të arsimit në gjuhën shqipe dhe presion administrativ. Në këtë periudhë, procesi i debimit u kombinua me forma të “dhunës strukturore”, duke e bërë asimilimin një objektiv të politikës shtetërore.

III. Shkatërrimi i trashëgimisë

Shkatërrimi i objekteve fetare, bibliotekave dhe monumenteve historike nuk është vetëm akt vandalizmi; ai përbën një strategji për të zhdukur dëshmitë materiale të pranisë historike të komunitetit shqiptar në këtë hapsirë gjeografike.

Gjatë luftës së viteve 1998–1999, raportet e Human Rights Watch dhe të UNESCO dokumentuan shkatërrimin e qindra objekteve fetare islame dhe arkivave kulturore në Kosovë. Jurisprudenca e International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia e konsideroi shkatërrimin e qëllimshëm të trashëgimisë si krim lufte.

Ky dimension tregon se synimi i Serbisë nuk ishte vetëm kontrolli territorial, por edhe delegjitimimi historik i pranisë shqiptare në këto territore, duke pretenduar që shqiptarët t’i paraqes si ardhacakë dhe jo autoktonë.

IV. Fshirja e toponimeve dhe arsimi

Fshirja e trashëgimisë nuk ndodhi vetëm përmes dhunës fizike, por edhe përmes “lapsit administrativ” dhe ligjeve gjenocidale: ndryshimi i toponimeve, shtrembërimi i historisë në tekstet shkollore dhe kufizimi i institucioneve arsimore në gjuhën shqipe përbëjnë forma të “dhunës simbolike”.

Studiuesi Oliver Jens Schmitt ka analizuar mënyrën se si historia instrumentalizohet për projekte kombëtare në Ballkan. Në këtë kuadër, margjinalizimi i trashëgimisë shqiptare paraqet përpjekje për rishkrim të hapësirës simbolike.

Konventa e Hagës për Mbrojtjen e Pasurisë Kulturore (1954) dhe instrumente të tjera ndërkombëtare vendosin detyrime të qarta për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare në kohë lufte. Shkatërrimi sistematik i objekteve kulturore përbën element të gjenocidit kulturor, kur synon zhdukjen e identitetit të një grupi.

Rastet e ndjekura nga gjykatat ndërkombëtare kanë krijuar precedent se sulmet ndaj trashëgimisë kulturore të një populli nuk janë thjesht “dëme kolaterale”, por janë akte me peshë të rëndë penale ndërkombëtare.

Megjithë përpjekjet për fshirje, kujtesa kolektive shqiptare ka mbijetuar përmes traditës gojore, arkivave private dhe rezistencës kulturore dhe arsimore. Arsimi në gjuhën shqipe, institucionet kulturore dhe diaspora kanë luajtur rol vendimtar në ruajtjen e identitetit.

Rrezistenca kulturore nuk është thjesht akt simbolik; ajo përbën kundërpërgjigje ndaj projekteve të zhdukjes identitare të shqiptarëve në Serbi.

Përfundim

Dëbimi, shkatërrimi kulturor dhe fshirja sistematike e trashëgimisë shqiptare përbëjnë një proces të ndërthurur historik, politik dhe juridik. Literatura akademike ndërkombëtare – nga Malcolm te Bevan e Schabas – e vendos këtë fenomen brenda paradigmës “spastrime etnike” dhe të “krimeve kundër njerëzimit”.

Prandaj, mbrojtja e trashëgimisë kulturore shqiptare sidomos në Luginën e Preshevës, në Vranjë dhe qytete tjera në Serbi, është detyrim i yni kombëtar, moral, juridik dhe historik.

Ajo përfaqëson jo vetëm ruajtjen e monumenteve kulturore dhe fetare, por edhe mbrojtjen e vetë vazhdimësisë së popullit shqiptar në hapësirën e tij historike, prej Nishit, Leskovcit, etj. e deri në Luginë të Preshevës, në Kosovë dhe gjithandej në Maqedoni të Veriut, etj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat