Dhuna në familje dhe keqësimi i raporteve ndërnjerëzore në shoqëri janë shndërruar në fenomen të krimit dhe fatkeqësisë në Kosovë. Vetëm gjatë kësaj jave u vranë pesë qytetarë të këtij vendi, ngjarje këto që e tronditën opinionin. Për fat të keq, shkaktar i këtyre tragjedive janë motivet e interesave pronësore, financiare, si dhe epshet e pafrenuara të individëve që u mungon vetëdija, kultura dhe edukata për t’u pasuruar.
Sot, njeriu ndaj njeriut është bërë i padurueshëm; ka humbur durimi, qetësia, vetëkritika, njerëzia, e mos të flasim për ndjenjën e humanizmit apo të respektit. Çdo gjë është shndërruar në interes, duke shkelur vlerat tradicionale të paraardhësve tanë. Koha po tregon që jemi shoqëri e paemancipuar, me plot defekte konfliktuoze dhe me sindroma patologjike. Nuk ka dyshim se që nga paslufta në Kosovë depërtuan rryma dhe kultura të ndryshme të Botës kapitaliste, norma këto të dirigjuara nga paraja apo kapitali i egër, në kundërshtim me vlerat demokratike të ekuilibruara.
Këto tendenca apo botëkuptime po depërtojnë lehtë në familjet e pashkolluara apo të papërgatitura për t’u ballafaquar me sfidat e kohës. Patjetër, përgjegjësi mban edhe sistemi shkollor me planeprograme e kurrikula të dështuara. Po ashtu, për këto fatkeqësi që po i ndodhin vendit, përgjegjësia duhet ndarë edhe te sistemi i drejtësisë, te edukata familjare, te rrethi shoqëror dhe te shkolla, ku arsimohen, edukohen dhe ndërtohet personaliteti i njeriut të vlefshëm e të dobishëm.
Andaj, në fund po theksojmë se institucionet e shtetit, përkatësisht partitë politike dhe politikbërja e tyre, ndikojnë drejtpërdrejt në prishjen apo keqësimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore të qytetarëve të këtij vendi, përmes shfaqjes së interesave për pushtet apo për përfitime të ndryshme materiale, financiare apo ekonomike. Kjo gjeneratë e pasluftës duhet të kuptojë se vrasjet dhe hakmarrjet janë dukuritë më të errëta që mund t’i ndodhin një shteti apo një populli.
Andaj, koha po troket në ndërgjegjen e të gjithë atyre që kanë marrë përgjegjësi për të ndërtuar një shoqëri me vlera njerëzore e demokratike, duke e pasur kauzë të vetme unitetin dhe bashkimin e të gjitha shtresave të shoqërisë për t’i dalë zot vendit.