Kuvendi i Zetës, memorandumi i studentëve të Serbisë dhe një dëshmi e Milo Gjukanoviç për Kosovën

Opinione

Kuvendi i Zetës, memorandumi i studentëve të Serbisë dhe një dëshmi e Milo Gjukanoviç për Kosovën

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 22 maj 2026 Në ora: 08:02
Fotoilustrim: Serbia, përmes memorandumeve, presioneve politike dhe rrjeteve të ndikimit, vazhdon ta mbajë Kosovën në qendër të projektit të saj shtetëror.

Janë tri dëshmi që lidhen me Kosovën. Një i takon më shumë se dy dekadave më parë dhe dy i takojnë të sotmes. Në fillim të viteve 2000 Serbia ishte në aksion për ta ndaluar krijimin e shtetit të ri të Kosovës. Dhe të gjitha përpjekjet u bënë që ta bindnin botën perendimore se “Shqiptarët në Kosovë nuk meritojnë shtetin e tyre të pavarur, pasi ata janë të papërgatitur e të paaftë për këtë”! U përdorën forma dhe mjete të shumta. Milo Gjukanoviç ishte asokohe dëshmitar i këtyre përpjekjeve të Beogradit, sepse vendi i tij ishte ende pjesë e fedaratës së ashtuquajtur Jugosllave. Ish-presidenti i Malit të Zi këto ditë ka dhënë një dëshmi rrënqethëse. Zbuloi faktin se ishin përgatitur 27 vajza të bukura serbe që të “rekrutonin” komandantët e KFOR-it në Kosovë, sidomos në veri dhe kësisoj shteti, ushtria, shërbimi sekret, policia serbe të vepronin lirisht për destabilizimin e saj.

Ndërkohë, këto ditë opinioni është njohur me dy provokime të tjera të Serbisë për Kosovën. Në Zetë u mblodh një “kuvend” i sponsorizuar nga Beogradi dhe iu kërkua qeverisë së Malit të Zi të tërheqë njohjen e shtetit të Kosovës. A mund të ndodhë kjo? Them se jo. Ndryshe Mali i Zi do të kthehej sërishmi nën sovranitetit serb, madje para Kosovës. Duket se Kuvendi i Zetës, i organizuar nga Beogradi, kishte këtë qëllim, rikthimin e Malit të Zi nën sovranitetin serb e më pas përdorimin e këtij “argumenti” që edhe Kosova të bëhet pjesë e Federatës Jugosllave të rithemeluar! Ishte kjo një lëvizje me shumë dimensione. Së pari, për të thënë se Serbia nuk heq dorë nga Kosova. Së dyti, për të lëshuar sinjalin se Vuçiq i ka në duart e tij fijet e komplotit për destabilizimin e rajonit. Së treti, për të kërkuar koncensione të tjera nga bashkësia ndërkombëtare. Së katërti, për të theksuar vasalitetin e Malit të Zi ndaj Serbisë. Ka dhe arsye të tjera.

Në anën tjetër një gurp studentësh u shty të formulojë një memorandum për Kosovën, memorandum, i cili thekson se “Kosova është pjesë e integritetit dhe sovranitetit territorial të Serbisë”. Me këtë arsyetim studentët kërkojnë ridiskutim të statusit të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, që do të thotë anulimin e pavarësisë së saj dhe një raund tjetër bisedimesh rreth këtij statusi. Interesant! Pas gati 19 vitesh pavarësi, Serbia përmes brezit më të ri provokon anulimin e pavarësisë së Kosovës. Nëse e shohim përmbajtjen e memorandumit të studentëve serbë, vemë re se ajo nuk ka ndryshim nga memorandumet e mëparshme të institucioneve shtetërore, akademike dhe kishtare të Serbisë. Qëllimi është sundimi serb në Kosovë. Edhe në formë është e njëjta gjë. Ky memorandum kërkon që të bëhet korrdinimi me faktorin ndërkombëtar. Të njëjtën kërkesë e kishte formuluar gjithashtu Vasa Çubrilloviç në memorandumin e tij të 7 marsit 1937, në të cilin kërkonte mirëkuptimin e europianëve në aksionin serb të shpërnguljes së shqiptarëve.

Kuvendi i Zepës dhe memorandumi i studentëve të Serbisë për Kosovën shoqërohen edhe sot me praktika kompromentuese e korruptuese me femra serbe, të përdorura nga shteti dhe shërbimi sekret i Serbisë. Paraja dhe kompromentimi erotik janë dy armët të cilat Serbia i ka përdor sidomos te shqiptarët në gjithë historikun e marrëdhënive dy shekullore. Çubrilloviç rekomandonte para 90 vitesh që të përdoreshin këto metoda për ta heshtur shtetin shqiptar gjatë aksionit serb të deportimit të shqiptarëve për në Turqi. Më vonë ka ndodhur e njëjta gjë në të gjitha kthesat historike të këtyre marrëdhënieve. Sidomos në dekadën e fundit mekanizmi i shpërblimeve financiare dhe erotike ka njohur kuota historike, me qëllim që të “anulohet” shtetësia e Kosovës.

Të gjitha ato që kanë ndodhur në këto dhjetë vite dëshmojnë se shërbimet pro-serbe nga ana e politikanëve, lidershipit dhe analistëve e medies shqiptare kanë ndodhur në këmbim të këtyre dy favoreve. Ata që vizitojnë shpesh Beogradin, janë përfituesit më të zellshëm të këtyre favoreve. Ndaj dhe ne shqiptarët duhet të zgjohemi edhe nga kjo pikëpamje. Nëse ne bëhemi bashkë dhe nëse ne nuk na përçajnë dinarët si dhe favoret erotike serbe, atëherë betejën e kemi të fituar përgjithmonë. Në të kundërtën, do të vazhdojmë të jemi, siç thoshte Fishta “Njashtu si na do hasmi”!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat