Një fjalë e urtë dhe e mençur popullore gjermane, që zakonisht përdoret kur disa njerëz me krenari, përplot arrogancë dhe me një vetëbesim përtej mase të tepruar thonë:
„Hochmut kommt vor dem Fall“!
Në gjuhën e nënës sonë shqipe do të thotë:
„Krenaria vjen përpara rënies“!
Sinonimi i së cilës është se gjithçka që ngrihet lart, herët a vonë bie poshtë, mu sikurse thotë edhe fjala jonë e urtë popullore, të cilën po e shkruaj në dialektin tim gjakovar:
„Çdo të përpjetë e ka kah një teposhtë“!
Po ashtu edhe presidentja jonë aq shumë mori „hov“, sa që edhe KMiSHERA – (Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të cilin prej disa vitesh e kam definuar në formë metaforike si „kmishera“) – menjëherë pas vizitës së tij në Kosovë më 16.02.2026, në faqen e tij publikoi (sipas mendimit tim edhe ai metaforikisht) si vijon, citoj:
„Me aventurat e eksplorimit të natyrës nga Vjosa me kayak, ju uroj një të diel të mbarë“.
Ku në këtë rast shihet lumi Vjosa dhe mbi të tre persona duke lundruar me kayak.
Hë?! Mendova dhe thashë:
Athua çfarë simbolike kishte „dëshira“ në prapavijë?
„Eksplorimi i natyrës nga Vjosa“?!
Apo i njëjti, mos ndoshta donte të na prezantonte një situatë të re të jetesës ndryshe në vijim – të Vjosës?!
Vetëm ai e di! (Ashtu kujton ai, pa menduar ndoshta fare se edhe ne e dimë.)
EUREKA – i thashë atë ditë vetes 👏
E di – thashë me vete – simbolikën e eksplorimit të së „Dielës së mbarë“, dëshirës së KMiSHER-ës, e cila edhe iu plotësua – eksplorimi me të „tre kayakët“:
ER
VO
LA + tërë opozita e bashkuar me LDK-në si EBOLA!
= TRINOMI FATAL me ganglione e metastaza kancerogjene për vendlindjen tonë, Kosovë Dardani.
E publikuar pak përpara këtyre ditëve kaq të shenjta të historisë së hidhur të së kaluarës së vendlindjes sonë, e që tërësisht ia zbehu shkëlqimin lirisë së fituar me gjak dhe me plot sakrifica.
Përderisa vendlindja gjithmonë duhet të vlerësohet si një vend i mbështetjes sociale, në këtë kontekst drejtësia duhet të jetë vetë marrëdhënia forcuese e besimit, përmes trajtimit gjithmonë të drejtë, me sinqeritet dhe pa hile e tradhti.
Mu për faktin, siç thotë prapë një fjalë tjetër e jona e urtë popullore, sipas legjendës, atëherë (dikur në të kaluarën) kur njeriu i kishte thënë shtëpisë:
„Oj shtëpi, shumë të vodha e të tradhtova, e hiç nuk po e merr vesh“?!
Shtëpia kthehet dhe i thotë njeriut:
„O njeri, shumë ta theva qafën, e hiç nuk je kah e sheh e as nuk je kah e din“?!
Shih për këtë është për të ardhur keq, jo pak por shumë, që në vigjiljen e epopesë së ditëve tona historike, të fituara nga flijimi i heronjve dhe i dëshmorëve, shumica e individëve politikë të kohës që po jetojmë e përjetojmë në vendlindjen tonë, brutalisht të përçarë e të hasmuar, po bëjnë „gara pozash“ me „gjunjëzime“ tek varrezat e tyre – pra të heronjve e dëshmorëve – duke ua dobësuar edhe epitetin, kur merret në konsideratë vetë sjellja e tyre si të përzgjedhur të popullit me votë.
Tani, mu në momentin kur vendlindjes si kurrë më parë i duhet bashkimi ideologjik mbarëkombëtar shqiptar, „Trinomi“ i lartcekur ER-VO-LA (me siguri të porositur – djalli e di nga kush!) i desorientuar si asteroid ia humbi balancimin politikës së shtetit tonë, Kosovës Dardani.
Dhe fatkeqësisht, duke u bazuar në vetë sjelljet e disa personave të botës politike aktuale pothuajse në të gjitha rajonet tona shqiptare, veçanërisht në shtetin tonë Kosovë Dardani, më duhet të them se kurrsesi nuk duhet të anashkalohet fakti se ne (gjeografikisht) jemi Evropë.
Se „dalja nga zona“ politike, pavarësisht se nga cili vend (që është apo nuk është në BE), pa „pëlqimin“ e „zonjës plakë“ Evropë, kësaj të fundit nuk i nevojitet asgjë më shumë veç një disbalancim nga një injorancë e vogël – siç ishte ajo e pjesëmarrjes së presidentes Osmani në „Bordin e Paqes“ – dhe BE-ja menjëherë, në një formë rapide, e „aktivizon“ funksionin STATUS QUO, enkas në konstelacion me shtetet e Ballkanit, veçanërisht me vendlindjen tonë, bazuar në eksperiencën e së kaluarës dhe edhe momentalisht në këtë kohë kur turbulencat politike kanë preokupuar pothuajse të gjithë globin tokësor.
Andaj, ta anashkalosh zonjën në fjalë duke kapërcyer „detra e misira“ në „vrapim të gjetjes së vetvetes“, me „një nënshkrim apo dy“, pa pëlqimin e saj – aty ose atje ku vetveten kurrë s’mund ta gjesh as gjeografikisht e lëre më politikisht – „zonja e rëndë plakë“ Evropë, sa çel e mbyll sytë, shumë thjeshtë:
„Tu qeshë ta veshë“,
ashtu siç e ceka më lart, mezi s’pret për ta aplikuar metodën e radhës STATUS QUO ndaj shtetit tonë në shtetformim e sipër.
Dhe ç’është më e keqja, disa politikanë (jo të gjithë) as nuk e marrin vesh pse, si, ku dhe kur ata qenë apo ishin në KONFRONT me ideologjinë e BE-së.
Sabahate Byci – Autore
08.03.2026, e diel, 12:12
Gjermani