Lamtumirë njërit nga zërat e brezit të vitit 1981

Opinione

Lamtumirë njërit nga zërat e brezit të vitit 1981

Nga: Agim Vuniqi Më: 26 shkurt 2026 Në ora: 21:25
Arkiv

Me dhimbje të thellë u mësua lajmi për ndarjen nga jeta të veprimtarit dhe ish të burgosurit politik, Mentor Kaçi – një prej atyre burrave që në vitin 1981 zgjodhën burgun në vend të heshtjes dhe që në fillim të viteve ’90 u rreshtuan ndër organizatorët e parë të qelizave të rezistencës çlirimtare.

Brezi i vitit 1981 përbën ndër faqet më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare në Kosovë. Ata ishin studentë, punëtorë, intelektualë e veprimtarë që kërkuan dinjitet politik dhe barazi kombëtare në një sistem që e konsideronte mendimin ndryshe si kërcënim. Në mesin e tyre ishte edhe Mentor Kaçi, i cili për shkak të angazhimit të tij u dënua dhe përjetoi burgosje politike në vitet më të vështira të represionit.

Ai nuk ishte vetëm një emër në listat e të dënuarve politikë. Ishte pjesë e një rrjeti njerëzish që, në rrethana të jashtëzakonshme, organizuan strukturat e para të rezistencës në fillim të viteve ’90 – kohë kur frika ishte instrument shtetëror dhe organizimi konsiderohej akt armiqësor. Sakrifica e tij dhe e bashkëveprimtarëve të tij u bë gur themeli për rrugëtimin që çoi drejt lirisë dhe pavarësisë.

Sot, kur Kosova jeton si shtet i pavarur, figura të tilla duhet të kujtohen jo vetëm me emocione, por me respekt institucional dhe me përkushtim për ta ruajtur të vërtetën historike. Ndarja nga jeta e Mentor Kaçit është humbje për familjen, për miqtë dhe për kujtesën kolektive të një kombi që ende ndërton narrativën e tij të drejtë historike.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Kaçi dhe të gjithë bashkëveprimtarëve të tij.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Mentor Kaçin.

U prehtë në paqe. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat