Politika në Dardani të marrë leksion nga futbollistët dardanë

Opinione

Politika në Dardani të marrë leksion nga futbollistët dardanë

Nga: Skënder Sadri Kapiti Më: 27 mars 2026 Në ora: 10:07
Skënder Sadri Kapiti

Politika dhe politikanët e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të marrin shembull nga futbollistët e përfaqësueses së Kosovës, të cilët, pavarësisht se kanë një periudhë kohore shumë të shkurtër që kur u anëtarësuan në FIFA, tashmë dardanët po shkruajnë historinë.

Me fitoren 4:3 të Kosovës ndaj Sllovakisë, futbollistët e Kosovës treguan jo vetëm profesionalizëm sportiv, por, së pari, ata dëshmuan një përkushtim, përfaqësim dhe përgjegjësi të lartë kombëtare; një ndjenjë pjekurie, mundi dhe sakrifice në nderim dhe lartësim të shpirtit të tyre luftarak dhe heroik. Kjo ka lartësuar dhe ngritur imazhin dhe prestigjin e shtetit të Kosovës në arenën euro-globale të sportit dhe jo vetëm.

Në këto kushte, kjo le t’i shërbejë politikës shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë si leksion se si politika duhet të sillet e të punojë për interesin publik dhe kombëtar, për të luftuar krimin, korrupsionin dhe hajninë institucionale. Le të shërbejë sporti dardan për politikën shqiptare si shembull se si përfaqësuesit politikë e shtetërorë duhet të punojnë me përkushtim për interesin publik e kombëtar, dhe jo për interesa personale, vjedhje, grabitje e korrupsion.

Politikës kosovare tani i ka ardhur në “ndihmë” politika futbollistike e djelmoshave dardanë, si një leksion për politikanët shqiptarë se si duhet të veprojnë për të prodhuar dhe zbatuar politika që i shërbejnë kombit dhe atdheut; që politika kosovare të mos prodhojë përçarje e kriza institucionale shtetërore; që politika në Kosovë të mos prodhojë kriza për kolltuqe pushteti e interesa personale, në dëm të Kosovës dhe të imazhit ndërkombëtar të saj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat